E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMSH: Jemi kundër marrëveshjes së Komunitetit Mysliman me qeverinë

• TIRANE – Forumi Mysliman Shqiptar refuzon marrëveshjen paraprake që ka hartuar Komuniteti Mysliman me qeverinë.

 Në një deklaratë të publikuar dje FMSH-ja pohon se, pas konsultimit të gjerë me teologë dhe juristë, shpreh shqetësimin lidhur me këtë marrëveshje, të diskutuar së fundmi në mbledhjen e qeverisë. Marrëveshja, e cila në fakt është një draft, parashikon rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta midis KMSH-së dhe shtetit shqiptar. FMSH-ja pohon se, e sheh të domosdoshme që miratimi i kësaj marrëveshjeje të shtyhet dhe ajo të miratohet vetëm pas një konsensusi më të gjerë midis forumeve të KMSH-së, teologëve, si dhe një rrethi më të gjerë besimtarësh. Në të kundërt, sipas tyre marrëveshja do të ishte në dëm të përmirësimit të marrëdhënieve të komunitetit të besimtarëve myslimanë në Shqipëri, si dhe në dëm të qëllimeve për të cilat lidhet kjo marrëveshje. Gjithashtu, miratimi në këtë mënyrë që është hartuar do të bënte që pjesa dërrmuese e myslimanëve në Shqipëri të ndjeheshin të përjashtuar prej saj, si dhe të ndjeheshin të papërfaqësuar nga KMSH. “Marrëveshja nuk ka qenë madje aspak objekt diskutimi as në forumet përkatëse të KMSH-së, por ajo është hartuar krejtësisht në heshtje nga drejtues të lartë të tij, pa marrë asnjë miratim prej këtyre organeve. Kjo gjë cenon në mënyrë direkte legjitimitetin e kësaj marrëveshjeje, për sa kohë që palët e interesuara dhe të prekura prej saj nuk janë përfshirë në të dhe nuk është kërkuar asnjë mendim apo miratim prej tyre”, pohon FMSH-ja, duke shtuar se nuk duhet të ketë marrëveshje, kur palët e përfshira në të nuk janë në dijeni, si dhe nuk janë pjesëmarrës në hartimin apo miratimin e saj. Më tej FMSH-ja sqaron se, teksti i marrëveshjes në shumë pika është i paqartë dhe evaziv, duke krijuar mundësinë e keqinterpretimeve, si dhe abuzimeve. Në këtë mënyrë ajo nuk krijon kushtet për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet komunitetit të gjerë të myslimanëve dhe shtetit. Sipas FMSH-së, marrëveshja krijon mundësinë e tejkalimit të kompetencave të shtetit, duke krijuar precedentë të ndërhyrjes së shtetit në çështjet e fesë. Kjo gjë është në kundërshtim edhe me karakterin laik të shtetit shqiptar, në të cilin ai është i ndarë nga feja dhe të dyja palët nuk ndërhyjnë në çështjet e brendshme të njëri-tjetrit. “Kjo marrëveshje cenon frymën gjithëpërfshirëse brenda KMSH-së, duke i dhënë mbështetje dhe pushtet absolut vetëm drejtuesve të lartë të këtij institucioni”, thuhet në fund të deklaratës.  fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›