E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolta para rajonit, hetohen 5 vetë

• Revolta para rajonit të policisë së Himarës çon për ndjekje penale 5 banorë të qytezës.

HIMARE/ QEMAL BIRAKU

Ata po ndiqen në gjendje të lirë me akuzat e pjesëmarrjes në protesta të paligjshme, kundërshtim me dhunë të forcave të policisë dhe goditje për shkak të detyrës. Burime zyrtare të Prokurorisë së Vlorës pohuan dje se nga hetimi i kryer për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes, këta persona janë protagonistët kryesorë. Njëri prej tyre, Robert Bollano, 46 vjeç, është kushëri i kryebashkiakut Vasil Bollano, ndërsa të tjerë janë: Eugen Gjyzari, 34 vjeç; Ardian Zoto, 37 vjeç; Pano Koka, 45 vjeç dhe Dano Prifti, 38 vjeç, pa precedentë të mëparshëm për policinë. Në dosjen ndaj 5 banorëve janë dhe dy personat e shoqëruar disa orë për kundërshtim të policisë, Manol Zoto dhe Erjon Rrapi, çka u bë dhe shkak për protestën e dhunshme ndaj forcave të policisë së Himarës. Për këtë ngjarje nisën hetimet nga një grup i Policisë dhe Prokurorisë së Vlorës, pasi të dy palët, si banorët dhe efektivët blu akuzonin njëra-tjetrën për dhunë. Pas verifikimit të padisë së bërë nga policia, rezulton se dy punonjës të saj janë “kundërshtuar me dhunë, goditur me shqelma e grushte dhe fyer për shkak të detyrës nga 5 personat e mësipërm, të cilët i kanë kryer veprimet në bashkëpunim mes tyre, rreth orës 17:30 të datës 10 prill, kur para rajonit të policisë ushtrohej protesta e paligjshme”. Prokurori i çështjes, Skënder Dauti, si dhe grupi hetimor, ka deklaruar se pasi kanë marrë në pyetje dy personat që krijuan konfliktin me punonjësit e policisë, kanë sqaruar çfarë ka ndodhur në ambientet e rajonit dhe pas lirimit të tyre. Përballë tyre janë vënë dhe dy punonjësit e policisë, të pezulluar nga detyra pas akuzës për keqtrajtim të Rrapit dhe Zotos. “Pasi është regjistruar padia nga ana e dy banorëve të Himarës, të cilët pretendojnë se janë rrahur nga policia, u kemi kërkuar të na sjellin fotografitë që tregojnë se janë rrahur dhe raportin mjeko-ligjor. Gjithashtu dhe nga punonjësit e policisë kemi kërkuar dokumentacionin e plotë, pas regjistrimit të padisë së tyre ndaj 5 banorëve të Himarës për dhunë dhe kundërshtim gjatë kryerjes së detyrës”, pohon prokurori i Vlorës. Hetimet po vazhdojnë dhe pritet që të sqarohet pozicioni i secilit prej të paditurve për ngjarjen e ndodhur të së enjtes mbrëma në qytezën bregdetare të Himarës. Ditën e djeshme, situata në këtë zonë ka qenë e qetë, ndërsa pritet që veprimi i ardhshëm të jetë ndryshimi i të gjithë stafit të policisë, ndaj të cilit banorët kanë shprehur disa herë ankesa.

Godo: Bollano e mbushi kupën, Berisha ta shkarkojë

TIRANË – Shkarkim të menjëhershëm të kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano, kërkoi dje politikani dhe historiani i njohur, Sabri Godo, nga ana e kreut të qeverisë, Berisha. Ngjarjet e fundit në Himarë, ai i ka komentuar gjatë një prononcimi publik, se janë rrjedhojë e incidenteve të radhës së iniciuar nga Bollano. “Persona të tillë po cenojnë territorin e Shqipërisë. Në Himarë, herë pas here shkon ndonjë deputet apo ndonjë zëvendësministër grek, të cilët flasin dhe mbledhin njerëz si të ishte shtëpia e tyre dhe, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë bëjnë nxitje të këtyre ekstremistëve”, u shpreh Godo, përballë kërkesës për autonomi që banorët ngritën me zë të lartë para zv.ministrit të Jashtëm grek. Godo deklaroi se është koha që Ministria e Jashtme dhe qeveria shqiptare të bëjnë përpara për të ndaluar një precedent të tillë, pasi tashmë është mbushur kupa.

Kasimis: Regjistrohuni në OMONIA të jemi të bashkuar

GJIROKASTER - Zv.ministri i Jashtëm grek, Theodhoros Kasimis, u ka kërkuar minoritarëve regjistrimin e domosdoshëm në organizatën “OMONIA”. Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë që komuniteti helen në zonën e jugut të gjejë veten në lëvizjen e themeluar 17 vjet më parë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Kasimis iu drejtua bashkëkombësve të vet në fshatin Bularat të Dropullit të Sipërm, që të jenë të bashkuar në një organizatë të vetme, pavarësisht se ata aderojnë në subjekte të ndryshme politike, qoftë në PBDNJ apo dhe PS. Kasimis ka vlerësuar kontributin e OMONIA-s në periudhën 17-vjeçare, por njëkohësisht ka vënë në dukje gabimet e trashëguara, të cilat kanë sjellë përçarje në të vetmen organizëm që mbledh grekët e Shqipërisë. Në takim ka pasur dhe përplasje verbale mes deputetit të zonës minoritare, Vangjel Tavo i PS-së dhe prefektit të Gjirokastrës, Spiro Ksera, njëkohësisht kryetar lokal i OMONIA-s dhe PBDNJ-së. Deputeti Tavo ka denoncuar te diplomati grek largimet nga puna nga ana e qeverisjes së PD-së dhe PBDNJ-së të 30 minoritarëve vetëm 2 vitet e fundit. Ndërsa Ksera e ka mohuar këtë fakt, duke sjellë si shembull emërimin për herë të parë në krye të Policisë Kufitare të një prej pjesëtarëve të komunitetit minoritar.                      p.n

Zv.ministri takim me  minoritetin

SARANDE – Vizita e fundit e zv.ministrit grek, Kasimis, ka qenë Saranda, ku ka takuar drejtues dhe aktivistë të organizatës “OMONIA”. Në këtë takim janë trajtuar probleme të ristrukturimit të organizatës në përputhje me nevojat dhe kërkesat e reja të minoritetit grek në Shqipëri, që lidhen me qytetarinë, arsimimin në gjuhën greke, me përfshirjen në të të masës së grave dhe rinisë. Pas takimit në Sarandë, Kasimis ka udhëtuar drejt komunës së Livadhjasë, ku është diskutuar konkretisht për shqetësimet në fushën e arsimit, ndërsa komuna e Mesopotamit ka qenë ndalesa ku janë trajtuar me theks të veçantë probleme të qeverisjes vendore në zona minoritare. “Ato qarqe që i fryjnë ose i riprodhojnë shprehjet emocionale si pjesë të ndonjë politike, nuk i shërbejnë as Shqipërisë, as ndonjë vendi tjetër”, u shpreh Kasimis, në lidhje me deklaratat e bëra nga banorë të Himarës.   sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›