Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e Godinës së re të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Sot pasdite, Kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e Godinës së re të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila tashmë vendoset në ish godinë e Lidhjes së Shkrimtarëve.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ministri i Arsimit dhe Shkencës Genc Pollo, anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të artit e kulturës, etj.
Kryeministri Berisha vlerësoi punën e shkëlqyer që është bërë në rikonstruksionin e ish godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve, në një kohë rekord, duke theksuar se kjo godinë i kthehet jo vetëm Ministrisë së Kulturës, por kulturës dhe arteve shqiptare në tërësi. “Konceptimi i saj si një institucion funksional dhe i hapur për artistët, piktorët, muzikantët, kineastët, është një konceptim shumë i arrirë dhe shumë bashkëkohor. Këtë ndërtesë e kemi njohur dhe e kemi vizituar shumë e shumë herë dhe sot më vjen shumë mirë që ajo ka marrë gjallëri, ka marrë një formë dinjitoze dhe të merituar”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar investimet në institucionet e kulturës, duke përmendur këtu edhe një nga investimet më të rëndësishme, atë për Bibliotekën Kombëtare. “Ne do të investojmë shumën e nevojshme për t’i dhënë kësaj Biblioteke hapësirat dhe të gjitha mundësitë, në mënyrë që ajo t’u ofrojë shkencëtarëve, studiuesve, lexuesve, shpërblimet më të mira”, theksoi Kryeministri. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e madh që japin njerëzit e artit e të kulturës, “që me krijimet e tyre zhvillojnë dhe konsolidojnë çdo ditë e më shumë identitetin perëndimor të kombit shqiptar, vlerat e mëdha shpirtërore e kombëtare të shqiptarëve”.
Kryeministri përgëzoi edhe arkitektin dhe firmën ndërtuese, që siç e cilësoi ai, “kanë punuar me përkushtim dhe dashuri dhe në 100 ditë kanë realizuar një punë shumë të madhe dhe cilësore”. .
Ceremonia e inaugurimit të godinës u shoqërua edhe nga Konkursi Kombëtar i Letërsisë për vitin 2007, ku u shpërndanë edhe çmimet e vendosura nga juria, e kryesuar nga zoti Aurel Plasari. Në shenjë nderimi, Kryeministri Berisha dorëzoi një prej çmimeve prestigjioze të këtij konkursi, çmimin “Gjergj Fishta”, i cili iu dha shkrimtarit Vedat Kokona, pas vdekjes, për librin “Komedia e Përjetshme”, botim i vitit 2007, për përcjelljen origjinale dhe mjeshtërore të një realiteti paradoksal.
Gjithashtu, në këtë ceremoni u shpërndanë edhe çmime të tjera për shkrimtarë e përkthyes më të spikatur të vitit, si çmimi “Fan Noli”. “Faik Konica”, Mitrush Kuteli”, “Lasgush Poradeci”, “Migjeni”, “Petro Marko”, “Isuf Vrioni” etj.