E Diel, 1 Nëntor 2026

"Berisha të shkarkojë Bollanon, shkeli Kushtetutën"

Republikani Sabri Godo ngre sërish zërin kundër kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Godo kërkon në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Kryeministri Sali Berisha që të shkarkojë Bollanon nga kryetar të Bashkie të Himarës. "Është mbushur kupa, e tani Kryeministri Berisha duhet që domosdo ta pushojë këtë kryetar bashkie që shkel ligjet e shtetit të cilit duhet t‘i shërbejë", tha Godo lidhur me incidentet e fundit të ndodhura në Himarë. Sipas tij, është në dinjitetin dhe seriozitetin e shtetit tonë që të thotë se ne nuk lejojmë askënd të bëjë atentat të çdolloj ndaj territorit të republikës. "Atje herë pas here shkon ndonjë deputet grek, shkon ndonjë zv/ministër si të jenë në shtëpinë e tyre, flasin e mbledhin njerëz dhe këta në mënyrë të tërthortë bëjnë një nxitje të këtyre ekstremistëve në politikë", tha ai. Republikani Godo ka theksuar se "shteti shqiptar nuk duhet që t‘i lejojë gjëra të tilla, sepse në të kundërt ai krijon precedentë dhe u hap oreksin qarqeve të caktuara që të shpallin Korçën, Gjirokastrën e Voskopojën territore greke". Të gjithë këto, sipas Godos, janë gjëra që nuk shkojnë në dobi të marrëdhënieve tona të mira me Greqinë, që me të drejtë i çmojmë si të një rëndësie të dorës së parë. "Prandaj them se është koha që të bëjë përpara Ministria e Jashtme, qeveria shqiptare dhe më duket se është mbushur kupa e tani Kryeministri Berisha duhet që domosdo ta pushojë këtë kryetar bashkie që shkel ligjet e shtetit të cilit duhet t‘i shërbejë", theksoi ai. Politikani dhe studiuesi, Sabri Godo, deklaroi se Kryeministri Berisha duhet të largojë urgjentisht nga detyra kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Sipas Godos, banorët e Himarës duhet të shkojnë në zgjedhje të reja, pasi nuk e meritojnë një kryebashkiak që ka rënë pre e qarqeve të errëta greke. "Nuk ka vend në administratë për të. Nëse nuk e bën këtë, Berisha tregon se nuk sillet në mënyrë dhe aq të përgjegjshme", tha ai. "Hapi i parë që duhet të bëjë është që ta pushojë Bollanon dhe të bëhen zgjedhje në Himarë dhe populli i Himarës të zgjedhë jashtë komplikacioneve politike njeriun që u duhet për të drejtuar", tha Godo.

Hetimet

Prokuroria: Nën akuzë,

pesë banorë të Himarës

Prokurori Skënder Dauti, i cili po heton ngjarjet e kësaj jave në Himarë, thotë se Prokuroria do të veprojë me maturi, në mënyrë që të mos krijohen keqkuptime si nga ana e banorëve ashtu dhe nga ana e policisë. "Ne do të marrim nga të dyja palët dëshmi dhe raporte mjekoligjore dhe pasi të kemi dokumentuar gjithçka, do t‘i drejtohemi gjykatës", tha prokurori Dauti. Ndërkohë, ai njofton se më 11 prill ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve: Robert Bollano, 46 vjeç, Eugen Gjyzari, 34 vjeç, Ardian Zoto, 37 vjeç, Pano Koka, 45 vjeç dhe Dano Prifti, 38 vjeç. Këta pesë shtetas do të ndiqen penalisht për veprat penale të kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë, goditje dhe fyerje për shkak të detyrës, sepse më 10 prill, në orën 17:30, në qytetin e Himarës në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë qëlluar me grushte, shqelma dhe kanë fyer dy efektivë të Postës së Policisë në Himarë. Ndërkohë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Shtetit ka nisur hetimet për dy policët e akuzuar për ushtrim dhune.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›