Metamorfoza e komunizmit shqiptar
Megjithëse Shqipëria përjetoi sistemin komunist si shtypjen pothuajse më të rëndë dhe më kriminale në krahasim me çdo vend tjetër brenda gjeografisë të përhapjes së tij, ajo po përjeton edhe dilemën më të gjatë dhe më kontroverse në procesin e shkëputjes përfundimtare nga ky sistem. Aq sa të duket që është mësuar aq shumë me të keqen, sa vetëm shkëputja ndaj saj po kërkon energji më të mëdha se vetë ndërtimi i sistemit të ri demokratik që vjen pas shembjes së një sistemi komunist. Po krijohet bindja se thyerja e lidhjeve të vjetra, e marrëdhënieve të krijuara brenda një sistemi totalitar, e miteve, ndryshimi i lëndës dhe njerëzve si pjesë e sistemit të së keqes, po kërkon shumë më tepër mund, vuajtje, sakrificë, se vetë ndërtimi i sistemit të ri. Është një gravitacion pothuajse torturues, që e mban këtë vend të lidhur me të shkuarën, që nuk e lë të shkëputet prej saj, që e sjell atë rrotull në orbitën torturuese të një tranzicioni të pështirë. Kjo vërdallisje e gjatë rreth së keqes dhe pa u shkëputur dot prej saj, është edhe sot diçka që ndodh jashtë vetëdijes, madje edhe jashtë imagjinatës, aq më shumë kur kujton sesa thellë kishte shkuar thika në kockë të njerëzve, kur kujton entuziazmin e tyre, ndërsa tërhiqnin bustet mbi pllakat e thyera të shesheve. Të pakta kanë qenë vendet që kanë përjetuar një dhimbje më të madhe në komunizëm dhe akoma më të paktë popujt që u gëzuan aq shumë, kur menduan se erdhi fundi i tij. Tani nuk jemi më as të krahasueshëm me të paktët. Tani jemi të vetëm. Në dilemë dosjesh, deklarim krimesh, në dilemën e dekomunistizimit të shoqërisë. Ta dekomunistizojmë apo jo Shqipërinë. Ta shkundim, ta hedhim tej të keqen apo ta mbartim atë me vete, kudo që të shkojmë. Të pakrahasueshëm dhe në një orbitë rreth së cilës vërdallosemi prej pothuajse dy dekadash, atje ku mund të vijmë vërdallë edhe për shumë kohë. Paradoksalisht, jo për shkak të mos hapjes së dosjeve. Jo për shkak të mosdënimit të krimeve dhe kriminelëve të së shkuarës. Jo sepse kemi mbartur dhe mbartim akoma ndërgjegjen e rënduar, të papastruar akoma nga faji i krimeve të kryera, dhe jo vetëm nga xhelatët, por edhe nga ai krim latent, përfshirës, kur shihnim tjetrin tek e internonin, tek e pushkatonim dhe nuk flisnim, heshtnim, viheshim në rresht dhe vazhdonim po në heshtje të prisnim radhën tonë. Pra, jo vetëm për shkaqe morale. Morali i pastrimit të shpirtit nga krimet e komunizmit apo edhe moslejimi i disave të marrin poste drejtuese në shoqëri, s’është gjë tjetër vetëm një gjest simbolik. Është vetëm ajo që duket, një e shtata apo një e teta, si te ajsbergu. Tjetra dhe kryesorja, pjesa materiale, ajo që vërtet nuk na lë të shkëputemi nga sistemi komunist, ajo që na mban në orbitën rreth të shkuarës, që nuk na lë të dekomunistizohemi si shoqëri, është pjesa që nuk përmendet, është pjesa që fshihet me kujdes. Është mbartja e së gjithë të keqes, jo vetëm e simboleve të saj. Të keqen siç e kemi patur, por vetëm të liruar nga pjesa e dukshme kriminale. Sistemi komunist nuk është më sot si një i tërë, siç ishte. Ai është i transformuar, por duke ruajtur në thelb marrëdhëniet e dikurshme. Sot ka ekonomi tregu, por monopolet janë të vendosura mbi konkurrencën; sot ke fjalën e lirë, por, kur e aplikon, të heqin nga puna; sot ka pluralizëm, por pushtetet, e të gjitha llojeve, janë akumuluar me kujdes gjatë viteve rreth pinjollëve të familjeve të mëdha komuniste ose po akumulohen rreth milionerëve të rinj, të paskrupullt; sot je i lirë për të konkurruar, por në kushte të pabarabarta; sot je i lirë për të konkurruar në politikë, por vetëm nëse të emëron kryetari i partisë; sot universitetet bëjnë zgjedhje, por ato janë të skllavëruara më shumë se kurrë; sot ka rritje ekonomike, por Shqipëria nuk zhvillohet për shkak të korrupsionit; sot nuk të burgos njeri, nëse shkel kufijtë, por përsëri ato nuk i shkel si njeri i lirë, por si qen, fshehtas; sot nuk të vrasin, internojnë, por ka familje dhe fëmijë që vuajnë, madje edhe vdesin nga uria, ndërsa shteti nuk e kthen as kokën. Në thelb, pra, sistemi komunist në Shqipëri ka pësuar metamorfozë, nuk është shkatërruar ose ç’është më e keqja, nuk po shkatërrohet. Si në çdo metamorfozë, thelbi i të mëparshmes mbetet edhe te ajo që krijohet e re, sado të pangjashme të jetë dukja midis të dyjave. Sistemi i sotëm ka efektivitet të ulët, d.m.th., rendiment të ulët dhe nuk nxit konkurrim, d.m.th., nuk krijon kushte të barabarta pjesëmarrjeje në të. Prandaj dështoi komunizmi në botë në raport me sistemin tjetër, sistemin kapitalist, pra në raport me tregun e lirë dhe shoqërinë pluraliste. Ekzaktësisht për këto dy arsye.
