E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratë për shtyp e Ministrit të Financave, Ridvan Bode

Ne deklaraten e tij per shtyp, Ministri i Financave  z. Bode u shpreh: 

“Në mbledhjen e saj të fundit qeveria nxori një akt normativ lidhur me ligjin e buxhetit për vitin 2007, i cili synon rritjen e përdorimit të fondeve publike me një vlerë që shkon deri në 17 miliard lekë. Qëllimi i këtij akti normativ ka të bëjë me rritjen e përdorimit me efikasitet të fondeve publike, rialokimit të shpenzimeve të pa realizuara gjatë vitit dhe nga ana tjetër përmes këtij akti synohet që të parapërgatitet realizimi me sukses i buxhetit të vitit 2008, i cili përbën një moment tepër të rëndësishëm në angazhimet e qeverisë aktuale. Së treti përmes këtij akti normativ qeveria synoi ndërmarrjen e një sërë politikash të tjera specifike që burojnë nga angazhimet e saj në këtë fund viti.

Ky akt normativ u mundësua nga performanca e mirë fiskale që ka demonstruar administrata tatimore dhe ajo doganore dhe të gjithë kontribuuesit e buxhetit të shtetit. Në periudhën 11 mujore përsëri vijojmë përtej rritjeve që bëmë në muajin korrik, që të ardhurat tatimore dhe doganore të jenë 99 % e programit. Këto të ardhura përbëjnë burimin kryesor të financimit të buxhetit të qeverisë qendrore.

Në 11 mujorin, me përjashtim të të ardhurave nga pushteti vendor, të cilat jo vetëm që janë 1/3 më pak se programi por janë dukshëm më pak edhe nga fakti i vitit të kaluar, të gjithë zërat e tjerë janë ato që mundësuan marrjen e këtij akti normativ. Janë realizuar 14 % më shumë se fakti ose 20 miliard lekë më shumë si 11 mujor se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Në mundësimin e këtij akti sigurisht ka ndikuar edhe një ndjekje më e mirë e shpenzimeve që bëjnë dikasteret nga ana e Ministrisë së Financave, një ndjekje që mundëson identifikimin e fondeve të papërdorura në kohë dhe mundësinë për të rialokuar këto fonde.

Ministria e Financave ka rialokuar gjatë gjithë vitit të gjitha fondet e mundshme dhe që sipas ligjit të buxhetit të shtetit zënë 10 % të zërave, nga një dikaster në një dikaster tjetër, por rialokimet e fundit dalin përtej kësaj të drejte dhe këtij kapaciteti që ka qeveria për të bërë rialokime.

Do të përmendja gjithashtu se rialokimet ose ndërhyrjet në shpenzime në këtë fund viti nëpërmjet aktit normativ nuk kanë prekur vëllimin e investimeve, por janë përqendruar tërësisht në shpenzimet korrente. Pra e gjithë prekja e rialokimeve që bëhet përmes aktit normativ nuk prek vëllimin e investimeve, përkundrazi i shton ato.

- Konkretisht ne mundësuam të pakësojmë përmes aktit normativ koston e borxhit prej 3.3 miliard lekë. Një rënie e mëtejshme, pasi e pakësuam njëherë në muajin korrik dhe kostoja e borxhit të brendshëm për shkak të një administrimi më të mirë të tij, mundësohet me këtë ndërhyrje të fundit që të zbresë në 2.6 % të PBB-së duke përbërë kështu nivelin më të ulët që ka pasur ky zë në buxhetin e shtetit. 

- Rreth 1.8 miliardë lekë janë pakësuar në fondin e pagave dhe këto të ardhura kryesisht nga vendet vakante që ekzistojnë në administratën publike si dhe nga një administrim më i mirë i fondeve nga disa ministri të cilat më parë kanë qenë më dorëlëshuara në fushën e pagave.  Shpenzimet operative pakësohen po ashtu me 500 milionë lekë. Pas kësaj ndërhyrje, shpenzimet operative përbëjnë 2.4 % 5 të PBB-së duke rënë në këtë mënyrë në nivelin më të ulët. Pagat  pas kësaj ndërhyrje, do të jenë 5 % e PBB-së. Shpenzimet për subvencione  pakësohen me 1.3 miliard lekë, por që do të rialokohen përsëri për subvencione të tjera sipas programit që do t’u prezantoj më poshtë. 

Pra rreth 7 miliard lekë merren nga shpenzimet korente për t’u rialokuar. Rialokohen edhe 3.1 miliard lekë investime nga ministritë dhe përdoruesit e buxhetit të cilët nuk kanë mundur të realizojnë procedurat e prokurimeve gjatë këtij viti. Këto përbëjnë vetëm 5 % të fondit të investimeve.

