E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konklavi, makina e shenjtë që prej shekujsh fabrikon Papët

06/02/2005  Intriga dhe logjika e rreshtimeve kanë shënuar historinë e këtyre konsensuseve. Disa zgjatën pak orë, disa të tjerë vite. Nganjëherë u harrua Shpirti i Shenjtë…

Origjinat e Kishës. Jezùsi, Krishti i lindur nga Maria dhe Jozefi, e filloi predikimin e tij rreth të tridhjetave. Ky predikim ngjalli kundërshti të forta midis bashkëkohësve të tij. Në fakt, Doktorët e Ligjit hebraik qenë skandalizuar nga qëndrimet dhe predikimet e Jezùsit kundrejt dogmave tradicionale, kurse romakët e konsideronin Krishtin një shef të rrezikshëm poilitik. Për pasojë, një prokuror modest romak, me bashkëpunimin e disa priftërinjve të Tempullit hebraik të Jeruzalemit, e arrestoi dhe e kryqëzoi Jezùsin. Pas vdekjes së Mesias, apostujt e tij u mblodhën në darkën e fundit dhe filluan të organizojnë komunitetin e dishepujve të Krishtit. Akti që instituon Kishën (konventin) – në plotësim të mësimeve të Krishtit – jepet nga shprehja e thënë nga Jezùsi si pasojë e shfaqjes 11 dishepujve të tij mbi Malin e Galileas: «Më është dhënë çdo fuqi, në qiell e në tokë. Shkoni kështu të mësoni të gjithë njerëzit, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjtë, duke u mësuar atyre të vërejnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar» (Mateu, XXVIII, 1820). Termi Kishë na rilidh me hebraiken qahal, që në Dhiatën e Vjetër caktonte popullin e Zotit të mbledhur për kultin ose për luftën. Kristianët e parë përdorën Ekklêsia (ose “asamble popullore”), që është termi grek i përkthimit të qahal.

Kurse termi Katolik shfaqet në një letër të Shën Injacit të Smirnës: «Ubi Christus, ibi catholica Ecclesia» (“Aty ku është Krishti, aty është Kisha Katolike). Katolik vjen nga termi grek Katholikôs dhe tregon atë që është universale, në kuptimin që vlen gjithmonë dhe kudo. Lidhja themelore e kësaj Kishe nuk vendoset me një vend të përcaktuar gjeografik, por me një figurë historike – atë të Krishtit. Një koncept i tillë i jep këtij religjioni një dimension universal, që shkon përtej kufijve të një rajoni të caktuar. Për teologjinë katolike, që ribëhet me Shën Palin, Kisha është “Trupi mistik i Krishtit”. Trup do të thotë organicitet ose, siç na mësojnë fjalorët, “lidhje racionale e një tërësie”. Kështu në këtë “trup” jo të gjithë anëtarët e tij kanë të njëjtat funksione. Presbyteroi (priftërinj), epìskopoi (peshkopë), pàpas (papë), janë term që në kristianizëm tregojnë pjesët e këtij “trupi” ose të atij që ushtron funksione ekleziaste në nivele të ndryshme.

