E Diel, 1 Nëntor 2026

Hotel “Dajti”, Partia Socialiste do të nisë hetimin ndaj Bankës së Shqipërisë

Braçe: “BSH po degradon nga një institucion i pavarur në një institucion i varur nga qeveria”

Blerja e hotel “Dajtit” nga Banka e Shqipërisë e ka detyruar Partinë Socialiste të nisë përgatitjet procedurale për hetim parlamentar të veprimtarisë së Bankës. Lajmi është bërë i ditur nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe gjatë mbledhjes së Këshillit Ekonomik Kombëtar. Banka e Shqipërisë ka blerë ish-hotel “Dajtin” për 30 milionë euro, shifër e cila mbetet në hije dyshimi. Është mësuar se për këtë veprim, guvernatori ka vepruar vetë dhe pa miratimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës, të cilit i merr mendime edhe kur kryen një tender për blerje kancelarie. Burime kanë bërë të ditur se anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së nuk u është marrë në asnjë moment asnjë mendim ose sugjerim për këtë blerje super të kushtueshme, por është vepruar direkt nga guvernatori dhe stafi i tij i ngushtë.
Braçe
“Banka e Shqipërisë, për shkak të nevojës së drejtuesit të saj për të rinovuar mandatin në mbarim dhe nevojës politike e ekonomike të qeverisë për mbijetesë, po degradon dukshëm nga një institucion kushtetues, i pavarur, përgjegjës për sistemin financiar kombëtar në një institucion nën varësi dhe i përdorur nga qeveria”, - u shpreh deputeti Braçe. Sipas tij, BSH-ja është përfshirë në operacione jotransparente e të paligjshme të kreditimit direkt e në mënyrë të tërthortë të qeverisë, me qëllim mbulimin e gropave të thella buxhetore krijuar nga keqqeverisja e korrupsioni. Përveç këtij rasti, Braçe tha se mjafton fakti se gjatë 2009-s BSH-ja u përfshi në operacione të injektimit të likuiditetit në bankat e nivelit të dytë, në vlerën e 40 miliardë lekëve, me qëllimin e justifikuar për të nxitur kreditimin, por rritja e kreditimit nuk ndodhi dhe paratë u përdorën për financimin e huamarrjes marramendëse politike elektorale të qeverisë për bonot e thesarit. “Prirja e BSH-së për të përmbushur nevojën politike e ekonomike të qeverisë për mbijetesë ka bërë që format e kreditimit, direkt apo në mënyrë të tërthortë të qeverisë, të cenojnë rëndë rolin dhe pavarësinë kushtetuese të BSH-së dhe të shndërrojnë atë në disa raste turpësisht në agjenci imobiliare”, - u shpreh Braçe.
Hetimi
Partia Socialiste do ta bazojë hetimin ndaj Bankës së Shqipërisë në disa pika, të cilat bëjnë fajtore këtë institucion. Sipas PS-së, blerja e hotel “Dajtit” nga BSH-ja u urdhërua e detyrua nga qeveria. Gjithashtu, edhe vlera e blerjes u përcaktua nga qeveria në muajin maj. Grupi socialist shprehet se BSH-ja e pranoi vendimin e qeverisë për të blerë hotel “Dajtin” me çmimin e vendosur nga qeveria në muajin qershor. Kështu, sipas PS-së, Banka e Shqipërisë hoqi dorë nga pavarësia e saj garantuar nga Kushtetuta, e rregulluar nga ligji dhe rregullatorët e funksionimit të pavarur të saj. Gjithashtu, sipas socialistëve, Banka refuzoi transparencën për autoritete të tjera jashtë qeverisë dhe publikun për këtë proces; refuzoi të publikojë vendimin, refuzoi të publikojë buxhetin e saj për vitin 2010; refuzoi të publikojë projektin për restaurimin e godinës aktuale të BSH-së, të godinës së hotel “Dajtit”; mbi të gjitha, BSH-ja refuzoi të publikojë burimin e parave për blerjen e hotel “Dajtit”.

Moisiu dhe Meidani: Transparenca, hallet duhet t’i zgjidhim vetë

Dy ish-presidentët, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, gjatë një aktiviteti në Fier kanë komentuar situatën politike në vend. Ish-presidenti Alfred Moisiu ripërsëriti qëndrimin e tij për transparencën, ndërsa tha se u takon dy liderëve të japin shembull bashkëpunimi. “Hallin tonë duhet ta zgjidhim vetë, por gjithsesi, falënderoj ndërkombëtarët për ndërmjetësimin”, - tha Moisiu. Sipas tij, zgjedhjet e 28 qershorit duhet të bëhen transparente. Ndërsa, ish-presidenti tjetër, Rexhep Meidani, tha se PS-ja arriti misionin e saj, atë për votën e lirë dhe se pjesa tjetër e misionit për socialistët mbetet pjesëmarrja në procese politike. “PS-ja e arriti misionin për votën e lirë, pasi me përpjekjet e PS-së u rrit ndjeshmëria për votën. Pjesa tjetër e misionit mbetet pjesëmarrja në Parlament e proceset politike të vendit”, - apeloi Meidani.

28 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›