Kryeministri Berisha: Qeveria, kujdes të vazhdueshëm për fëmijët e policëve të vrarë

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, Znj. Liri Berisha, mori pjesë në një aktivitet festiv të zhvilluar sot në Durrës me fëmijët dhe të afërmit e policëve të rënë në detyrë.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha i uroi të pranishmit për festat e fundvitit dhe më pas shpërndau dhurata për fëmijët e policëve të vrarë.
Kryeministri i siguroi ata se viti që vjen do të jetë një vit më i mirë për të gjithë të afërmit e policëve të rënë në detyrë, duke shtuar se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të lehtësuar jetën e tyre.
“Ne, me asgjë s`mund të kompensojmë humbjen, por me një mirënjohje të pakufishme dhe respekt shumë të thellë për prindërit që ju mungojnë, do të përpiqemi të lehtësojmë të gjithë jetën dhe shkollimin tuaj, si dhe të gjendemi pranë jush”, deklaroi Kryeministri.
Qeveria, vijoi më tej Kryeministri Berisha, i ka mundësitë për ta bërë këtë. E theksoj edhe njëherë, sado që të bëjmë për ju, ne nuk mund të bëjmë atë që prindi juaj ka bërë për ne, për ju, për mbarë shoqërinë shqiptare, pasi ata u flijuan për çështjen e madhe të lirive të individit, të qytetarit, të shoqërisë; çështjen e sigurisë së secilit, duke vënë misionin e tyre të madh para gjithçkaje dhe kanë rënë për të fituar pavdekësinë.
Kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë donatorëve për bujarinë që kanë dëshmuar me fondin e dhënë dhe ndaj efektivave të policisë, të cilët në shenjë respekti për kolegët e tyre kanë ndarë diçka edhe për fëmijët e kolegëve të tyre të rënë, njëlloj si për fëmijët e tyre.
Më tej, Kryeministri Berisha siguroi efektivat e Policisë së Shtetit se qeveria do të bëjë përpjekje serioze për të përmirësuar kushtet e punës dhe të jetesës së tyre, me vetëdijen më të madhe se ata janë në një mision me sakrifica të mëdha.
Duke falënderuar të gjithë biznesmenët që kanë dhënë kontributin e tyre për mundësimin e dhuratave për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, Kryeministri shprehu kënaqësinë për të ofruar kontributin e tij, duke vënë pagën e tij mujore në këtë fond.
“Dua të falënderoj të gjithë biznesmenët të cilët janë bashkuar në këtë fond për ndjeshmërinë që kanë treguar ndaj jush në shenjë mirënjohje dhe respekti ndaj atyre që me sakrificën kanë bërë bizneset e tyre të jenë më të sigurta. Dëshiroj të bashkohem me ta nuk jam biznesmen, por në këtë fond kam shumë kënaqësi të vendos dhe pagën time mujore si një gjest qytetar, tani jo më si kryeministër, por si një qytetar që dua familjarisht të shpreh edhe unë mirënjohjen dhe respektin për veprën e prindërve tuaj”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Ministria e Brendshme, vijoi më tej, Kryeministri, ka dhe do të ketë një kujdes të vazhdueshëm mbi bazën e mbështetjes së plotë të qeverisë.
Kryeministri vlerësoi se, pa thyer rregullat e shkollimit, qeveria do të bëjë çdo përpjekje që asnjë nga fëmijët e policëve të vrarë të mos mbetet pa u shkolluar në të gjitha ciklet dhe nivelet.
“Falënderoj ato shkolla dhe ato universitete që kanë ndihmuar në shkollimin tuaj, por do të bëhet një program nga qeveria, në mënyrë që çdonjëri prej jush të ndjekë të gjitha ciklet e shkollimit që dëshiron të ndjekë, duke pasur parasysh vështirësitë që ju keni për të arritur gjithnjë standardet që kërkohen”, nënvizoi më tej Kryeministri, duke ju uruar fëmijët dhe të afërmit e efektivave të rënë, festën e Bajramit, Krishtlindjeve dhe Vitin e Ri.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Premçi dhe drejtues të tjerë të Ministrisë së Brendshme.