E Diel, 1 Nëntor 2026

Marjeta Zaçe: “Ndëshkime nëse nuk respektohet kuota 30 për qind”



Partitë politike që nuk do të përfshijnë në listat e tyre të kandidatëve 30 për qind të grave, do të kenë sanksione. Zëvendësministrja e Punës, Marjeta Zaçe, thotë se këto ndëshkime shkojnë nga mospranimi i listave nga KQZ-ja deri tek ato financiare. Përsa u përket gjobave financiare, në ligjin për barazinë gjinore thuhet se partitë politike paguajnë një gjobë deri në një të dhjetën e fondit shtetëror për financimin e fushatës zgjedhore nëse shkelin kuotën e grave në politikë, deri në ndreqjen e shkeljes. Zëvendësministrja e Punës deklaroi se “në zgjedhjet e qershorit, ato parti që nuk vendosin një përfaqësim prej 30 për qind të zonjave dhe grave, do t’u refuzohet lista nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.
Në një aktivitet të organizuar dje me forumet politike të grave për zbatimin e ligjit për barazi në shoqëri dhe Kodin Zgjedhor, ku u diskutua veçanërisht respektimi i kuotës së përfaqësimit të grave në masën prej 30 për qind, Zaçe tha se “përsa i përket përfaqësimit, në përfundim të zgjedhjeve ndoshta kjo kuotë nuk do të realizohet plotësisht, por jemi të sigurt që pjesëmarrja e grave në politikë do të dyfishohet”.
Aktiviteti i forumit politik të grave kishte ndër të tjera si qëllim edhe trajnimin e grave të cilat janë anëtare të forcave të ndryshme politike në Shqipëri, pasi partitë politike janë subjekt i zbatimit të ligjit për barazi në shoqëri për zbatimin e kuotës prej 30 përqindësh.
“Ishte kjo arsyeja që sot diskutojmë për përmbajtjen e ligjit, për mënyrat dhe mjetet që do të përdoren në forcat politike në zbatim të tij, veçanërisht realizimin e kuotës 30% të përfaqësimit të gruas në Parlamentin shqiptar”, - tha Merita Poni, drejtuesja e projektit “Gratë në vendimmarrje”, MEDIALB. Kjo organizatë, e mbështetur nga qeveria kanadeze, po nxit gratë politikane që të bashkëpunojnë për të rritur përfaqësimin e tyre në listat e kandidatëve. Kjo do të realizohet përmes mjeteve efektive si lobimi dhe advokimi pranë strukturave drejtuese të partive politike, për të pasur një përfaqësim të grave në zbatim të Kodit dhe Ligjit. Aktualisht në Shqipëri përfaqësimi i grave në Parlament është në shifrën 7.1 për qind.
J. Tashi

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›