Zanati i Papës. Termi “Papë” është forma e latinizuar e greqishtes popullore pâpas, variant i pàppas, “baba”. Titulli papal i plotë, ashtu siç lexohet në Vjetarin Pontifik është: «Peshkop i Romës, Vikar i Jezú Krishtit, Trashëgimtar i Princit të Apostujve, Papë i Kishës Universale, Patriark i Perëndimit, Primat i Italisë, Arqipeshkëv dhe Mitropolit i Kraninës romake, Sovran i Qytetit të Vatikanit, Shërbëtor i Shërbëtorëve të Zotit». Veshjet e tij janë “tiara” (një lloj kapeleje e përbërë nga tri kurora të mbivendosura me një kryq në majën e saj), që simbolizon pushtetin e trifishtë: atëror, pontifik dhe kohor; “palio” (një lloj shalli që mbahet në qafë dhe ka pjesë që varen mbi shpinë dhe mbi gjoks), shenjë e pushtetit suprem; “pedo” (bastuni baritor), i drejtë dhe me një kryq me figurën e Jezúsit, që simbolizon plotësinë dhe absolutizmin e pushtetit pontifik mbi të gjithë organizimin e kishës katolike në botë. Zakoni që e do Papën të veshur me të bardha i takon pontifikatit të Papës Piu V (1566-1572). Ai i përkiste Urdhrit të Domenikanëve dhe pas zgjedhjes së tij deshi të mbante tunikën e bardhë karakteristike. Monarkia pontifike, megjithëse e zgjedhshme, nuk është përfaqësuese e së drejtës hyjnore, për faktin që Papa nuk i merr pushtetet e tij nga kardinalët që e kanë zgjedhur, por drejtpërsëdrejti nga Zoti. Mbi të gjitha, zanati i Papës nuk lejon pushim dhe sidomos nuk parashikon pensione dhe tërheqje, edhe pse në vitin 1294 Papa Çelesti V krijoi një precedent unik në historinë e Kishës. I rrethuar nga ndërhyrja politike e Karlit II Anzhú, ai preferoi të kthehej në jetën e tij prej heremiti, duke abdikuar vetëm pas 5 muaj pontifikati. Emri “Papë” ju dha fillimisht të gjithë priftërinjve kristianë. Më pas dhe deri në shekullin IV ju rezervua vetëm peshkopëve. Më vonë dhe gradualisht, titulli ju rezervua vetëm Peshkopit të Romës, edhe pse disa peshkopë të vendeve të tjera vazhduan të quheshin kështu. Nga fundi i shekullit II-të, me përkthimin e një dokumenti të shkruar në greqisht, Rufino d’Akuileia i siguroi Kishës universale lidhjen historike që bashkonte Pjetrin me peshkopët e Romës. Dokumenti u konsiderua një letër dërguar nga Peshkopi i Romës Klement I (88-97) për Xhakomon, “vëlla” i Krishtit. Në letër, Klementi do ta informonte Xhakomon për testamentin shpirtëror të bërë nga Pjetri përpara komunitetit kristian të Romës: Klementi do të merrte nga Pjetri autoritetin për të lidhur e zgjidhur të dhënë nga Krishti. Në praktikë dokumenti furnizoi bazën juridike të peshkopit të Romës si trashëgimtari unik dhe i vetëm i “kreut të apostujve”.

Evolucioni i zgjedhjes pontifike. Me diturinë e saj mijëvjeçare Kisha tregon se me të drejtë hyjnore asgjë nuk është caktuar në Shkrimet rreth mënyrës së caktimit të personit që duhet të mbulojë postin suprem të “Bariut universal”. Vetëm nga kushtituimi i Kishës si societas inaequalis deduktohet që caktimi i Papës i takon hierarkisë ekleziaste. Kjo është konfirmuar nga modalitetet e ndryshme me të cilat, në kohë, zgjedhja e Atit të Shenjtë roman është konkretizuar radhë pas radhe, duke pësuar një ndryshim sekuencial. Teorikisht, çdo i pagëzuar i seksit mashkull mund të aspironte për dinjitetin e Papës. Sinodi roman i vitit 769 ka përjashtuar nga e zgjedhja të gjithë ata që nuk ishin të paktën kardinalë presbiterë ose xhakonë. Megjithatë, zgjedhja duhej të bëhej nga kleri i qytetit, me konkurrencën e aristokracisë dhe popullit. Kujtojmë se nga shekujt e parë të kristianizmit, kleri