E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksioni, nis prishja e ndërtimeve pa leje në aksin Milot-Morinë



Mjetet e rënda dhe punonjësit e Inspektoratit Ndërtimor gjatë ditës së djeshme nisën aksionin për pastrimin e autostradës së kombit nga Miloti në Morinë. Inspektorati ka sqaruar se, qëllimi kryesor i punës në këtë aksion është që të pastrojë anët e autostradës nga ndërtimet pa leje që janë të madhësive të ndryshme. Mjetet pastruese dhe stafi i ndërtimorëve, në këtë fazë të parë të pastrimit të aksit të kombit do të ndërhyjnë në kalimet dhe ndërtimet e paligjshme nga Rrësheni deri në Kalimash. Më pas, në javët e ardhshme, aksioni pastrues do të vijojë deri në Morinë, si dhe do të shtrihet në të gjitha akset rrugore të vendit. Në aksin Rrëshen-Kalimash, ndërtimet janë tërësisht të jashtëligjshme, dhe prej disa ditësh personat janë informuar për shkeljet që kanë kryer, por veç ndërtimeve, në këtë segment rrugor ka dhe kalesa e hyrje të jashtëligjshme në autostradë. Gjatë ditës së djeshme, mjetet pastruese, në bazë dhe të vendimeve që janë lëshuar do të ndërhyjnë në 22 ndërtime dhe kalesa të jashtëligjshme. Ndërsa brenda pak javësh, Inspektorati Ndërtimor synon të disiplinojë dhe rikthejë standardet europiane të hyrjeve, kalesave dhe ndërtimeve në autostrada e akse rrugore kombëtare. Kalesat e paligjshme ulin dukshëm sigurinë në këtë aks rrugor, gjithashtu shkelin standardet e sigurisë në rrugë. Në fund ky institucion, deklaron se, “është i vendosur të ndërhyjë mbi të gjitha ndërtimet pa leje që shkatërron dhe krijon probleme mbi pasuritë publike apo private”. Gjatë vitit 2009, në Shqipëri kanë humbur jetën 378 persona që u përfshinë në 1 mijë e 456 aksidente rrugore. Shqipëria, prej vitesh renditet si një ndër shtetet me numrin më të madh të aksidenteve rrugore dhe viktimave për frymë.

Taksat për tregtarët e vegjël, ankohet shoqata

Shoqata e tregtarëve të vegjël ankohet për taksat e larta të vendosura si nga qeveria ashtu edhe nga pushteti lokal, si dhe për mënyrën e pagesës së taksave. “Të gjitha bashkitë për të mbyllur kusuret e tyre i drejtohen biznesit të vogël”,- thotë Niko Zherdi, kryetar i Shoqatës së Tregtarëve Bujqësorë. Sipas tij, këto kosto të tregtarëve do të bien në kurriz të konsumatorit. “Biznesi nuk i përballon të gjitha këto shpenzime ndaj do të risi çmimet, do të bien shitjet e konsumatori do të blejë më pak”,- u shpreh Zherdi. Sipas Zherdit shumë nga bizneset e vogla tregtare punësojnë disa pjesëtare nga e njëjta familje dhe falimentimi i tyre do të thotë heqja e të ardhurave për një familje të tërë.

Ambasadori gjerman inspekton punimet në Portin e Durrësit

Ambasadori gjerman Bernd Borshard ka inspektuar dje punimet në Portin Detar të Durrësit, investim i disa kompanive gjermane. Pas këtij projekti të rëndësishëm, diplomati gjerman deklaroi se pret më shumë shërbime nga porti më i madh në vend. Sipas Borshard, rritja e standardeve portuale është kusht për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike jo vetëm me rajonin por edhe vendet e Europës. Në portin e Durrësit kryhet rreth 80 për qind e tregtisë detare të vendit dhe përpunohen mbi 65 për qind e mallrave tregtare.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 25.06.2010
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.68%
12M 12-mujor 6.92%
6M 6-mujor 6.12%
3M 3-mujor 5.33%
1M 1-mujor 5.13%
1Ë njëjavor 4.65%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.61%
1Ë njëjavor 6.19%
o/n njëditor 5.74%
12M 12-mujor 8.78%
6M 6-mujor 7.84%
3M 3-mujor 7.01%

28 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›