E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Spam”-et e politikës

• Rexhep Meidani

Media përballë politikës së spam”-eve. Roli i medias së lirë në demokraci është i një rëndësie kruçiale. Nuk është e rastit që fuqia e saj është quajtur dhe pushtet i katërt. Më mirë se në çdo rast këtë e dëshmoi ngjarja kriminale e Gërdecit, ku media luajti një rol të dorës së parë jo vetëm në aspektin ndihmës, kontaktues e sensibilizues, por dhe atë ballafaques e investigativ.  Me praninë e guximin në terren dhe pozicionim e përballjen publike, ajo vuri me shpatulla në mur manipulimin politik-institucional, dje për “lehtësim”, sot për “harrim”. Në mënyrë më të veçantë ajo evidentoi gënjeshtrat e njëpasnjëshme të nivelit qeveritar dhe, mbi të gjitha, të një individi, i cili edhe pse pretendonte padijen apo mohonte gjithçka (që në ditën e parë e në vazhdimësi), nuk mund të mos kishte njohje deri në detaje për Gërdecin dhe punën që kryhej atje! Në fakt, nga cilësia e punës së bërë apo nga shkalla e lartë e hetimit, ky qëndrim profesional-civil ishte një hap i madh përpara i medias, një përgjegjësi e plotë qytetare, një çlirim i fuqishëm i saj. Dhe si i tillë ai nuk mund të mos konsiderohet dhe si një fitore e madhe në zhvillimet tona demokratike. Sidomos, kur demokracia shqiptare po ndjen përsëri sot trysni shumëplanëshe dhe po merr goditje të llojllojshme antidemokratike, si p.sh., në rastin flagrant të burgosjes së disa qytetarëve - përfaqësues të Aleancës Qytetare për gjirin e Vlorës...
Në ndryshim nga media që funksionoi pa “spam”-in më të vogël në paraqitjen dhe analizën e krimit të Gërdecit, propaganda qeveritare dhe ajo satelite, daljet e bezdisshme të disa protagonistëve fajtorë të saj apo të mbrojtësve të pafuqishëm, ishin të mbushur me “spam”-e politike, të përsëritshme deri në mërzi, gati orë për orë, ditë për ditë. Madje, duke mos pasur ç’të thoshin e të komentonin, i drejtoheshin vetëm pritshmërisë penale, kur që në fillim kërkohej “pagesa” e drejtpërdrejtë politike-morale. Apo, duke harruar, se vetëm pak muaj më parë, ata, në shumicë, sipas komandës së liderit, shfaqeshin në “detyrën” e prokurorit, bile dhe të gjykatësit me vendim të parevokueshëm! Por ka shumë të ngjarë, që, kësaj radhe, të jetë vetëm një mund i shkuar kot!
Kjo, edhe pse aktualisht me daljet e shumta publike, me festa “historike” e suksese të “paimagjinueshme”, po vazhdon e njëjta teknologji “spam”-esh politike e qeveritare. Por faktet e ndryshme, krahas Gërdecit, sidomos ato ekonomike, janë gati-gati demaskuese. Mbi të gjitha, është xhepi i qytetarëve që flet më tepër se kurrë, për të kundërtën. Bile, prej muajsh, po manifestohet qartë një dështim i plotë në pretendimin për reforma nxitëse në sferën ekonomike. Rritja galoponte e çmimeve dhe niveli i lartë i inflacionit, deficiti tregtar në rritje, praktikisht i pambulueshëm, deficiti buxhetor i çuar në shifra të papranueshme etj., flasin për një situatë të kundërt, që po bëhet dita-ditës realisht shqetësuese. Bile, atmosfera e një krize të rrezikshme po i kthen në “spam”-e publike edhe daljet e sinqerta e analizat teknike. Ky është dhe bumerangu i paralajmëruar i politikës aktuale, sidomos asaj qeverisëse, që veç teknologjisë së pushtimit apo akumulimit jodemokratik e jokushtetues të pushteteve, deri institucioneve të pavarura, nuk duket se është në gjendje të bëjë gjë tjetër. Ajo po bëhet kështu më shumë se një “spam” i padëshirueshëm për ndërtimin e konsolidimin demokratik-institucional, për zhvillimin ekonomiko-social, për shumicën e qytetarëve...    