ishte zgjedhur me ngritje dore drejtpërsëdrejti nga besimtarët; Peshkopi zgjidhej me marrëveshje të përbashkët nga kleri dhe nga populli të mbledhur në asamble. Zgjedhja e Peshkopit të Romës nuk ndryshonte atëhere nga ajo e peshkopëve të tjerë. Në shekullin XI-të, mbi bazën e procesit të centralizimit feudal që po karakterizonte krejt strukturën religjioze të epokës, gjërat filluan të ndryshojnë. Në vitin 1059, Papa Nikolò II (1059-1061), me dekretin In nomine Domini, e reduktoi pjesëmarrjen e klerit dhe të popullit në një ujdi të pastër. Është evidente që me këtë dekret Papa Nikolò deshi të siguronte juridikisht, për të ardhmen, pavarësinë e papatit nga influenca laike. Fillimisht dhe duke filluar nga dekreti i zgjedhjes papnore të Nikolòit, vetëm kardinalët-peshkopë qenë protagonistët e zgjedhjeve; kardinalët-priftërinj u shtuan në gjysmën e dytë të po atij shekulli, ndërsa kardinalët-xhakonë vetëm në gjysmën e parë të shekullit XII. Papa Aleksandri II (1061-1073), pasues i Nikolò, u zgjodh duke zbatuar dekretin In nomine Domini. Çështja e figurës së Atit të Shenjtë u zgjidh përfundimisht nga Papa Gregori VII (1073-1085). Në sinodin roman të 1073, ai dekretoi se vetëm Peshkopi i Romës mund të gëzonte titullin e Papës. Le të bëjmë një kapërcim të madh në histori dhe arrijmë te Koncili Vatikani I në vitin 1869. Vatikani I, Koncili i XX-të Ekumenik, që u çel më 8 dhjetor të vitit 1869, i atribuoi Atit të Shenjtë roman pagabueshmërinë në kuadrin moral e doktrinor për përkufizimet excattedra, duke theksuar bindjen absolute të katolikut ndaj Papës. Në kompozimin dogmatik mbi “Kishën e Krishtit” Pastor aeternus, votuar më 18 korrik 1870, peshkopët afirmonin që Koncili nuk e rinovonte, por e fiksonte traditën katolike në përkufizimin e pagabueshmërisë së Atit të Shenjtë. Kujtojmë se ky Koncil u dominua nga personaliteti i Piu IX, karakterizuar nga intransigjenca doktrinore dhe nga centralizimi roman. Triumfi i stisjes së pagabueshmërisë së Papës, që dukej pothuajse i arritur me Piun IX, u rimor nga Piu XII (1939-1958) në enciklikën Mystici Corporis Christi, më 29 qershor 1943. Në dokument, Papa Euxhenio Paçeli përkufizonte Kishën si trup mistik të Krishtit, por sidomos si një trup i përbërë organikisht dhe hierarkisht. Në Koncilin Vatikani II primati i Papës jo vetëm u ruajt, por edhe u ekzaltua. Në kapitullin e III të kushtetutës dogmatike Lumen gentium mbi Kishën, i titulluar Ndërtim hierarkik i Kishës dhe në veçanti i episkopatit, e nënvizua se Koncili, në çështjen e primatit papnor dhe të pagabueshmërisë së tij, do të lidhet me me doktrinën e Koncilit Vatikani I dhe ta kompletojë atë. Veç kësaj, etërit konciliarë kanë dashur të evidentojnë se kolegjaliteti episkopal mbahet mbi bazën e superioritetit të Atit të Shenjtë mbi të gjithë. Përsa i përket pagabueshmërisë së këtij të fundit, Koncili ka rimarrë përkufizimin e dhënë nga Vatikani I, duke e kompletuar përfundimisht: «Këtë pagabueshmëri Pontifiku roman, kreu i kolegjit të peshkopëve, e përfiton në virtyt të postit të tij, kur […] sanksionon me një akt përfundimtar një doktrinë që i përket fesë dhe moralit. Për pasojë, definicionet e tij janë quajtur të pareformueshme në vetvete dhe jo në virtyt të konsensusit të Kishës, duke qenë të shqiptuara me asistencën e Shpirtit të Shenjtë të premtuar atij në personin e Shën Pjetrit, kështu që nuk kanë nevojë për një miratim të të tjerëve, as nuk pranojnë apel të ndonjërit dhe gjykim tjetër» (Lumen Gentium, 25).