. . .
Të drejtosh ka dy mënyra. Të drejtosh duke “menaxhuar”, d.m.th., të merresh me problemet e ditës dhe t’i zgjidhësh ato sipas disa parimeve strikte teknike, ose të drejtosh me anë të “lidershipit”, d.m.th., të zgjidhësh problemet e ditës në përputhje me një plan zhvillimi afatgjatë, duke ndërtuar gradualisht një të ardhme të paramenduar. Pra, lidership është menaxhim plus, dhe si i tillë, meqë lidh të tashmen me të ardhmen, është edhe drejtim politik, jo-strikt teknik. Prandaj, kur flitet për politikë, gjithmonë thuhet që vendi ka nevojë për lidership dhe jo për menaxhim. Shqipëria nuk ka patur asnjëherë një klasë politike që të mund të drejtonte vendin në mënyrë të tillë, që problemet e të sotmes të zgjidheshin në përputhje me një plan afatgjatë. Pra, Shqipëria nuk është drejtuar kurrë nëpërmjet një lidershipi. Kjo është aq e vërtetë, saqë akoma edhe sot klasa politike nuk e kupton se në një sektor të caktuar duhet në fillim të ndërtosh planin afatgjatë të zhvillimit të tij, ta miratosh në parlament me një bazë votuese sa më të gjerë dhe pastaj të formulosh ligjet që rregullojnë anë të ndryshme të zhvillimit të këtij sektori. Baza e gjerë e votimit në parlament siguron vazhdimësinë e zhvillimit të sektorit, sepse partia në opozitë që merr të nesërmen pushtetin nuk mund ta ndryshojë këtë plan, pra eliminohet efekti “Penelopë” dhe nga ana tjetër, kur hartohet më pas planit strategjik, ligji është në përputhje apo në harmoni edhe me ligjet e tjera që parashikohen të rregullojnë marrëdhëniet në këtë sektor. Planet strategjikë, edhe nëse janë formuluar, kanë pasuar ligjet dhe nuk i kanë paraprirë atyre. Kështu ka ndodhur në arsim, shëndetësi, kështu ka ndodhur kudo. Prandaj ligjet janë ndërtuar me shpejtësi, jo në harmoni me njëri-tjetrin dhe me planin e zhvillimit strategjik. Kjo ka çuar në situatën në të cilën rutina ka zëvendësuar misionin, të ardhmen. Dhe, meqenëse ka ndodhur në çdo sektor të shoqërisë shqiptare, atëherë asnjë nuk mund të thotë në Shqipëri që synimi i qeverisjes, dhe sidomos, për shkak të natyrës së saj, synimi i qeverisjes së PD apo synimi i qeverisjes së djathtë, ka qenë shkatërrimi i sistemit të vjetër komunist dhe ndërtimi i sistemit demokratik. Zëvendësimi i misionit afatgjatë me rutinën nuk e ka lejuar këtë gjë. Në Shqipëri është menaxhuar, thjesht. Nuk është drejtuar nëpërmjet lidershipit. Prandaj edhe qeverisja ka pas motive politike afatshkurtra dhe të lidhura me interesa të momentit, partiake dhe personale, dhe jo motive politike afatgjata, që në përgjithësi nuk mund të ndërtohen mbi interesa partiake apo personale, por mbi interesa të zhvillimit të vendit. Sistemi universitar, për shembull, ekziston nëpërmjet marrëdhëniesh të njëjta që kanë ekzistuar para viteve ‘90, veçanërisht në raportet e tij me qeverinë. Pra, në këtë pikëpamje, marrëdhëniet e vjetra të sistemit komunist në këtë sistem janë ruajtur, nuk janë shkatërruar dhe nëpërmjet tyre rregullohet edhe jeta universitare sot. Po përmes këtyre marrëdhënieve ekziston edhe sistemi shëndetësor dhe e gjithë prapambetja e këtij sistemi shpjegohet me ekzistencën e marrëdhënieve të vjetra, të ruajtura nga shoqëria ish komuniste. Kështu shpjegohet gjendja edhe në shumë sektorë të tjerë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, që sigurisht nuk kanë mundur të mos kenë edhe efektin e tyre në nivelin e ulët institucional dhe demokratik të vetë politikës