E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët: Politika të zgjidhë Gërdecin

• “Ata që shajnë drejtësinë për korrupsion, tashmë që ndodhi Gërdeci, pohojnë se drejtësia duhet ta zgjidhë këtë çështje”.

Fatos Mahmutaj

 Artur Kalaja, kreu i Unionit të Gjyqtarëve Shqiptarë pohoi dje gjatë një takimi të kësaj shoqate se, janë politikanët ata që sulmojnë sistemin gjyqësor, ndërsa kur pak ditë më parë ndodhi tragjedia e Gërdecit pohohet se, gjithçka i është lënë në dorë drejtësisë për t’u zbardhur. Ndërsa gjyqtarët e tjerë të pranishëm sqaruan se, edhe mediat dhe opinioni publik “fajëson” klasën politike si shkaktare të tragjedisë më të madhe që ka kaluar Shqipëria vitet e fundit. Ndërkohë tema e takimit të djeshëm ishin reformat në drejtësi, suksesi i të cilave, sipas kryegjyqtarit të Durrësit Ervin Metalla, ka lidhje me veprimtarinë e përditshme të gjyqtarëve në mënyrë, të tillë që, togat e zeza kanë interes të ligjshëm që të jenë pjesë aktive e reformave, në perspektivën e së cilave shfaqen edhe standardet për një drejtësi të pavarur. Sipas tij, janë tre aspektet kryesore të diskutimit: sa i pranishëm ka qenë mendimi i gjyqtarëve në këtë moment të reformave në drejtësi, cila ka qenë ndjeshmëria e institucioneve ndaj këtij mendimi të specializuar dhe sa ka vlejtur dhe në ç’masë ka shërbyer përvoja e ofruar nga asistenca ligjore ndërkombëtare, qoftë edhe duke ftuar në vendimmarrje konsultën e gjyqtarëve të specializuar jashtë, në vizita të ndryshme studimore, të cilat janë një investim i faktorit ndërkombëtar në drejtim të ndihmës për Shqipërinë. Gjyqtari i kryeqytetit Gerd Hoxha duke pohuar se, gjyqtarët nuk duhet të kufizohen nga e drejta për mësimdhënie, ndërsa sipas tij, një rol të madh në këtë drejtim mund të luajë ngritja e një sistemi kontrolli të dijeve të gjyqtarëve dhe ngritjes së etikës së tyre. Hoxha tha se, sistemi i ri, i vlerësimit të gjyqtarëve duhet të specifikojë të detajuar llojin e shkeljeve të kryera nga gjyqtari gjatë kohës së ushtrimit të funksionit apo jashtë orarit të punës. Gjithashtu, duhet të tregohet kujdes për të mos i mohuar gjyqtarit të kundërshtojë në mënyrë efektive këtë vlerësim. Sistemi aktual parashikon që, masa e dhënë nga KLD-ja ndaj një gjyqtari Fakti apo Apeli, mund të ankimohet në Apel. Por kjo bie ndesh me faktin se togat e zeza të dy shkallëve të para kanë “punëdhënës” KLD-në, çka përbën konflikt interesi. Derisa çështja të shkojë në Gjykatën e Lartë bën që gjyqtari i ndëshkuar të vuajë në mënyrë të pajustifikuar, për një kohë të gjatë pasojat që sjell masë disiplinore. “Për pasojë, kjo pjesë e ligjit të ri për gjyqësorin mund të goditet në Gjykatën Kushtetuese”, tha Hoxha, i cili propozoi se zgjidhja e këtij problemi mund të jetë ose, gjykimi në kolegjin civil të Gjykatës së Lartë ose, dhënia e masës disiplinore nga një komision prej tre anëtarësh të KLD-së, të cilët nuk mund të marrin pjesë në shqyrtimin e çështjes. Sipas tij, vetë KLD-ja do të shërbejë si “gjykatë” për gjykimin e masës së dhënë nga komisioni. Hoxha preku edhe çështjen e ngritjes sa më shpejt të Gjykatës Administrative dhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile për t’i dhënë mundësi gjykimit të shpejtë të konflikteve mes subjekteve shtetërorë dhe atyre privatë, si dhe duke minimizuar pasojat ekonomike, që rëndojnë mbi këto subjekte nga veprimet e administratës shtetërore.

Reforma në drejtësi
Kreu i Unionit të Gjyqtarëve Shqiptarë, Artur Kalaja, tha dje se reforma në drejtësi s’mund të kuptohet pa pjesëmarrjen e gjyqtarëve. Kalaja pohoi faktin se, ekziston korrupsioni në sistemin gjyqësor, por jo në ato përmasa që deklarohet. Më parë edhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i bëri thirrje klasës politike që të merret mendimi i togave të zeza për reformën në drejtësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›