E Diel, 1 Nëntor 2026

"Corriere della Sera": “Shqipëria një destinacion interesat për turistët në Mesdhe”



Gazeta italiane "Corriere della Sera", në seksionin on-line të saj flet për Shqipërinë dhe mrekullitë e natyrës që vendi ynë ofron për turistët e huaj. Në një shkrim publikuar dje nga gazetarja Marisa Fumagalli, thuhet se në Shqipëri mund të kalojë pushime ai turist që ka shpirtin e udhëtarit, që është kurioz, i gatshëm për gjëra të reja dhe që nuk kërkon perfeksionin. "Shkoni dhe zbuloni një tokë që fsheh bukuri të rralla, det transparent, plazhe të pandotura, pyje, lumenj, male dhe vende arkeologjike. Sigurisht që ambienti urban po rritet në mënyrë të parregullt me ndërtime të egra, që është limiti i zhvillimeve të demokracive të reja dhe të dobëta. Megjithatë duhet theksuar diçka që nuk është me më pak rëndësi: Shqipëria sot është një vend i sigurt. Shqiptarët janë kryesisht mikpritës dhe gati për dialog. Shumë prej tyre kanë mësuar italishten duke parë televizor, ndërsa të rinjtë mësojnë vullnetarisht gjuhët e huaja, kryesisht atë angleze",- shkruan Fumagalli në artikullin e saj kushtuar vendit të “Shqiponjave”. Sipas saj për të vizituar rivierën shqiptare, një turist italian është mirë të niset nga Vlora, (qytet të cilin e kujton si portin e skafistëve), qe e krahason me Riminin. "Riviera është e mrekullueshme dhe në të mund të shijohen plazhe të pastra, gjire të shumta me rërë të imët apo gurë e shkëmbinj",- thuhet më tej në shkrim. Po ashtu, gazetarja këshillon që disa ditë pushime mund të kalohen edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, e cila brenda pak vitesh ka ndryshuar pamje.

Aventura
“Shqipëria nuk është një vend për persona me fizik të dobët. Të shkosh në Shqipëri për të kaluar pushimet verore do të thotë të kesh shpirtin e aventurierit, që do të thotë kureshtar, i gatshëm, por jo profesionist”. Kështu shkruante “Corriere della Sera” në artikullin kushtuar bregdetit shqiptar. “Shkoni të zbuloni një tokë që fsheh bukuri të rralla, detin transparent, plazhe të virgjëra, pyje, lumenj, male dhe site arkeologjike, sigurisht pa harruar edhe një transport urban, i cili shtrihet në një mënyrë të çrregullt. Ky është limiti i zhvillimit të demokracive të reja dhe të dobëta”,- shkruan faqja në internet e gazetës italiane. Një tjetër aspekt pozitiv, por shumë i rëndësishëm është se sot Shqipëria është një vend i sigurtë. “Rreziku për tu bërë pre e ndonjë grabitje të mundshme nuk është më i madh se ato që ndodhin në Itali. Shqiptarët janë më bujarë dhe të gatshëm për të dialoguar. Shumë prej tyre kanë mësuar italisht duke parë TV, ndërsa të rinjtë e mësojnë me dëshirë sëbashku me anglishten”,- thuhej më tej në artikullin e të përditshmes italiane.