Evolucioni i konklavit. Fuqi të huaja italiane e të huaja, popull roman dhe kardinalë kanë pasur një peshë në kohë, të tillë sa t’i bënin konklavët nganjëherë shumë të shkurtër (si ai i Peruxhias i vitit 1216, për të cilin ju mjaftuan 2 ditë kardinalëve për të zgjedhur Papën Çenci të kontëve Saveli, që mbretëroi 11 vjet të mira me emrin Onofri III) dhe nganjëherë shumë të gjatë (si konklava e Viterbo, që zgjati nga viti 1268 deri më 1271). Termi conclave të sjell në mendjet modalitetet izoluese, të cilave u nënshtrohen kardinalët në kryerjen e detyrës së vështirë të zgjedhjes së një pasuesi të ri të Simon Pjetrit të Betsaidas. Nga ana e tij, “izolimi” kërkon fshehtësinë e vetë mbledhjes dhe funksionin e kardinalëve. Zgjedhja e parë pontifike në historinë e Kishës, e ndodhur pothuajse në formë konklavi, qe ajo e Papës Xhelasio i në vitin 1118. Kardinalët vendosën të mblidheshin me fshehtësinë më të madhe në manastirin e Shën Mërisë në Palara, mbi Palatín për të zgjedhur pasuesin e Papës Paskual II (1099-1118). Fshehtësia dhe segregacioni vullnetar i kardinalëve motivohej nga trazirat politike të kohës dhe kështu që ishte i prirur të ruante pavarësinë e kardinalëve dhe ndërkohë të kufizonte ndërhyrjen perandorake në zgjedhjen e Papës së ri. Në vitin 1198, në një sallë të pallatit të vjetër gjysëm të shkatërruar, të quajtur Setixonio, u zgjodh Papë xhakoni Lotario i kontëve të Senjit. Ka shumë mundësi, që ky të jetë konklavi i parë i vërtetë i historisë së Kishës. Faktikisht në këtë zgjedhje hasen shenjat dalluese të konklavit, domethënë izolimi dhe ruajtja e vetëzgjedhjes. Për herë të parë mbahet edhe Orazio pro eligendo pontefice, që përkufizon në mënyrë të sintetizuar gjendjen e nevojave të Kishës, të cilave duhet t’u korrespondojë Papa i ri. Modaliteti izolues u ripropozua me vdekjen e vetë Papës Inoçenti III në vitin 1216. 19 kardinalë u mbyllën në pallatin pontifik të Peruxhia për të zgjedhur një At të Shenjtë të ri, që më pas do të zgjidhet në personin e Kardinalit Çenci të kontëve Saveli. Papa Onori III (1216-1227), gjatë mbretërisë së tij deshi të stabilizojë në mënyrë mjaft të detajuar, tek Ordo romanus de consuetudinibus, ceremonialin që duhej mbajtur në konklava. Në vitin 1241, pavendosmëria e kardinalëve të mbledhur për të gjetur pasuesin e Papës Gregori IX, papë nga viti 1227, i dha rastin Senatorit Mateo Roso Orsini për t’i mbyllur me forcë në Setixonio kardinalët e pranishëm në Romë. Pavarësisht kushteve të vështira të jetesës në brendësi të këtij pallati, kardinalët kaluan 2 muaj për të zgjedhur papën e ri Çelestini IV, që i masakruar nga kjo përvojë mbretëroi vetëm 17 ditë. Me vdekjen e Papës Klementi IV (1265-1268), ndodhi një tjetër fakt i rëndësishëm dhe i veçantë: vendi apostolik mbeti vakant për pothuajse 3 vjet, më e gjata e çdo kohe. 18 kardinalët e mbledhur në pallatin e Papëve në Viterbo nuk arrinin të caktonin pasuesin e Klementit. Një grup i kryesuar nga françeskani Bonaventura da Banjorexhio i sekuestroi kardinalit në pallatin peshkopal të qytetit, duke i murosur të gjitha daljet. Pavarësisht kësaj, midis kardinalëve nuk arrihej të gjendej një marrëveshje për zgjedhjen pontifike. Atëhere guvernatori i qytetit, Ranieri Gati, u reduktoi atyre ushqimet dhe arriti t’u zbulonte çatinë e sallës ku qenë mbledhur, duke i ekspozuar kardinalët ndaj ndryshimeve të motit. Më 1 shtator 1271 më së fundi u dha vendimi i kardinalëve: një italian Tebaldo Viskonti, arqidhjak i Liezhit, u zgjodh Papë me emrin e Gregorit X. Qe pikërisht ky pontifik, që në Koncilin II të