Pra në total përmes katit normativ kemi identifikuar të rialokojmë 10 miliard lekë shpenzime që do të përdoren si më poshtë :

1 -  së pari në investime publike, të cilat shtohen me 5 miliard lekë, nga të cilat 3.1 nga rialokimi dhe  2 miliard nga shpenzimet operative, korente sipas tepricave që përmenda më parë. Përmes këtij ndryshimi, investimet  publike në fund të këtij viti pritet të shkojnë në 7 % të PBB-së nga të cilat 5.2 % arrihen me fonde me financim të brendshëm, nga 4 % që pritet të jetë i gjithë deficiti, do të thotë se kemi financuar me të ardhurat nga taksat dhe 1.2 % më shumë me financim të brendshëm që në total shkon rreth 2.8 % më shumë.

2 -  Për t’u theksuar është që mundësia për të rialokuar në objekte të investimeve publike nga siguron ndërhyrjen tjetër me 5 miliard lekë, për të pakësuar në këtë mënyrë ndjeshëm financimin e huaj, kreditë që ishin parashikuar për të financuar dy muajt e fundit segmentin rrugore Rrëshen – Kalimash. Pra kalojmë nga marrja e kredive në financimin me burimet tona të brendshme. Kjo do të thotë një mundësi për të mbajtur në nivel më të ulët deficitin buxhetor, sidomos të huamarrjes së huaj. Për ujësjellësit rialokohen

3 - 1.3 miliard lekë të cilat destinohen për të paguar faturat e energjisë elektrike të ndërmarrjeve të ujësjellësve sikurse dhe me 800 milionë lekë sigurimet shoqërore të papaguara nga këto ndërmarrje, të cilat vazhdojnë të performojnë jo mirë nga pikëpamja financiare, por që ndodhen në një moment kalimi të ujësjellësve nga pushteti qendror te pushteti lokal, për të zbardhur të gjithë detyrimet e tyre dhe për të pakësuar detyrimet e tyre dhe për të transferuar pa detyrime pushtetit lokal, qeveria vendosi të bëjë këtë ndërhyrje në subvencionimin e situatës jo të mirë financiare që kanë ndërmarrjet e ujësjellësve.

4 -  2.6 miliard lekë  u destinuan për të shpërblyer  pensionistët për darkën e fundvitit me nga 5 mijë lekë për çdo pensionist. Sikurse edhe destinohen edhe 1.4 miliard lekë të reja për të plotësuar bilancin e ISSH-së, pasi sikurse e dini që edhe në fillim të këtij viti ne bëmë një ndërhyrje shtesë, jashtë programit kur rritëm pensionet në qytet në janar, pas rritjes në dhjetor 2006. Në total, ISSH-së për fondin e pensioneve i shtohen rreth 4 miliard lekë me këtë ndërhyrje.

5 – Veç sa më sipër me ndërhyrjen në këtë akt normativ  ne mundësojmë që t’i transferojmë KESH-it deri në 5 % të PBB-së si kredi dhe kjo përbën atë shpenzim që ishte parashikuar për vitin 2008, por po e paguajmë në vitin 2007 që të kemi më pak detyrime gjatë vitit të ardhshëm, në mënyrë që buxheti të ecë në të gjithë kapacitetin e tij sipas programit.

6 – Deri në 0.3 % të PBB-së për fondin e shpronësimeve publike, zë që destinohet për investime.

Përmes këtij akti normativ dhe një herë do të dëshiroja të theksoja që qeveria mundëson përdorimin efikas të fondeve publike, mundëson rritjen e vëllimit të investimeve, mundëson zbutjen e problematikës dhe shqetësimeve që opozita ka shprehur në publik për nivelin e deficitit për vitin që vjen, pasi vetëm përmes kësaj ndërhyrje ne pakësojmë deficitin e vitit që vjen me rreth 100 milion dollarë, kryesisht me fonde të huaja, dhe nga ana tjetër mundëson zgjidhja dhe marrja e një sërë politikash të tjera aktive që kanë të bëjnë me mbështetjen e shtresave në nevojë, një politikë sociale e qeverisë e bërë posaçërisht në këtë fund viti dhe nga ana tjetër mundëson disa reforma strukturore që siç thashë kanë të bëjnë me decentralizimin në tërësi.

Jam i bindur që kjo masë do të mund të përdoret në mënyrë efikase nga të gjithë përdoruesit e buxhetit për të realizuar brenda periudhës në të cilën ndodhemi ato alokime që ne i kemi tashmë të gatshme në përdorim të tyre”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›