E Diel, 1 Nëntor 2026

I lagin oborrin me ujë, qëllon mbi familjen fqinje me 60 plumba

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur drekën e djeshme në qytetin e Vaut të Dejës ku një person i armatosur për pak ka masakruar një familje prej 5 personash. Nga breshëritë e plumbave ka mbetur e plagosur në këmbë vajza 17-vjeçare e shtëpisë, ndërsa autori është arrestuar menjëherë nga policia. Ngjarja ka pasur si shkak një motiv banal dhe sipas policisë, agresori ka qëlluar vetëm për faktin se zorra e ujit të komshiut i lagte oborrin. Ka qenë ora 14 .30 min e së hënës, kur në banesën e Mehdi Smajlit, nga Vau i Dejës, është futur me automatik në dorë fqinji i tij, Xhafer Hoxha. Ky i fundit sapo ka hyrë brenda ka qëlluar pa paralajmërim me breshëri automatiku në drejtim të 5 pjesëtarëve të familjes Smajli. Hoxha ka derdhur plot 60 plumba në drejtim të familjes Smajli duke terrorizuar dhe krijuar panik në të gjithë zonën. Pasi i janë mbaruar plumbat, agresori ka tentuar të godasë me mjete të forta, por një nga familjarët ka telefonuar në sallën operative të Shkodrës, duke kërkuar ndihmë. Menjëherë në vendin e ngjarjes është nisur një skuadër e agjentëve të policisë kriminale, e cila ka bërë të mundur neutralizimin e autorit, i cili është dorëzuar pa rezistencë. Ndërkohë, mësohet se 17-vjeçarja Lumnije Smajli, është dërguar në spital, ku pas heqjes së plumbit që e kishte prekur në këmbë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, në momentin e prangosjes autori dyshohet të ketë qenë në gjendje të dehur. Mësohet se ai është shprehur para agjentëve të policisë se: "kam dashur t‘i vras të gjithë brenda". Ndërkohë, e ëma e Mehdi Smajlit, dëshmitare okulare, pak minuta pas ngjarjes ka rrëfyer për "Shqip" momentet e tmerrit që ka përjetuar familja e saj. "Sapo kishim mbaruar drekën kur te dera kryesore pashë Xhaferin, komshiun, me një automatik në dorë. Ulërita duke i thënë se ku shkonte dhe çfarë kishte në mendje të bënte. Më pas u futa brenda duke u kërkuar njerëzve të shtëpisë të mbrohen. Kanë kaluar pak sekonda dhe ai ka hyrë brenda në shtëpi dhe qëlloi shumë herë mbi ne. Nuk e kuptoj se si një njeri vjen të shuajë një familje vetëm se i është lagur oborri me ujë", shprehet e traumatizuar e moshuara. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 60 gëzhoja automatiku dhe një armë zjarri automatik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›