Kryeministri Berisha i uron të gjithë besimtarëve shqiptarë Ditën e Kurban Bajramit
Me rastin e Ditës së Kurban Bajramit, Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, vizitoi sot në mesditë selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku u prit nga kryetari i këtij Komuniteti Haxhi Selim Muça. Duke i përcjellë të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë urimet më të përzemërta, Kryeministri u shpreh se kjo Ditë i gjen shqiptarët më të zhvilluar dhe më pranë familjes europiane.
Në urimin e tij drejtuar besimtarëve shqiptarë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Uroj shumë përzemërsisht të gjithë shqiptarët për këtë ditë të nderimit të sakrificës dhe flijimit për vlerat më të mëdha hyjnore dhe njerëzore të njeriut.
I uroj të gjithë besimtarëve gëzuar Bajramin dhe shpreh kënaqësinë që kjo ditë i gjen shqiptarët më mirë se kurrë në historinë e tyre. Kjo ditë i gjen shqiptarët, me gjithë vështirësitë që ata përjetojnë, më të begatë, më të zhvilluar dhe më afër familjes europiane, së cilës i përkasin. Kjo ditë e gjen dhe Kosovën në prag të pavarësisë. Gjithashtu bashkohem me urimin e të gjithë qytetarëve, me bindjen se Bajramin tjetër do ta festojmë në kushte edhe më të mira. Gëzuar të gjithëve.”