Zihen për nder, qëllon mbi fqinjin me armë zjarri
Debatet për çështje nderi i kanë çuar dy bashkëfshatarë nga rrethi i Fierit deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Ndërhyrja e të afërmve të dy bashkëfshatarëve, si dhe e policisë ka bërë të mundur që ky sherr të mos shënojë viktima, ndërkohë që policia ka prangosur të dy pjesëmarrësit në përplasjen me armë dhe ka nisur për ta procedimin penal nën akuzat "tentativë vrasjeje" dhe "armëmbajtje pa leje". Burime zyrtare nga policia e Qarkut Fier bëjnë të ditur se Alush Beqiraj dhe Gëzim Bushi, banor të fshatit Hambar në Komunën e Cakranit të rrethit Fier janë prangosur mbrëmjen e së dielës. Të njëjtat burime referojnë se sherri mes dy bashkëfshatarëve kishte nisur ditë më parë, ndërsa mbrëmjen e së dielës është rihapur sërish. Burimet policore tregojnë për "Shqip" se rreth orës 21:30 minuta të së dielës, 54-vjeçari Alush Beqiraj ka dalë nga banesa dhe i ka bërë pritë fqinjit, Gëzim Bushi. Ky i fundit ishte duke u kthyer nga toka ku kishte punuar gjithë pasditen. Mes tyre ka nisur një debat me fjalë, që ka degjeneruar në përleshje fizike. Dëshmitarët e rastësishëm kanë ndërhyrë për të ndarë dy bashkëfshatarët, por debati mes tyre nuk ka përfunduar me kaq. Alush Beqiraj shkon në banesën e tij dhe merr prej andej një armë zjarri të tipit automatik, të cilën e mbante pa leje dhe qëllon në drejtim të 45-vjeçarit Bushi. Fatmirësisht, plumbat nuk e kanë prekur këtë të fundit, por akti ka nxitur zemërimin e tij dhe ka bërë që ai të marrë një armë gjahu që mbante në banesë dhe të qëllojë në drejtim të bashkëfshatarit të tij. Policia ka ndërhyrë për të neutralizuar situatën dhe ka izoluar veprimet e dy pjesëmarrësve në debat. Edhe pse dy pjesëmarrësit në sherr u shoqëruan në mjediset e policisë, debati ka vijuar mes familjarëve të tyre. Policisë i është dashur të qëndrojë në fshatin Hambar jo vetëm gjatë mbrëmjes së diel, por përgjatë gjithë natës, si dhe paraditen e së hënës. Burimet zyrtare të policisë pohojnë për gazetën se motiv i përplasjes ka qenë çështja e nderit. Të njëjtat burime referojnë se Bushi i kishte ngacmuar kunatat Alush Beqirajt. Ky i fundit është fjalosur për disa ditë me radhë me të dhe i kishte kërkuar të shmangte rrugën nga banonin ato.