EULEX-i heton vrasjen e Enverit
EULEX-i ka nisur hetimet për ngjarjet e fundit në veri. Sipas gazetës Zëri, tashmë janë hapur gjashtë-shtatë raste nga Prokuroria e EULEX-it, e qarkut të Mitrovicës. Në mesin e tyre është edhe vrasja me snajper e pjesëtarit të ROSU-së, Enver Zymberi, në Zupçë, si dhe shkatërrimi i pikës kufitare, Porta 1 në afërsi të Leposaviqit.
Sipas gazetës që thirret në burime brenda policisë, ka mundësi të angazhohet edhe KFOR-i për ti intervistuar ata që dyshohet se janë dorasit e Enver Zymberit apo që i vunë flakën kufirit.
“Fillimisht po punohet në identifikimin e atyre që sulmuan kolonën e ROSU-së dhe FIT (Njësia për intervenim të shpejtë) derisa ata shkonin për të marrë nën kontroll Portën 31, apo Bërnjak ku dhe u vra Enver Zymber. Gjithashtu po punohet edhe në identifikimin e personave që i vunë flakën Portës 1, kufirit me Serbinë”, tha një zyrtar i Policisë së Kosovës. Edhe EULEX-i ka konfirmuar nisjen e hetimeve.