dhe institucioneve politike në Shqipëri. Alibia që mundohet të krijojë politika, dhe veçanërisht drejtues të PD, se zhvillimi strategjik nuk synon dekomunistizimin e vendit dhe mbi këtë bazë ndërtimin e sistemit të ri demokratik, por hyrjen në Evropë, është thjesht një tentativë për të fshehur marrëdhënien shkak-pasojë brenda procesit të zhvillimit të Shqipërisë dhe zëvendësimin e saj me një lidhje tjetër, jo të brendshme, jo esenciale, statistikore. Analiza e vërtetë e procesit të zhvillimit në Shqipëri dhe jo ajo fiktive, të çon në konkluzionin që Shqipëria duhet të kishte një lidership që do ta drejtonte vendin drejt dekomunistizimit të tij jo vetëm duke pastruar shpirtin dhe riaftësuar viktimat sa të ishte e mundur, por edhe duke shkatërruar me shpejtësi marrëdhëniet e vjetra të sistemit komunist dhe boshllëkun e krijuar ta mbushte me marrëdhëniet e reja të një sistemi demokratik, të cilat do të prodhoheshin nga reforma me synime afatgjata. Sistemi i ri demokratik vjen, sigurisht, si pasojë e reformave, por pasi është plotësuar kushti i shkatërrimit të sistemit të vjetër dhe pastrimi shpirtëror i shoqërisë. Mosplotësimi i këtij kushti, i kësaj lidhjeje shkak-pasojë, na detyron të vijmë sot vërdallë, në një orbitë të vdekur, prej së cilës nuk mund të na nxjerrë slogani i hyrjes në Evropë. Sepse akoma nuk kemi shkatërruar marrëdhëniet e vjetra, por i kemi mbartur ato. Kemi mbartur të keqen, dhe nën barrën e saj, pra pa shkatërruar sistemin e vjetër, në të njëjtën hapësirë, mundohemi të ndërtojmë sistemin e ri, çka pothuajse e bën të pamundur misionin. Prandaj edhe pastrimi shpirtëror, hapja e dosjeve, pastrimi i figurave, shpërblimi i të përndjekurve, janë thjesht të pamundura, janë thjesht të vendosura jashtë kohës dhe hapësirës. Askush nuk mund të gëzonte apo të ndjente vlerën morale të pastrimit shpirtëror të shoqërisë ndërsa ruhet materia e vjetër, e rëndë, e pakallur, e sistemit komunist në Shqipëri.
. . .
Para disa kohësh, me kërkesën e një eksperti të huaj që interesohej për të njohur sistemin e arsimimit profesional në Shqipëri, u mundova të bija në kontakt me specialistë në Ministrinë e Arsimit. Më kishte tërhequr veçanërisht eksperienca brilante e këtij eksperti nga Anglia dhe dëshira e tij e mirë për të ndërtuar një program për Shqipërinë në këtë fushë. Me gjithë përpjekjet e mija, pothuajse ishte e pamundur të rregulloja një takim sado të shkurtër me ndonjë specialist në këtë ministri. Nga ana tjetër e telefonit bënin sikur nuk kuptonin asgjë, posa dëgjonin kush isha. Telefoni mbyllej me një “më falni, nuk mundem, nuk kam kohë”, apo një gjë e tillë. E kuptova që isha njeriu i padëshiruar për të vizituar ministrinë, sepse kisha kohë që kritikoja politikën që ndiqte kjo ministri në arsimin e lartë. Sigurisht, nuk kishte një urdhër për të mos më takuar. Por ishte më zi, më keq se të kishte një të tillë. Kishte frikë, frikë se po të më takonin, do ta merrte vesh të paktën zv. ministrja, dhe pastaj kushedi se ku do të përfundonin, ç’ndëshkim do të merrnin prej saj. Rishfaqja e frikës së vjetër të ndëshkimit për shkak se mund të flisje me dikë që është kundër politikës zyrtare. Rishfaqja, në thelb, e fantazmës së vjetër, që vjen nga errësira e shoqërisë komuniste. Që nuk është vrarë, që vjen rrotull, duke tundur kokën kërcënueshëm për të treguar që jam këtu, ndërkohë që në parlament bërtasin për dekomunistizimin e Shqipërisë.