E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Lëvizja Socialiste për Integrim po përgatitet për zgjedhjet lokale”



Lëvizja Socialiste për Integrim duket se i ka marrë me seriozitet përgatitjet për zgjedhjet e pushtetit vendor. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm, Luan Rama dhe dy kandidatët për kryetar të degës së LSI-së në Tiranë, Shezai Rrokaj dhe Edmond Panariti, zhvilluan dje një takim me strukturat e LSI-së në Njësinë Bashkiake Nr. 1 në kryeqytet. Takimi me strukturat drejtuese dhe anëtarësinë e LSI-së u zhvillua në kuadër të fazës së ristrukturimit dhe zgjedhjeve brenda strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas Metës, riorganizimi i partisë synon forcimin e partisë dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Zgjedhje vendore
Gjatë takimit me strukturat drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Njësinë Nr. 1, Meta është ndalur te përgatitjet për zgjedhjet e pushtetit vendor. Kreu i LSI-së theksoi se ky proces do të sjellë një ridimensionim të LSI-së jo vetëm në kryeqytet, por në gjithë vendin. “Lëvizja Socialiste për Integrim, përveç problematikës që ka të bëjë me qeverisjen e vendit, me rolin dhe kontributin që ajo ka dhënë aktualisht, por që mund të japë dhe duhet të japë akoma më shumë edhe në të ardhmen, do të ketë në qendër të vëmendjes edhe problematikën e shumtë vendore të kryeqytetit, por edhe të të gjithë komunitetit dhe komuniteteve të veçanta të Tiranës”, - u shpreh Meta.
Strukturat drejtuese
Fokusi tjetër i këtij takimi ishte dhe përgatitja për zgjedhjet brenda partisë. Meta vlerësoi profilin intelektual dhe qytetar të kandidatëve për LSI-në e Tiranës, Edmond Panariti dhe Shezai Rrokaj. “Ky do të jetë një proces i hapur, një proces që do të analizojë disa elemente së bashku dhe që do t’i shërbejë forcimit dhe konsolidimit të kësaj strukture kaq të rëndësishme për të gjithë Lëvizjen Socialiste për Integrim në vend”, - u shpreh lideri i LSI-së. Meta vlerësoi se në gjithë vendin, zgjedhjet për strukturat e LSI-së “do të zhvillohen me transparencë”, duke evidentuar nivelin e lartë të demokracisë së brendshme në parti.

Poni: “Bashkia ka shkelur standardet për skedarin e adresave”

Ministria e Brendshme ka reaguar dje pas publikimit të fazës finale të adresarit të ri të kryeqytetit nga ana e Bashkisë së Tiranës. Zëvendësministri Ferdinand Poni e cilësoi rolin e Bashkisë së Tiranës si pengesë në këtë proces të implementimit të sistemit të ri të adresave. “Ajo që Rama u përpoq të mëtonte si sukses dje është një punë që duhet të kishte përfunduar në janar 2009, pastaj në mars të 2009-s, në tetor të 2009-s e në vazhdim, por fatkeqësisht edhe sot që flasim informacioni nuk është i plotë dhe as në përputhje me standardet e vendosura nga projekti për sistemin e adresave. Më konkretisht, materialit të Bashkisë i mungojnë mbi 130 rrugë dhe mijëra ndërtesa, ndërsa Rama ka penguar qëllimisht transmetimin e këtyre të dhënave në Ministrinë e Brendshme, për t’u bërë pjesë e regjistrit kombëtar të adresave”, - u shpreh Poni. Zëvendësministri Poni e akuzoi kryebashkiakun Rama për deformim të formularit të informimit të hartuar në Ministrinë e Brendshme. “Shumica e informacioneve që kërkohen nga Bashkia, numri i celularëve, punësimi, arsimi, profesioni, vendi nga vjen, nuk janë fare kërkesa të projektit dhe cenojnë hapur konfidencialitetin”, - tha Poni. Ai i bëri thirrje Ramës të veprojë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe të mos bëhet pengesë për projektin e sistemit të adresave.

Topalli, thirrje të rinjve për të hequr dorë nga droga

Në Ditën botërore të luftës Kundër Drogës, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vizituar qendrën “Emanuel”, një ndër më të mëdhatë në vend për rehabilitimin e përdoruesve të drogës. Topalli është njohur nga afër me disa prej punëve të bëra prej të rinjve që për vite me radhë kanë qenë të varur nga droga. "Thirrja ime në mënyrë të veçantë është për të rinjtë. Larg drogës, larg përdorimit të saj! Ne duhet të kemi një shoqëri të çliruar nga droga. Ne duhet të luftojmë drogën dhe për këtë duhet bashkëpunim i madh i të gjithë komponentëve të shoqërisë", - tha Topalli, duke shtuar: “E gjithë shoqëria jonë duhet ta shohë si diçka të cilën duhet ta parandalojmë, të cilën kur u ndodh duhet ta marrim, ta trajtojmë me kurajë për t’u çliruar nga droga të ndryshme dhe për t’u integruar me dinjitet, me respektin e të gjithëve në shoqërinë dhe në jetën e përditshme. Natyrisht, unë e kuptoj si nënë sa e vështirë është për fëmijën, për prindin. Por edhe si politikane e kuptoj se sa e rëndë është për shoqërinë kur ne ndodhemi në raste të tilla, kur nuk ka dhe gjë më të bukur, ashtu siç pamë edhe këtu disa kryevepra të jashtëzakonshme të këtyre të rinjve që janë në këtë qendër rehabilituese”. Kryetarja e Kuvendit, përveçse ka dhënë një mesazh të qartë për të rinjtë, e ka shfrytëzuar vizitën e saj edhe për të lançuar një iniciativë të qeverisë për ngritjen e një qendre shtetërore, e cila do të trajtojë përdoruesit e drogës dhe viktimat e trafikut.

28 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›