Topalli, kundër FMN-së: “Qeveria do të rrisë rrogat dhe pensionet”
Edhe kryetarja e Kuvendit ka dalë dje kundër sugjerimit të FMN-së për mosrritjen e rrogave dhe pensioneve, pasi vendi ndodhet në prag të krizës ekonomike. Pavarësisht sugjerimit të FMN-së, Topalli ka deklaruar dje nga qyteti i Peqinit se qeveria do të rrisë rrogat dhe pensionet. “I them sot nga Peqini se ne do ta rrisim ndihmën sociale për çdo qytetar që ka nevojë. Ne do të rrisim ndihmën sociale për çdo familje që ka nevojë. Unë besoj plotësisht që ky vend i ka të gjitha potencialet dhe në mandatin e ardhshëm ne do të rrisim shumë më tepër mbështetjen sociale për çdo familje në nevojë. Para pak ditësh Edi Rama tha se ju nuk guxoni të rrisni më rrogat dhe pensionet. I them nga Peqini se ne do të vazhdojmë të rrisim edhe rrogat, edhe pensionet”, - është shprehur Topalli, e cila më pas vuri theksin në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Kur ne u thamë se do të dyfishojmë buxhetin e shtetit, na thanë se kjo është një çmenduri, por ne sot, në vitin 2009, kemi dyfishuar buxhetin e shtetit nga 2.5 miliardë në 5.3 miliardë dollarë. E paimagjinueshme. Nuk ka një qeveri tjetër në botë që në një periudhë trevjeçare të ketë dyfishuar buxhetin e vendit të vet, të ketë dyfishuar rrogat e arsimtarëve. Nuk ka qeveri tjetër që të ketë arritur një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe nuk ka sot në Europë një vend tjetër si Shqipëria, që të vazhdojë të ketë një rritje ekonomike pozitive, kur vendi është i rrethuar nga kriza më e tmerrshme, më e vështirë e 100 viteve të fundit”, - është shprehur Topalli.
11 Prill 2009