E Diel, 1 Nëntor 2026

USAID: Gjyqësori në Shqipëri, shpesh i cenuar

Dje u bë publik raporti, në të renditen më shumë vërejtje, sesa vlerësime. Alibeaj: “Në një pikë jemi dakord, reforma me ritme të ngadalta, por jo për fajin tonë

Laureta Rryçi

Tiranë - Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin “një shuplakë” qeverisë shqiptare për ndërhyrje të forta politike në Gjyqësor. Shoqata e Juristëve amerikanë, me mbështetjen e Agjencisë për Zhvillimin Ndërkombëtar të SHBA-ve, USAID, publikoi dje volumin e katërt të indeksit për reformën gjyqësore. Në raport vlerësohet se janë hedhur hapa inkurajues për rishikimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Raporti thekson se ka pasur ndërhyrje politike në pavarësinë e Gjyqësorit dhe konstaton gjithashtu se ritmi i reformës për një Gjyqësor të pavarur është i ngadaltë. Perceptimet për praninë e korrupsionit mbeten mbizotëruese dhe rastet e gjyqtarëve të ndjekur penalisht janë shumë të rralla.
Deklarata
Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), që ka ndihmuar në publikimin e raportit të Shoqatës së Juristëve amerikanë mbi reformën gjyqësore në Shqipëri, u shpreh për respektimin e ligjit, si një tregues i zhvillimit afatgjatë të vendit. “Pavarësia dhe transparenca mbeten një sfidë e rëndësishme. Cilido qoftë shkaku, burimet e kufizuara, shtyrja e marrjes së vendimeve apo ndërhyrjet politike në gjykata, rezultati është që korrupsioni në sektorin e Gjyqësorit gërryen besimin e publikut te supermacia e gjykatës për të dhënë drejtësi. Në një shtet të së drejtës askush nuk është mbi ligjin, askush nuk është i paprekshëm nga ligji dhe të gjithë duhet ta respektojnë ligjin”, - u shpreh Roberta Mahonei, drejtoresha e USAID-it në Shqipëri. Raporti u bë publik në Shkollën e Magjistraturës dhe përmbledhja e rezultateve fillonte menjëherë me përfundimin se ritmi i reformës është i ngadaltë. Edhe ministri i Drejtësisë, që mbërriti me pak vonesë, është dakord me këtë përfundim. Por ai ka një shpjegim për këtë: “Jo, nuk është bërë aq sa duhet, sepse jo të tërë aktorët janë të përfshirë me sinqeritet”, - u shpreh Alibeaj.
Raporti
Studimi vë alarmin mbi ndërhyrjet e forta të qeverisë në punën e Gjyqësorit. Ka mbivendosje të strukturave të Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, thuhet më konkretisht. Gjyqtarët, nga ana tjetër, ndihen të tronditur nga kryerja e inspektimeve dhe hetimeve disiplinore dhe perceptojnë që vendi i tyre i punës nuk është i sigurt. Këto veprime, konstatojnë me shqetësim juristët amerikanë, ngjallin shqetësime te gjyqtarët se procedimi disiplinor mund të përdoret si instrument politik dhe kërcënon pavarësinë e Gjyqësorit. Studimi ka evidentuar edhe opinionet e gjyqtarëve për zgjerim të autoritetit të kancelarit si shkelje të pavarësisë së Gjyqësorit.
Raporti vë re edhe aspekte pozitive, si p.sh. miratimin një vit me parë të ligjit të rishikuar për pushtetin gjyqësor, emërimin e gjyqtarëve të rinj nga Shkolla e Magjistraturës, krijimin e dy shoqatave që kanë provuar se janë avokatë të palëkundur të gjyqtarëve dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave. Ndërsa në aspektet e tij kritike, raporti rimerr të njëjtat shqetësime të ngritura gjatë vitit të shkuar, si nga shoqatat e gjyqtarëve, edhe nga raporti i EULEX-it, në lidhje me ndërhyrjet politike, pavarësinë e Gjyqësorit, zgjerimin e rolit të kancelarit të gjykatave, ngarkesa e punës e gjyqtarëve apo transparenca.

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›