E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akti i dashurisë për Edomond Tupen

06/02/2005  Autorja e parathënies së librit Pro translatore të Edmond Tupes, Mirela Kumbaro, e merr të mirëqënë faktin që lexuesit e këtij libri nuk duhet të kenë vështirësi ta kuptojnë për çfarë bëhet fjalë kur thotë se “zanati më i vjetër nuk është ai që mendohet”, por “ai përkthyesit”; dhe ka të drejtë: lexuesi i një libri të tillë, më së tepërmi me këshilla për përkthimin, padyshim që e zotëron aq informacion minimal sa ta kuptojë për se bëhet fjalë (të paktën në aq gjuhë që unë di, e kam ndeshur të thuhet që zanati më i vjetër është prostitucioni). Por, para se të nis të flas për Pro Translatore-n (botuar nga Ombra GVG) do të doja të bëja një korrigjim të vogël të parathënies: më së pari, përkthimi, sidomos përkthimi letrar, dhe, siç e vë në dukje edhe vetë autori përgjatë librit, përkthimi është art, mund të thuhet edhe mjeshtëri, por zanat është term shumë teknik dhe i ftohtë. Veçse, Mirela Kumbarua i ka rënë pikës kur thotë se “për Edmond Tupen ‘përkthimi është akt dashurie’”, përgjatë leximit të krijohet përshtypja që autori e trajton përkthimin si të tillë.

Nga fillimi në fund të librit një gjë është konstante: pasioni me të cilin autori e trajton subjektin, dhe ky pasion, më i fuqishëm se kudo tjetër, është në polemika, apo ato shkrime që kanë natyrën e polimikës. Këtu ai jo vetëm di çfarë flet, por i di shumë mirë dhe edhe rregullat e lojës e futet në “betejë” me një qëllim të vetëm, të “shkatërrojë”. Çdo mendim e gjykim i tij është mbrojtur në mënyrë skupuloze nga shembuj të pafundmë, që, një lexues me dy pare mend, edhe kur mund të jetë vet objekt i polemikës duhet duhet ta kuptojë që mbas kundërshtarit fshihet një kohë e gjatë kërkimesh dhe studimesh të lëndës në fjalë për të dalë në fushën e betejës siç i ka hije, jo një njeriu që do të fitojë, por një njeriu që do të fitojë se ka të drejtë.

Në fakt, libri nuk është me polemika, por ato janë mbresa më e fuqishme, si nëpër filma që fragmentet ku vrigëllojnë shpatat nuk na shqiten aq lehtë nga mendja, në krahasim me skena të tjera, për shembull kur dikush lëron arën.

Dhe Tupja lëron me mjeshtëri. Disa titujt që unë do të përmendja, janë “Krahasime”, ku autori nuk flet edhe aq shumë, por duke vënë përballë katër variante ne shqip të një soneti të Baudelaire-it, “Konteksti dhe situata”, “Kurthi i fjalëve” e shumë të tjerë, të paktën për mua, kanë qenë shumë këshillues e qetëses në të njëjtën kohë. Sepse shikon që edhe dikush tjetër ka patur të njëjtat probleme dhe ka dalë me një sugjerim apo një këshillë. Dhe libri është shumë mirë i orientuar, vetëm duke hapur “Përmbajtjen” e lëndës në fund të librit, mund ta gjesh që në titull atë që do dhe pastaj të nisësh shfletimin. Për shembull, në qoftë se përkthen dramë ik tek titulli “Saktësim për përkthimin e pjesëve treatore”, nëse do poezinë ik tek “Edhe një herë për përkthimin e poezisë” apo “Cila është më e vështirë pëër t’u përkthyer, proza apo përkthimi”, apo nëse do të mësosh diçka për traditën (kuptohet bëhet fjalë për aq informacion sa lejon një libër që nuk është historia e përkthimit shqiptar), ik tek titulli “Mendimi i Mitrush Kutelit dhe aktualiteti i tij” apo tek homazhet për Vedat Kokonën, Jusuf Vrionin dhe Robert Shavarcin.

Pro translatore– të paktën për mua që e shikoj nga pozicioni i një përkthyesi të ri – është një libër shumë i nevojshëm për çdo përkthyes dashamirës ndaj këshillave, dhe, mendoj se kushdo që e ushtron këtë mjeshtëri (sidomos të rinjtë) që nuk e ka këtë titull shumë afër me tavolinën e punës nuk e ka ka marrë përkthimin seriozisht.

