Vonesat, Prokuroria mësoi pas një viti për firmën e Delijorgjit
Prokuroria e Përgjithshme duket se doli “jashtë loje” në momentin kur “Albania” raportoi e para se institucioni i akuzës kishte mundur të siguronte të dhënat për një firmë të panjohur, ku aksioner ishte dhe zoti Delijorgji. Organi i akuzës paraqiti të premten e kaluar në QKR kërkesën për sekuestron e dokumentacionit të firmës “Trans Digging Construction”. Ndonëse hetonte prej një viti aktivitetin tregtar të Delijorgjit, organi i akuzës është njohur mbi ekzistencën e kësaj firme rreth tri javë më parë. Pas sekuestros së dokumenteve, Akuza ka nisur verifikimin e aseteve, pronave dhe kontove bankare që mund të ekzistojnë për llogari të kësaj firme. Gazeta “Albania”, pasi ka mësuar emrin e firmës në fjalë, mundi të siguronte pranë Regjistrit Tregtar të dhënat bazë të saj, duke zbuluar për herë të parë ortakët shqiptarë të Delijorgjit, i cili në tri firmat e tjera të tij (“Albademil”, “Përparimi sa” dhe “Park Construction”) ose rezulton thjesht administrator, ose në ortakëri me shtetas amerikanë dhe grekë. Dokumentet zyrtare të depozituara nga ortakët e kësaj firme sqarojnë se kompania “Trans Digging Construction” u krijua në ditën e Shën Valentinit, të vitit 2006. Në momentin e themelimit ishin gjithsej pesë ortakë, të cilët dispononin në mënyrë të barabartë nga 20 për qind të aksioneve të kompanisë. Kur organi i akuzës siguroi të dhënat për ekzistencën e kësaj firme të panjohur më parë, ngjarja u shoqërua me një mbledhje urgjente në zyrën e kryeprokurores Ina Rama. Të pranishëm ishin hetuesit kryesorë të dosjes “Gërdeci”, ndërsa zonja Rama ka kritikuar ashpër grupin hetimor për zbulimin e vonë të këtij aktiviteti tregtar të Delijorgjit. Burime nga organi i akuzës i thanë “Albania”-s se hetuesit janë njohur me ekzistencën e kësaj kompanie në mënyrë rastësore, thuajse aksidentale. Gjatë mbledhjes me kryeprokuroren Ina Rama, të zhvilluar javën e kaluar, janë diskutuar edhe mundësitë e trajtimit të këtij elementi të ri, në kushtet kur dosja “Gërdeci” ka mbërritur në Gjykatën e Lartë. Mësohet se në vëmendje të prokurorëve janë pasuritë që disponon kjo kompani, por nuk do të mungojnë dhe hetimet e detajuara në lidhje me çdo aktivitet bankar apo në lidhje me cilindo kontraktor, blerës, apo dhe shitës që ka pasur marrëdhënie tregtare me këtë kompani. Deri sot ka qenë shumë e vështirë për hetuesit që ta konstatonin Delijorgjin si pronar të ndonjë firme. Ai rezultonte bashkëpronar vetëm në firmën “Albademil”, që operonte në Gërdec. Firma “Albademil” e ka pushuar aktivitetin dhe nuk ka të ardhura në llogarinë e saj bankare. Përveç kësaj firme, Delijorgji është i lidhur me kompanitë “Përparimi sa” dhe “Park Construction”, por te këto firma ai rezulton të jetë vetëm administrator dhe jo pronar i tyre. Aktivitetet që ai administronte zyrtarisht janë në pronësi të firmave të tjera, të regjistruara në Qipro dhe Afrikë, ku pronarët janë grekë, anglezë dhe amerikanë.
11 Prill 2009