Riviera
Si rrallë ndonjëherë e përditshmja kryesore italiane i ka bërë një përshkrim të imtësishëm bregdetit jugor, duke u ndalur në detaje të veçanta në Rivierën shqiptare. "Po le të kthehemi te udhëtimi buzë brigjeve. Nga Vlora duhet të marrësh Llogoranë një rrugë tashmë e gjere dhe e rregulluar që arrin deri në 1 mijë metra mbi nivelin e detit. Me të arritur majën zbret ngadalë drejt fshatrave bregdetarë. Fillimisht Dhërmiu, i cili ka edhe një manastir antik. Prej këtu përmes një rruge të ngushtë zbret në plazhin e Gjipesë, një peizazh spektakolar. Po ashtu ka edhe disa fshatra të tjerë, të cilët janë pushtuar nga ndërtime të shumta. Më pas mbërrijmë në Himarë e pak më poshtë në Porto Palermo, ku ndodhet kështjella e Ali Pashait, që sot është zonë ushtarake",- thuhet më tej në shkrim. Më tej gazetarja italiane është ndalur edhe në përshkrime të tjera për Rivierën shqiptare, duke të dhënë përshtypjen e një tregimi romantik.

Aspekti kritik
Gazetarja ka pikasur edhe vendet e qëndrimit për ushtarakët nëpër male mes bimësisë për t'u ruajtur nga armiqtë që pretendonte të kishte ish-diktatori Enver Hoxha, dhe bunkerët e shumtë në numër, trashëgimi e shëmtuar prej tij edhe në ditët e sotme. "Saranda është qyteti më jugor i Shqipërisë. Një xhungël çimentoje, fatkeqësisht. 20 kilometra larg saj ndodhet parku i mrekullueshëm i Butrintit, vend arkeologjik që mbrohet nga UNESCO. Rruga për në këtë qytet antik po rregullohet dhe udhëtimi për aty bëhet pak i bezdisshëm.
Sajti italian thekson se për tu vizituar ia vlen të shkohet edhe në Gjirokastër, qyteti i gurtë, një prej shembujve të arkitekturës shqiptare. “Megjithatë do ju këshilloja që të vizitoni edhe Gjirokastrën, qytetin e gurtë, një prej shembujve më domethënës të arkitekturës shqiptare",- shkruan Fumagalli, në këtë prezantim të sajin të realitetit shqiptar. Bukuritë natyrore të Shqipërisë janë të padiskutueshme dhe vendet që tregojnë për të traditat, kulturën, origjinën tonë mbeten tepër të rëndësishme.

Italia lehtëson me një tjetër procedurë transportuesit shqiptar

Ministria e Transportit njoftoi dje se, qeveria italiane ka vendosur të shfuqizoj aktin ministerial që detyronte kamionistët shqiptarë që të mbanin të ashtuquajturin “foglio di prescrizione”, i cili nënkupton një dokument që përcakton itinerarin e udhëtimit në territorin italian. Ky dokument përjashtonte mundësinë e marrjes së ngarkesave jashtë vendeve të destinacionit, ku në mjaft raste ka shkaktuar kthimin bosh apo me ngarkesë jo të plotë në Shqipëri. Heqja e këtij dokumenti është e njëjtë me heqjen e barrierave jo-fizike të palës italiane në drejtim të kamionistëve shqiptar duke ia bërë udhëtimin më fleksibël. Kjo, ul në mënyrë të ndjeshme numrin e kontrolleve ndaj tyre, nga policia Italiane, dhe koston e transportit. Këto elementë përbëjnë një hap të rëndësishëm në lehtësimin e kalimeve të kufirit për kamionistët shqiptarë. Heqja e këtij dokumenti ka qenë dhe një kërkesë e Shoqatës së Transportuesve Ndërkombëtar të Mallrave, “ANALTIR”. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit, qeveria italiane bën dhe një hap tjetër në drejtim të liberalizimit të procedurave në fushën e transportit rrugor. Pala italiane vë në dijeni se, si rezultat i një mbledhjeje ndërministeriale të Ministrisë së Transporteve, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë së Doganave, mbajtur në Romë, është hequr e ashtuquajtura “foglio di prescrizione”. Ministria e Transportit shpreh kënaqësinë e saj për këtë masë të rëndësishme ndërmarrë nga qeveria italiane, që ishte një përgjigje e shpejtë e negociatave ndërmjet dy qeverive përkatësisht ndërmjet dy ministrive të transportit.

28 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›