Lionit shpalli kushtetutën Ubi periculum lidhur me zgjedhjen pontifike. Kushtetuta Ubi periculum dekretonte detyrueshmërinë për konklavin e Kolegjit të Shenjtë të Kardinalëve, me qëllim që askush të mund të komunikonte me kardinalët zgjedhës, me qëllim që t’i largonte nga ndërhyrjet ilegale. Udhëzimet e pranishme në kushtetutë qenë shumë të sakta: mbledhja konklavore duhej të ndodhte në të njëjtin pallat ku kish vdekur Papa; u përcaktua një limit 10 ditor për t’u mundësuar kardinalëve të mblidheshin në vendin e mbledhjes elektorale dhe me mbarimin e këtij limiti duhet të vazhdohej me zgjedhjen. Veç kësaj, kardinalët mund të merrnin me vete vetëm 1 shërbyes, maksimumi 2 në rast nevoje ekstreme; asambleja kardinalore duhej të zhvillohej në një vend të izoluar dhe të mbrojtur mirë nga jashtë; askush nuk mund të hynte e të dilte përpara zgjedhjes (me përjashtim të ushqimeve) nga pallati. Në kushtetutë gjejmë edhe dispozita të prirura për të shmangur një zgjatje të pakufizuar të asamblesë kardinalore. Për shembull, u caktua që me të kaluar 3 ditë nga fillimi i operacioneve elektorale, si për drekë, ashtu dhe për darkë, kardinalët do të kënaqeshin vetëm me një vakt; me kalimin e 5 ditëve të tjera, kardinalët do t’u takonte vetëm verë, ujë dhe bukë deri në arritjen e vendimit elektoral. Këto rregulla i bënë padyshim më të shpejta vendimet, por sigurisht nuk u dhanë fund ndërhyrjeve të bezdisura të të fuqishëmve. Arroganti Filip II-të, Mbret i Spanjës, në vitin 1590 vendosi bile veton e tij mbi 30 kardinalë, duke arritur derisa të urdhëronte që Ati i Shenjtë i ri të zgjidhej midis 7 emrave të përmendur hapur në një listë. Ndërhyrja e Mbretit spanjoll krijoi një zakon të rrezikshëm, të quajtur e “drejtë ekskluzive”: praktikisht bëhej fjalë për një të drejtë vetoje mbi disa emra të papëlqyeshëm, dhënë sovranëve të fuqive të mëdha të epokës. Një zakon i tillë zgjati deri në vitin 1903. atë vit, gjatë konklavit që duhej të zgjidhte pasuesin e Papës Leoni XIII, Kardinali i Karkovisë, Jan Puzyna, u ngrit gjatë mbledhjes konklavore duke shpallur veton e Perandorit austriak Franc Jozef ndaj Kardinalit Mariano Rampola (sigurisht më i afërti me fronin e Pjetrit). Një veto e tillë u ushtrua pse Kardinali Rampola u demostrua paturpësisht filofrancez dhe armik ndaj “Aleancës së Trefishtë” midis Austrisë, Gjermanisë dhe Italisë. Për detyrim kronike duhet thënë se zyrtarisht vetoja e Franc Jozefit u hodh poshtë, edhe pse u bë Papë Patriarku i Venecias, Xhuzepe Sarto (Piu X), politikisht më apatiku i konklavit. Këto ndodhi i kanë dhënë origjinë dhe kanë modeluar institutin e konklavit, i quajtur ndryshe mbledhje e Kolegjit të Shenjtë Kardinalor.

Konklavat moderne. Termi konklav buron nga shprehja latine cum clave (me çelës), pikërisht pse kardinalët janë të mbyllur me çelës në sallën e mbledhjes. Princat e Kishës, të mbledhur në konklav, nuk mund të komunikojnë kështu me botën e jashtme dhe nuk mund të dalin prej saj veç në mos për motive shumë të rënda; kjo për të theksuar një moment shumë delikat dhe të rëndësishëm për Kishën. Gjithësesi, dispozitat për konklavin do të modifikohen me kalimin e kohës. Megjithatë, pavarësisht së duke pësuar një evolucion cilësor, institui konklavor nuk do të modifikohet shumë. Në fillimet e shekullit XX-të, Papa Xhuzepe Melkiorre Sarto, pontifiku i dhjetë me emrin e Piut, procedoi me shumë seri për një reformë elektorale. Me kushtetutën Commissum nobis të 20 janarit 1904, abrogoi veton civile në çfarëdo forme. Kurse me kushtetutën Vacante Sede apostolica të 25 dhjetorit 1904 