E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Shqipëria rrezikohet nga pastrimi i parave nga mafia e huaj”



Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka zbardhur përfundimet e hetimit të Shërbimit Informativ të Shtetit, sipas të cilit, mafia e huaj po pastron para në ndërtimin e pallateve, në kazino, në operacione të ndërlikuara bankare dhe në tregtimin e mallrave të ndryshme. "Organizata mafioze kalabreze mbiveprojnë mbi shtetas shqiptarë nga një prej qarqeve më të rëndësishme dhe më të pasura të Shqipërisë. Grupet kriminale napolitane po shprehin dëshirën të investojnë në Shqipëri në drejtim të ngritjes apo blerjes së kazinove. Informacione të shumta të mbërritura dëshmojnë se Shqipëria është tashmë në fokusin e investimeve të dyshimta ruse. Konfirmohet interesimi për blerjen e tokave në bregdet dhe zonave të ndryshme turistike gjithashtu. Disponohen të dhëna se elementë të krimit të organizuar izraelit po synojnë tregun shqiptar të lojërave të fatit dhe investime në fushën e energjetikës", - deklaroi Braçe, duke iu referuar SHISH-it.
Duke iu referuar numrit 1 të SHISH-it, Braçe tha se aktiviteti i narkotrafikantëve shqiptarë shkon deri në Amerikën Latine. "Disa narkotrafikantë shqiptarë, rezidentë në vendet e Amerikës Latine, po tentojnë të përfshihen në fusha investimesh të rëndësishme në Shqipëri", - vijoi Braçe. Përsa i përket hetimit nga SHISH-i është bërë një raportim në Komisionin e Sigurisë nga Bahri Shaqiri pa praninë e mediave ditën e mërkurë, por deklaratat e tij duket se dëshmojnë për nivelin e lartë të krimit shqiptar, fakt ky i pasqyruar në shumë raporte të organizmave ndërkombëtarë.

28 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›