E Shtunë, 31 Tetor 2026

Detyrimet e biznesit të madh dhe të vogël për vitin 2012

SHKRUAN: Jonida Tashi 25-12-2011 11:45

Hyn më 1 janar në fuqi reduktimi i taksave për mbi 22 mijë biznese në Tiranë. Ja sa do të paguhet për pastrimin dhe largimin e mbeturinave, reklamat dhe fjetjen në hotel

Duke filluar nga dita e parë e vitit 2012, taksapaguesit në kryeqytet do të shlyejnë detyrime disa herë më të ulëta financiare për taksat dhe tarifat vendore. Vendimi i marrë nga këshilli bashkiak i Tiranës në muajin tetor, për eliminimin e 60 tarifave administrative shërbimi që nuk do të paguhen më nga kryeqytetasit, do të hyjë në fuqi nga data 1 janar 2012. Sipas të dhënave, nga 64 tarifa administrative mbeten 7 dhe nga 17 tarifa shërbimi, mbeten 14. Këto ndryshime Bashkia e Tiranës i ka reflektuar edhe në buxhetin 2012, ku ka përcaktuar edhe detyrimet për taksat dhe tarifat vendore që do të paguajë biznesi i madh dhe i vogël gjatë vitit të ardhshëm. Dy nga taksat që do të lehtësojnë ndjeshëm barrën fiskale të biznesit janë ajo për pastrimin dhe largimin e mbeturinave dhe tarifa për reklamën. Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave, për vitin e ardhshëm do të jetë 5000 lekë në vit për familjarët, për biznesin e vogël niveli i kësaj tarife vjetore do të jetë sa 10% e nivelit të taksës për këto biznese, kurse për biznesin e madh tarifa luhatet nga 2 500-37 500 sipas kategorive, dhe për biznesin VIP tarifat shkojnë nga 19 000-47 000 lekë në vit. Taksa e tabelës aplikohet për të gjitha subjektet, të cilat vendosin emërtimin e subjektit në pamjen ballore të njësisë ku zhvillojnë veprimtarinë, në hapësira të tjera publike ose private, qofshin këto të lëvizshme ose të palëvizshme dhe që shërbejnë për qëllime reklamimi. Sipas ndryshimeve ligjore, taksa e tabelës është bërë 120 lekë në vit, thënë ndryshe është ulur 12 herë, ndërkohë që taksa e tabelës për qëllime reklamuese është bërë 45 mijë lekë/m2 në vit ose është rritur 4.5 herë. Më konkretisht, taksa e tabelës për qëllime identifikuese ishte 1500 lekë në vit, është bërë 120 lekë në vit, kurse taksa e tabelës për qëllime reklamuese nga 10 mijë lekë në vit është bërë 45 mijë lekë/m2 në vit. Taksa e fjetjes në hotel, duke filluar nga janari i vitit 2012, niveli i saj do të jetë 3% e çmimit të fjetjes. Baza e takës së fjetjes në hotel është çmimi i fjetjes për dhomë ose për person, për një natë. Subjekt i kësaj takse do të jenë: hotelet, motelet, stabilimentet turistike, pensionet, shtëpitë e pritjes, turizmi familjar, dhe çdo objekt tjetër që përdoret për këtë veprimtari. Gjatë periudhës 10-mujore të vitit 2011 janë evidentuar 107 subjekte, që janë të gjitha likuiduese. Duke marrë në konsideratë edhe ndryshimin e nivelit të kësaj takse (-30%) për vitin 2012, të ardhurat parashikohen në shumën 80 milionë lekë, kundrejt 110 subjekte hotelerie. Parashikimi i të ardhurave nga taksa e pasurisë për vitin 2012, për kategorinë e biznesit për 21 mijë subjekte, nga të cilat 18 400 aktive dhe rreth 1100 debitorë të mbartur nga viti 2011 si dhe të reja 1500 subjekte është në shumën 540 milionë lekë. Niveli i kësaj takse gjatë vitit të ardhshëm do të variojë sipas llojit të ndërtesës dhe sipërfaqes. Aktualisht në kryeqytet numërohen 22 284 subjekte likuiduese sipas kategorive të ndryshme të biznesit. Për vitin 2012, të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore janë programuar në shumën 6.157.168 000 lekë, ose 8% më pak se parashikimi i dy viteve paraardhëse, ndërkohë që do të jenë 66% më shumë se realizimi i pritshëm i vitit 2011.

Biznesi i vogël, katër këstet për taksat

Taksa vendore e biznesit të vogël që llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit, qoftë ky subjekt fizik apo juridik, vendas apo i huaj, i cili realizon një të ardhur bruto vjetore (qarkullim) të barabartë ose më të vogël se 8 milionë lekë. Taksa do të vazhdojë të paguhet në katër këste të barabarta, përkatësisht në datat 20 prill, 20 korrik, 20 tetor, dhe kësti i fundit jo më vonë se data 20 janar i vitit të ardhshëm fiskal. Struktura e ngarkuar për vjeljen e taksës vendore mbi biznesin e vogël është Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës, kjo e fundit, sipas treguesve në rang kombëtar, rezulton se ka dhe nivelin më të madh në këtë taksë në nivel republike. Të ardhurat nga kjo taksë kanë ardhur në rritje, pavarësisht përgjysmimit të nivelit të saj në vitin 2005. Sipas projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës, për vitet në vijim, realizimi i të ardhurave nga kjo taksë, jo vetëm që ka qenë shumë më i ulët se viti 2005, por edhe ritmi i këtij realizimi nuk ka qenë në nivelet e planifikuara. Për vitin aktual parashikohet që të ardhurat nga taksa e biznesi të vogël për 20 mijë subjekte të arrijnë në shumën 1 milion lekë. Një ndikim negativ në realizimin e kësaj takse vazhdon të ketë deklarimi i xhiros në ulje, për pasojë edhe detyrime më të vogla. Sipas të dhënave të Bashkisë, kjo duket në rritjen e numrit të subjekteve me xhiro minimale deri në 2 milionë lekë, që nga viti në vit ka ardhur duke u rritur në raporte të zhdrejta me rritjen e numrit të bizneseve në tërësi. Për këtë arsye, gjatë vitit të ardhshëm, Bashkia e Tiranës do të kërkojë nga bizneset saktësimin e nivelit të xhiros vjetore të deklaruar me faktin, ndërsa do të vazhdojë luftën kundër evazionit fiskal.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›