konfirmoi kufizmin për të vendosur veto, forcoi fshehtësinë e konklavit, modifikoi mekanizmin elektoral në kuptimin e vërtetë të fjalës, vendosi ruajtjen e dokumentacionit lidhur me vetë konklavin. Së fundi, me kushtetuta Apostolicae romanorum Pontificum të 15 prillit dhe Edita a nobis të 5 majit 1914 vazhdoi akoma të reformojë mekanizmat e brendshëm të konlavit. Papa Gjoni XXIII-të me dokumentin e tij Summi pontificis electio të 5 shtatorit 1962 – dispozitë që modifikonte kushtetutën e Papës Piu XII Vacantis apostolicae sedis të 8 shtatorit 1945 – caktonte që kardinalët duhet të futeshin në konklavë jo më parë se 15 ditët dhe jo më vonë se 18 ditët nga vdekja e Atit të Shenjtë. Papa Pali VI-të, pasues i Papës Ronkali, la udhëzime të sakta lidhur me procedurat që duheshin ndjekur në konklavë. Parasëgjithash ai, me motu proprio Ingravescentem aetatem të tetorit 1970, kish përjashtuar kardinalët mbi 80 vjeçarë nga konklavi, ndërsa në vitin 1975, më kushtetutën Romano Pontifici eligendo, kish nxjerrë një seri rregullash të reja që duhej të hynin në fuqi me vdekjen e tij. Njëra prej tyre caktonte që të gjithë kardinalët që kishin poste në departamentet e ndryshme të Kurisë romane duhej të jepnin automatikisht dorëheqjen, kjo për t’i dhënë Papës së ri autonominë në lirinë e zgjedhjes së funksionarëve të tij. Për sa i përket mbledhjes në kuptimin e vërtetë të fjalës, Papa Pali VI, duke fiksuar numrin maksimal të zgjedhësve në 120, dekretoi se 2 ditë përpara saj, kardinalët duhej të betoheshin solemnisht. Në rast amnezie, midis betimit dhe hyrjes në konklav, duhej të procedohej më një betim të ri. E gjithë zona e caktuar për mbledhjen të të kontrollohej imtësisht, për të siguruar fshehtësinë absolute të vetë mbledhjes. Për herë të parë në historinë e konklavit, Papa Montini futi bisedimin e lirë midis votuesve – një lloj konsultimi elektoral – për t’u mbajtur në kohëra të përcaktuara dhe në rast të një konklavi të gjatë. Veç kësaj, me Palin VI, shoqëruesit e kardinalëve nuk pranoheshin, përveç se për fatkeqësi të rënda dhe, gjithësesi, të caktuar nga një komision kardinalor. Domethënës është shenjtërizimi i kolegjit elektoral të dashur nga Gjon Pali II me kushtetutën apostolike Universi dominaci grecis të 22 shkurtit 1996. Zgjedhja e Peshkopit të Romës, cakton Papa Vojtila në kushtetutë, duhet të ndodhë gjithmonë dhe gjithsesi në Kapelën Sikstine në Vatikan.

Konklavi fillon. Kur vjen ora e ndërrimit të jetës të Atit të Shenjtë dhe pas ceremonisë solemne funebër – e quajtur Novendiale – mblidhet Kolegji i Shenjtë, që formohet nga kardinalët e të gjithë botës. Përveç kardinalëve, gjatë punimeve të Kolegjit të Shenjtë (por natyrisht jo në mbledhjet) marrin pjesë konklavistët: asistentët e kardinalëve të ndryshëm, shenjtëruesi i Pallateve të Shenjta, mjeshtrit e ceremonive, Sekretari i Kolegjit të Shenjtë, një padre rrëfyes, personeli shëndetësor dhe ai i shërbimit. Prefekti i Ceremonife Pontifike, pasi ka konstatuar fluksin e rregullt të të purpurve dhe është provuar siguria e sporteleve të mbylljes, deklaron me zë të lartë extra omnes, të gjithë jashtë! Nga ky moment fillon izolimi i përkohshëm i kardinalëve. Deri në zgjedhjen e Gjon Palit II, zgjedhja e Papës mund të kryhej në tri forma:

a) me pothuajse frymëzim të Shpirtit të Shenjtë, në qoftë se ai shpallej me unanimitet;

b) me votim, kur rezultonte i zgjedhur ai që siguronte të paktën dy të tretat, plus një të kardinalëve të pranishëm;

c) me kompromis, në qoftë se disa kardinalë qenë deleguar të zgjidhnin vendin e të pranishmëve.

