E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni në Tiranë, kapen 35 mijë dollarë të falsifikuar

• TIRANE - Bllokohen në Tiranë 35 mijë dollarë amerikanë të falsifikuar dhe ndalohen nga policia e kryeqytetit tre persona të dyshuar se janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Lajmi është konfirmuar nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës të cilat thanë se, operacioni i koduar me emrin “Ndryshimi”, ka vënë në pranga tre persona dhe janë bllokuar së paku 25 mijë dollarë amerikanë të falsifikuar. Policia nuk ka bërë të ditur gjeneralitetet e të arrestuarve, ndërsa tha se numri i personave të akuzuar mund të rritet. Sasia e dollarëve të bllokuara nga njësia e operacioneve speciale dhe e vëzhgimit, dyshohet se mund të ketë ardhur nga Maqedonia së paku dy ditë më parë. Pjesa tjetër prej 10 mijë dollarësh, është bllokuar nga policia gjatë kontrollit të kryer në banesat e personave të arrestuar. Agjentët e kësaj njësie mësohet se prej më tepër se tre muajsh kanë mbajtur nën vëzhgim të arrestuarin e djeshëm. Kjo është bërë nga policia me qëllim arrestimin e sa më shumë personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Të akuzuarit u ndaluan nga agjentët e njësisë së vëzhgimit dhe operacioneve speciale, në momentin kur po përgatiteshin të shkëmbenin paratë me një person tjetër. Policia ka ndërhyrë sapo të dyshuarit janë takuar në afërsi të rrugës “Irfan Tomini”, pranë ish-stacionit të fundit të Tiranës së Re. Agjentët kanë arrestuar të dyshuarin për falsifikim, duke mos iu lënë atyre asnjë mundësi për t’u larguar. Gjatë kontrollit të kryer prej agjentëve specialë, personave të ndaluar u janë gjetur në një çantë një sasi dollarësh. Të arrestuarit janë dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.          d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›