E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçahet Partia e Drejtësisë?

Nga Express më 15 gusht 2011 në ora 11:09

Disa deputetë të Partisë së Drejtësisë e kanë “kërcënuar” publikisht liderin e partisë, Ferid Agani, se mund të largohen nga koalicioni, nëse nuk e implementon planprogramin e partisë, përfshirë futjen e lëndës së edukatës fetare në shkollat publike dhe lejimin e mbulesës nëpër institucione.

Megjithëse parti e vogël, largimi i këtyre deputetëve mund ta lëkundë koalicionin qeverisës, shkruan sot gazeta Zëri.

Nënkryetari i PD-së, Amir Ahmeti, bashkë me dy deputetë të tjerë të PD-së, ka kërcënuar se do të tërhiqet nga Grupi parlamentar i Aleancës Kosova e Re, në rast se në Kuvend nuk kalon projektligji për zbatimin e lëndës së Edukatës Fetare në shkollat publike si dhe nuk ndryshon rregulloja e qeverisë për lejimin e mbulesës nëpër institucione.

“Unë e kam thënë se atë ditë që nuk kalon në Kuvend projektligji për implementimin e Edukatës Fetare në shkolla, unë do të dal nga koalicioni”, ka qenë i prerë Ahmeti.

Ai ka thënë se për këtë nuk e fajëson as PDK-në e as AKR-në, por direkt kryetarin e PD-së, Ferid Aganin. Kryetari i PD-së, sipas tij, duhet të bisedojë me partnerët e koalicionit për implementim të programit të PD-së konkretisht edukata fetare në shkolla dhe anulimin e udhëzimit administrativ i Ministrisë së Arsimit, me të cilin “diskriminohen vajzat me mbulesën islame”.

Ndërkaq, njëri nga anëtarët e kryesisë së PD-së, në kushte anonimiteti i ka thënë “Zërit” se pos Ahmetit, nga partia dhe koalicioni mund të ikin edhe Jeton Sviraca dhe Gëzim Kelmendi.

Ankesa ka edhe për mospërfshirjen e anëtarëve të PD-së në masë të kënaqshme në ekzekutivin e vendit. AKR-ja ka 11 poste ekzekutive derisa i ka 4 deputetë në Parlament, ndërsa PD-ja me 3 deputetë ka vetëm një ministër e pritet ta ketë edhe një zëvendësministër.

Një anëtar i kryesisë së PD-së, në kushte anonimiteti, i ka thënë “Zërit” se në mbledhjen e 28 korrikut të kryesisë së partisë së PD-së. “Ka pasur përplasje të mëdha...Ka pakënaqësi me mospunën në Ministrinë e Shëndetësisë dhe mospunën në implementimin e programit të PD-së. Pakënaqësi kanë shfaqur pothuajse të gjithë në kryesi, përpos ata që kryetari i ka marrë afër në punë e të cilët për shkak të frikës se mund të mbesin pa punë nuk guxojnë ta kundërshtojnë Aganin”.

Sipas këtij zyrtari, i cili ka folur në kushte anonimiteti, kryetari i PD-së e ka shfrytëzuar deri në maksimum partinë për të arritur ambiciet e tij. “Është shumë ambicioz, kojtaxhi. Për psikologun tonë paret janë në rend të parë. Por, nëse nuk kalon projektligji për implementimin e lëndës së edukatës fetare në shkolla mund të vijë deri te prishja e koalicionit, sepse të tre deputetë të PD-së do të ikin nga koalicioni dhe dy nga AKR-ja, të cilët janë të pakënaqur me politikën e AKR-së”.

Sipas burimeve të Zërit, pakënaqësi ka edhe në AKR. Kësaj partie thuhet se mund t’i ikin dy deputetë, të cilët janë të pakënaqur me emërimin e Myzejene Selmanajt, si shefe të Grupit Parlamentar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›