Gjatë votimit, që mbahet në Kapelën Sikstine, çdo kardinal duhet të imitonte kaligrafinë e tij, për të garantuar fshehtësinë e votës. Në konklavat ku kardinalët caktuan Albino Luçianin (Gjon Pali I) dhe Karol Vojtilën (Gjon Pali II), kolltukët (që kanë zëvendësuar fronet e vjetëruara me baldakin) kanë rezultuar aq të afërta midis tyre, sa që shumë kardinalë janë detyruar ta mbrojnë fshehtësinë e votës së tyre me dorën e hapur afër fletës së votimit, pikërisht ashtu siç bëhet në shkollë për të ndaluar kopjimin nga shoku i bangës. Për operacionin e votimit, përkrah kardinalëve numërues, procedohet me emërimin e 3 kardinalëve të tjerë për kontrollin e operacioneve. Numërime mbahen 4 në ditë. Papa Pali VI-të, gjithmonë me kushtetutën Romano Pontifici eligendo, vendosi edhe se në rast se 26 votime nuk do të jepnin rezultat, se 2 paralajmërime të mbajtura nga kardinali xhakon më i vjetër dhe kardinali prift më i vjetër nuk do ta ndriçonin kolegjin, në qoftë se edhe paralajmërimi i kardinalit peshkop më të vjetër do të rezultonte joefikas, atëhere me pjesëmarrjen e të gjithë të pranishmëve do të duhet të kalohet në mazhorancën plus një votë. Gjon Pali II me kushtetutën apostolike Universi dominici grecis, botuar më 23 shkurt 1996, ka caktuar rregulla të reja në konklavë. Reforma e re ka të bëjë kryesisht me modalitetet e zgjedhjes; pastaj është risia e vendqëndrimit të kardinalëve, që nuk duhet të qëndrojnë më një dhomat jokomode të pallatit Apostolik, por në më mikpritësen Shtëpi të Shën Marisë, e ndërtuar kohët e fundit në brendësi të Vatikanit. Së fundi, pas konklavave të kaluara, ku kardinalët mbanin radhë për të përdorur banjat e pakta të vëna në dispozicion, janë përgatitur miniapartamente me dush dhe banja private. Megjithatë, risia e vërtetë i përket punës në kuptimin e vërtetë të fjalës të konklavit: Gjon Pali ka përcaktuar forma e vetme e vlefshme zgjedhëse duhet të jetë ajo “me votim” dhe për të zgjedhur një Papë të ri duhet të jenë të nevojshme dy të tretat e votave. Kshtu janë abroguar dy format zgjedhëse deri më tani të mundshme, ajo “me shpallje” dhe ajo “me kompromis”. Abrogimi i disa metodave elektorale (me frymëzim dhe me kompromis), të caktuara nga Gjon Pali II tek Universi dominici grecis,ua ka përshtatur rregullat sistemit të sotëm demokratik: kështu është caktuar votimi i vetëm më mazhorancë, fillimisht të kualifikuar dhe më pas të thjeshtë. Veç të tjerash, Papa Vojtila ka konfirmuar normën e vendosur nga Pali VI-të që ua rezervonte të drejtën e zgjedhjes së Papës kardinalëve që nuk kishin mbushur 80 vjeçët në ditën e vdekjes së papës, të cilit duhet t’i zgjidhet pasuesi. Për këtë normë të fundit, i besohet kardinalit shambellan dhe 3 asistentëve të tij, edhe duke «drejtuar vlerësimit të 2 teknikëve të besuar», detyra për ta ruajtur një fshehtësi të tillë, duke sqaruar kështu se «asnjë mjet fotografimi apo transmetimi audioviziv të lejohet në cilindo prej dhomave të treguar», sidomos në Kapelën Sikstine. Gjatë të gjithë kohës së zgjatjes së konklavit, për t’u mos influencuar, kardinalët «detyron të abstenojnë nga korrespondenca epistolare dhe nga bisedimet telefonike ose radio» dhe atyre u ndalohet të «marrin shtypin e përditshëm dhe periodik, të çfarëdo natyre, ashtu si dhe të dëgjojnë transmetime radiofonike apo të shikojnë transmetime televizive». Teorikisht çdo besnik i pagëzuar mund të zgjidhet Papë, boll që të mos jetë i penguar nga e drejta hyjnore dhe ekleziaste. Megjithatë, zgjedhja ushtrohet vetëm midis kardinalëve. Përpara pontifikatit të Gjonit të XXIII-të, me mosarritjen e zgjedhjes, si fletët e votimit, ashtu dhe të gjitha shkrimet e poseduara nga kardinalët mbi rezultatin e çdo votimi digjeshin së bashku me kashtën e lagur. Në këtë mënyrë prodhohej një tym i dendur dhe i errët, kjo dilte nga një oxhak i parë mirë nga sheshi i Shën Pjetrit dhe tregonte rezultatin negativ të votimit (i ashtuquajturi tym i zi). Me arritjen e zgjedhjes, digjeshin vetëm skedat e votuara dhe shkrimet e kardinalëve, gjë që prodhonte një tym të bardhë. Kjo shpallte se Papa ishte zgjedhur. Në vijim të udhëzimeve të dhëna nga Papa Ronkali, shkrimet e ndryshme të kardinalëve lidhur me rezultatin e votimve, së bashku me një relacion të shambellanit, që mbante rezultatet e çdo votimi të veçantë, do të dylloseshin dhe ruheshin në arkivin sekret të Vatikanit. Duke revolucionarizuar vendimet e Gjonit të XXII-të, Papa Pali VI-të përcaktoi se të gjitha shkrimet e kardinalëve votues duhej të digjeshin së bashku me fletëvotimet. Megjithatë, mbetej në fuai dispozita mbi relacioni e shambellanit. Me t’u mësuar rezultati pozitiv i motimit, kardinali dekan kërkon konsensusin e të zgjedhurit: «Acceptasne electionem te canonice factam in summun Pontefice?». Me përgjigjen: «Accepto», Ati i Shenjtë i ri menjëherë vishet me autoritet papnor. Atij i kërkohet se çfarë emri do të marë për pontifikatin e tij: «Quo nomine vis vocari?». Pason veshja në dhomën e njohur si Camera lachrimatoria, ku janë gati të gjithë gjërat e veshjej. Kostumi apostolik ruhet në rrobaqepësinë vatikanase në 3 masa: një e madhe, një e vogël dhe një mesatare. Sigurisht që askush nuk kish parashikuar zgjedhjen e Patriarkut të Venecias Xhuzepe Ronkali (që u bë Gjoni XXIII-të) që u shtrëngua të “hynte” me forcë në një kostum me numër shumë më të vogël për të. Ndryshe nga Papa Paçeli që u shtrëngua të “notojë” në një prerje shumë të madhe. Pas veshjes pason homazhi i kardinalëve. Së fundi papa i ri i Kishës Universale i paraqitet besnikëve me formulën: Annuntio vobis gaudium magum! Habemus papam! Eminentissimum ac Reverendissimum Dominum Cardinalem [pason emri i të zgjedhurit në latinisht] Cardinalem Sanctae Romanae Ecclesiae [pason mbiemri] qui sibi imposuit nomen [pason emri i ri që papa i sapozgjedhur i ka vënë vetes]. Duke dalë në lozhën e jashtme të bazilikës së madhe të Shën Pjetrit, ai jep bekimin e tij të parë urbi et orbi (qytetit dhe botës). Në aktin e zgjedhjes, sapo u tha, Ati i Shenjtë i ri sipas traditës duhet të ndryshojë emrin e tij të dhënë nga pagëzimi. Simoni, më pas i bërë Pjetër, adoptoi këtë ndryshim me imponim të vetë Krishtit: «Dhe unë të them që ti je Pjetri dhe mbi këtë gur do të ngrej Kishën time dhe portat e Ferrit asnjëherë nuk do të dominojnë mbi ty. Dhe ty të jap çelësat e Mbretërisë së Qiejve: çfarëdo gjëje do të keshë tretur në tokë, do të tretet edhe ne qiej» (Mateu XVI, 1819). Pasuesit e Pjetrit që kanë mbajtur emrin e vet të pagëzimit deri ne vitin 532 me Gjonin II-të, që quhej Mërkurial ose Mërkur. Braktisja e emrit të marrë nga pagëzimi, që karakterizon lindjen e parë, tenton të evidentojë një lindje të dytë, në të cilën thirresh me zgjedhjen në katedrën e Pjetrit. