Zgjedhjet, 2 agjenci do të pasqyrojnë rezultatin në kohë reale
Rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit do të dalin në kohë reale. Projekti “Rezultatet direkte të zgjedhjeve” prezantohet nga dy agjenci, konkretisht, Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve (ECA) dhe organizata “KRIIK Albania” e financuar nga USAID-i. Sipas drejtorit Ekzekutiv të ECA-s, Ilirian Celibashi, ky projekt ka si qëllim përcjelljen në kohë reale të informacioneve të numërimit të votave dhe rritjen e transparencës në procesin e numërimit. Celibashi thekson se ky projekt nuk e mbivendos KQZ-në dhe asnjë institucion tjetër përgjegjës për nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve. Bëhet e ditur se për realizimin e këtij projekti janë rekrutuar 450 vëzhgues, të cilët do të vendosen në 66 qendra të numërimit të votave më 28 qershor. Rezultatet që mblidhen në çdo qendër votimi do të bëhen publike në kohë reale, përmes shfrytëzimit të një teknologjie të veçantë, e cila mundëson hedhjen e informacioneve në një qendër kryesore të përpunimit të informacionit. Çdokush do të mund të informohet në kohë reale për rezultatin e zgjedhjeve përmes konferencave të posaçme për shtyp, si dhe duke përdorur faqen e internetit që vënë në dispozicion nga këto dy agjenci.
11 Qershor 2009