Origjina e termit “spam”
Kuptimi i këtij termi lidhet, në fakt, me njëfarë abuzimi në rrjetë. Por si u arrit në këtë term? Një nga interpretimet më të pranuara lidhet me një shfaqje të grupit të famshëm të komedianëve britanikë Monty Python. Aty bëhet fjalë për një tip restoranti (apo dyqani) ku ushqimi kryesor, që servirej ishte mish derri i konservuar. Kur porositej ai dëgjohej veçse kjo fjalë në anglisht (spam), ndërkohë që grupi i Vikingësve, në një qoshe, paralelizonte me këngën: “Spam spam spam spam, spam spam spam spam, lovely spam! Wonderful spam!”. Kjo vazhdonte deri sa t’u ulërihej atyre që të pushonin, sepse, në fakt, kjo këngë ishte një përsëritje fjalësh pa vlerë, po ashtu si shumë e-maile  apo mesazhe elektronike të tipit “junk”, me lajmërime apo marketime të pakërkuara, deri “mbytëse”. Pra, ky term në njëfarë kuptimi ka të bëjë me diçka që përsëritet e përsëritet deri sa ta sjellë në majë të hundës. (Ka dhe një grup tjetër që e lidh origjinën e këtij termi me një laborator kompjuterik në universitetin e Karolinës Jugore për arsye të “karakteristikave” të ngjashme midis këtij ushqimi dhe atij elektronik).
Sidoqoftë, nisur që në vitin 1978, ritheksuar si një postë abuzive masive, në vitin 1994, me një tip lotarie, dhe vazhduar më tej nga grupe të ndryshme nëpërmjet flukseve të shumëfishta të njëjtit mesazh, termi “spam” u bë popullor sidomos aty nga viti 1996, edhe pse ai individualisht ishte shfrytëzuar shumë kohë më parë historisë së famshme me lotarinë e “green card”-ave. Sot “spam”-et reale dominuese janë një lloj marketingu i përsëritshëm, deri i mërzitshëm, për mallra, prodhime e shërbime të ndryshme. Ndërsa gjatë fushatave elektorale ato kanë dhe përmbajtje politike...
Por nuk është e bezdisshme vetëm marrja e kohës për të lexuar mesazhe elektronike të padëshiruara apo bllokues. Në përgjithësi, “spam”-et, përveç ndonjë infektimi “toksik” në sajë të mbartjes së viruseve të ndryshme, marrin apo “hanë” një pjesë të hapësirës në bandën e network-ut konkret, prandaj dhe shumë përdorues individualë apo grupime përpiqen t’i shmangin ose minimizojnë “spam”-et, edhe pse është e vështirë, në këtë lloj përdorimi publik, që të bëhet aq shumë për parandalimin e tyre apo të mesazheve të tipit “junk” (që sipas llogaritjeve të përafërta rezultojnë të dobishme për përdoruesit e tyre jo më shumë se 1%). Pa harruar që mesazhet e tipit “spam” kapin sot shifra të rendit 70-90 miliardë! Prandaj, bazuar në këtë bezdi që u krijohet përdoruesve (ashtu si dhe dëgjuesve të “spam”-eve politike), shumë shpesh, në formë shakaje shfrytëzohet dhe interpretimi i termit “spam” sipas dy akronimeve pasuese: Shit Posing As Mail (m... i pozuar si mesazh) dhe Stupid Boring Annoying Messages (mesazh idiotik, i lodhshëm dhe i bezdisshëm)...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›