E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni i ndertimores rruga e re prishen objektet pa leje

Inspektoriati Ndertimor Urbanistik Kombëtar ka zhvilluar një aksion për prishjen e ndërtimeve që kanë mbajtur peng deri tani lidhjen e rrugës së parkut industrial në Porto Romano me mbikalimin e Shkozetit dhe autostradën. Bëhet fjalë për 6 themele banesash të papërfunduara, të cilat banorët nuk pranojnë të shemben, pasi kërkojnë që të dëmshpërblehen nga shteti. Ata pretendojnë se personat që kanë marrë dëmshpërblim janë përzgjedhur në mënyrë selektive.

 “Kam 12 vjet këtu dhe më ka lënë në rrugë. Të më japin lekët se kam hedhur djersë. Të më japin paratë dhe të më çojnë ku të duan ata”-thotë një banor.
 
“Nëse i prishet shtëpia ky del në rrugë me gjithë fëmijë dhe nuk ka të shkojë sepse nuk ka as shtëpi e as tokë”-thotë një tjetër.

“Emri në gazetë na doli. Mua më dhanë 17 milionë dhe më thanë të dal në rrugë. Le të bëjnë të gjitha verifikimet te të gjithë. Nuk dal, madje edhe sikur të na vrasin mua dhe fëmijë”-shprehet një banore tjetër.
 
Inspektori  Albin Gega është shprehur se banorët janë dëmshpërblyer për banesat ku kanë banuar më parë, ndërsa për themelet ligji nuk e parashikon një gjë të tillë.

“Pothuajse 6-7 objekte janë të shpronësuara me vendim të Këshillit të Ministrave, kurse një pjesë tjetër që nuk ka as leje ndërtimi, as nuk janë në procedura të legalizimit përfundimtar, nuk e përfitojnë këtë shpronësim që ka bërë vendimi i qeverisë”-thotë ai.
 
Rruga që do të shërbejë për lidhjen e parkut industrial me autostradën Durrës-Tiranë ka mbaruar në pjesën më të madhe të saj, ndërkohë që ndërtimet e prishura sot kishin kohë që e pengonin lidhjen e kësaj rruge me mbikalimin dhe hyrjen në autostradë.

Aleks Kalemasi                    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›