Rama: Fitorja jonë, për të mundur varfërinë
"Është koha për ta bërë politikën gjithnjë e më shumë një instrument në duart e qytetarëve". Me këtë propozim u është drejtuar kreu i socialistëve, Edi Rama, mbështetësve dhe simpatizantëve në qytetin e Korçës. Sipas tij, ka ardhur momenti për t‘i dhënë politikës një përmasë qytetare përmes pjesëmarrjes qytetare. "PS duhet të bëhet katalizatori i këtij transformimi të politikës, duke krijuar të gjitha mundësitë për cilindo që dëshiron", tha Rama. PS nuk është qëllimi ynë, shtoi ai, është një instrument që ne disponojmë për të realizuar një qëllim të përbashkët. "Tek i cili shohim identifikimin e atyre qëllimeve tona që veç e veç, e bëjnë jetën tonë një jetë që vlen të jetohet", nënvizoi kreu i PS-së. Ndërsa shprehu besimin se është koha që çdonjërit prej nesh, çdo shqiptari dhe shqiptareje pas një periudhe të stërzgjatur tranzicioni dhe pas dështimesh e zhgënjimesh të njëpasnjëshme. "E për këtë unë vazhdoj ta përsëris me këmbëngulje që ne duhet të shkojmë përtej kufijve që ka vendosur politika e politikanëve dhe duhet të ndërtojmë një hapësirë, ku politika e qytetarëve të jetë aktive në vazhdimësi pa pasur nevojë që qytetarët të bëhen politikanë", vlerësoi ai. Duke e konsideruar si të domosdoshme që politikanët të jenë qytetarë dhe të ndiejnë peshën e të qenit qytetar. "Ashtu si dhe detyrimet që burojnë nga të qenit qytetar përpara sesa obligimet dhe llogaritë e vogla të një karriere që shpeshherë kthehet në një arsye për të dëmtuar interesa shumë më të mëdha", insistoi Rama. Socialistët mendojnë se fitorja e zgjedhjeve nuk duhet për të mundur kundërshtarin politik, por për të mundur varfërinë. "Për të mundur papunësinë, për të mundur korrupsionin, për të mundur injorancën, për të mundur dhunën, për të mundur këta armiq të shoqërisë, për të mundur këta armiq të familjeve shqiptare", konstatoi Rama.