E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni për kapjen e të kërkuarve, plagosen dy policë



SHKODËR -Dy oficerë policie janë plagosur gjatë një operacioni për arrestimin e tre personave, të cilët ishin në kërkim për trafik të lëndëve narkotike. Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes së të enjtes, në fshatin Bratosh, kur policia dhe personat kanë shkëmbyer zjarr. Sipas policisë, shtetasit Sabah Vuçaj, Besnik Vuçaj dhe Mondi Vuçaj, të armatosur, po lëviznin me automjetin e tyre në aksin Vuçaj-Bratosh. Policët u kishin ngritur pritë në këtë aks dhe në momentin e ndalimit 3 personat, të cilëve po u viheshin prangat, kanë qëlluar ndaj forcave të policisë në operacion dhe dy prej tyre janë lënduar nga të shtënat me armë. Efektivët e tjerë të policisë kanë bërë të mundur neutralizimin dhe çarmatosjen e tyre. Policët e plagosur janë dërguar në spital, ku po marrin ndihmën mjekësore, ndërsa janë jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit të makinës policia sekuestroi 7 kg e 700 gr Cannabis Sativa, në cilësinë e provës, si dhe 2 automatikë e një pushkë. Policia po punon për hetimin e destinacionit të drogës.

Tenton të vrasë ish-të dashurën, arrestohet babai i 2 fëmijëve

LEZHË - Breshëritë e automatikut kanë terrorizuar pjesëtarët e familjes së Bardhok Kolës dhe banorët e fshatit Tresh në rrethin e Lezhës. Të tmerruar ata janë zgjuar nga gjumi rreth orës 4:00 të mëngjesit të djeshëm dhe kanë sinjalizuar policinë për ndihmë. Pas mbërritjes në vendngjarje efektivat blu kanë konstatuar se xhamat e shtëpisë së familjes Kola ishin bërë copë, por fatmirësisht nuk kishte viktima në njerëz. Brenda pak minutave janë shoqëruar mbi 20 veta në lidhje me këtë ngjarje, mes të cilëve dhe një 40-vjeçar nga fshati Ishull-Lezhë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës pohojnë se Preng Gjoka është i dyshuari kryesor për ngjarjen e shënuar në fshatin Tresh. Mësohet se Gjoka prej disa vitesh kishte pasur lidhje sentimentale me vajzën e Bardhok Kolës. Para 6 muajve, vajza i ka dhënë fund lidhjes me 40-vjeçarin, pasi kishte mësuar se ai ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. I inatosur, Preng Gjoka e ka kërcënuar disa herë ish-të dashurën e tij dhe familjen e kësaj të fundit. Mëngjesin e djeshëm ai ka vendosur të hakmerret duke qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të shtëpisë së familjes Kola.

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›