E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku i dërgon mesazh falënderimi Kryeministrit Sali Berisha

Kryeministri i Kosovës, zoti Agim Çeku i ka dërguar një mesazh Kryeministrit Sali Berisha, ku i shpreh falënderimet për mbështetjen dhe  bashkëpunimin dypalësh gjatë mandatit të zotit Çeku si Kryeministër i Kosovës.

Në këtë mesazh, zoti Çeku shkruan:

“Në prag të përfundimit të mandatit tim si Kryeministër, e ndjej për obligim që t’Ju dërgoj përshëndetjet dhe falënderimet e mia të sinqerta për mbështetjen dhe bashkëpunimin e afërt, të sinqertë dhe vëllazëror që kemi pasur  gjatë gjithë kësaj periudhe.

Mbi të gjitha, Ju falënderoj Ju dhe qeverinë që drejtoni për mbështetjen e pakursyer dhe kuptimplotë që i keni dhënë Kosovës në përmbylljen e procesit historik të pavarësimit.

Dua t’Ju falënderoj për pritjen shumë të ngrohtë që më keni rezervuar gjatë vizitave zyrtare që kam pasur në Tiranë dhe për vizitën që Ju i keni bërë Kosovës, gjatë mandatit tim.

Unë personalisht, por edhe e gjithë Kosova, i jemi mirënjohës shtetit shqiptar, qeverisë suaj dhe Ju personalisht  për pritjen e shkëlqyer  që i bëtë Presidentit të SHBA-ve, zotit Xhorxh Bush, i cili në këtë vizitë historike për të gjithë shqiptarët, e tha shumë qartë dhe shumë fuqishëm atë që e prisnim të gjithë – mbështetjen e plotë për pavarësinë e Kosovës.

Edhe pas përfundimit të mandatit tim politik si Kryeministër, unë do të vazhdoj të gjej forma dhe hapësira për të qenë aktiv në politikën kosovare dhe jam i sigurt se do të vazhdojmë kontaktet  dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, në të mirë të të dy vendeve tona.

Unë e kam për nder që ju kam Mik dhe jam i bindur se miqësinë dhe bashkëpunimin tonë do ta thellojmë edhe në të ardhmen.

Në fund, shfrytëzoj nga rasti që t’Ju uroj Festat e fundvitit, me besimin që viti 2008 do të jetë vit i suksesshëm dhe i mbarë për të gjithë shqiptarët.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›