Pse – një nga mjeshtrat tanë të përkthimit, që e mbron shqipen me fanatizëm – ka zgjedhur për titull një togfjalësh nga një gjuhë e huaj, nuk është pyetje, por njëra nga vërejtjet. Vërejtja tjetër është: në qoftë se disa prej shkrimeve kanë qenë – të cilat mua kështu më tingëlluan – shkruar si columns për gazetë duhet të ishte përmedur si fakt, nëse jo, atëherë shprehje si “nuk dua ta lodh lexuesi e nderuar”, qëndrojnë kaba: e para, kjo lloj delikatese është e tepërt për njerëz që marrin parasysh të blejnë një libër 175 faqe, e dyta, një afëri e tillë me lexuesin është konsumuar nga letrat e shekullit të nëntëmbëdhjetë, megjithëse nga penat e publicçistikës shqiptare (ky është veç një rast), kësi shabllonesh “sinqeriteti”, përdoren me një denduri të atillë sikur shoqëria jonë vrapon drejt shekullit që lamë mbrapa.

Kur poeti është vetë dashuri

Hija dashurore e Lasgush Poradecit sjell prap frymën për lexuesit. “Përse të dua” është vëllimi i ri poetik, përgatitur nga shtëpia botuese “Lilo” me të drejtën e autorit nga trashëgimtaret e familjes.

Këtë herë nga magjepsja lirike lasgushiane ka më tepër gri në shpirt. Trishtimi për Poradecin nuk është më habi nga lexuesit, përveçse pangopjes për të kapur rresht për rresht arratinë e poetit. Misteriozja e shpirtit ruan ato ankthe të ëmbla torturuese që e dengdisin autorin ndër “male shtat-mëdhaja” duke kërkuar mprehje romantike. Në finesën e vargjeve lirike, lexuesi rindesh platonizmin e dalluar lasgushian. Në ndjesitë e përuljes, që ngjason me thjeshtësinë, Poradecit asnjëherë nuk i rri dashuria mbërthyer në shpirt. Është një largim që tashmë dihet nga këto vargje për të shuar zjarrin me ajrin, e rrallë për nga ngjasimi poetik, por që e ka bërë Poradecin të mos i gjenden këmbët se ku e prek tokën dhe ku e cik ajrin. Vetëm prej këtij poeti, mund të ndërtosh mirazhe turbulluese që nuk i shkojnë për shtat realitetit. Ka magjinë e mëndafshtë Poradeci për ta dhënë të paqtë fjalën më të ashpër për të bukurën. Në fund të fundit, poeti kthehet nga udhëtimi i tij lodërtar për dashurinë. “Përse të dua” e kthjellon poetin, ndryshe nga çkemi lexuar në do poezi të tjera, për të pamundurën. Lasgushi kërkonte atë që ai vetë i ngjante aq shumë,dashurinë.

Kurti në sfidën e “Ferrit”

“Bashkë me Danten endemi nëpër Ferr edhe ne, lexuesit shqiptar. Mëkatarët që sheh dhe përshkruan ai na përkujtojnë mjaft mëkatarë realë, dhunën e të cilëve ne e përjetuam për një kohë të gjatë, dhe, vetvetiu, na lind dëshira për t’i parë edhe ata midis akujve të ngrirë të Kocitit, në Kainë!”. Kjo është fraza mbyllëse e parathënies së përkthimit në shqip të Komedisë hyjnore, “Ferri”. Shqipëruesi Çezar Kurti i ka hyrë kësaj sfide përkthyese duk sjellë në botimin dytë një nga veprat më madhore të letërsisë botërore. Me “Komedinë hyjnore” Dante arriti të krijojë një kryevepër me vlera unikale artistike, të japë gjykimin për njerëzit e kohës së shkuar dhe bashkëkohoësit, dhe ta bëjë gjuhën e popullit të thjeshtë italian një gjuhë të madhe kulture. Vepra e Dantes edhe sot e kësaj dite demaskon dhunën që për fat të keq vazhdon të ushtrohet kundër popujve dhe kundër individit. Kjo vepër vjen në shqip pasi njihen dhe botimet serioze të mëparshme, ndaj i mbetet kritikës së përkthimeve t’ gjejë vendin në tregun e librit shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›