Marshim i madh në përkujtim të masakrës çame
Komuniteti shqiptar çam ka përkujtuar dje masakrën në Çamëri në 66-vjetorin e saj. Masakra ndaj popullsisë së pafajshme çame është kryer nga trupat e rregullta ushtarake greke të udhëhequra nga Napolon Zerva. Ceremonia e përkujtimit është organizuar veçanërisht nga Partia për Drejtësi dhe Unitet, që e përfaqëson këtë komunitet tashmë dhe në Parlamentin shqiptar. Dje, në orën 18:30, shumë persona nga komuniteti çam marshuan nga Varrezat e Kllogjerit deri në Qafë-Botë. Marshimi nis pikërisht nga ky vend, nga Kllogjeri i Sarandës, ku prehen 2700 persona që vdiqën rrugës gjatë eksodit të popullsisë së pafajshme dhe të pambrojtur çame që ikte për t’i shpëtuar gjenocidit dhe dhunës greke.
Fundi i Luftës së Dytë Botërore mbahet edhe si fillimi i kalvarit të vuajtjeve të kësaj popullsie, së cilës, në vitin 1944, iu konfiskuan pronat dhe u përzunë me dhunë nga shtëpitë e tyre shekullore nga trupat e rregullta greke. Napolon Zerva ishte një nga gjeneralët grekë që bashkëpunoi me pushtuesin gjerman. Këta të fundit i lanë dorë të lirë për masakrat ndaj popullsisë çame. Sot do të jetë shoqata "Çamëria" që do të kryejë të njëjtin marshim, që pritet të nisë në orën 08:00 të paradites.
28 Qershor 2010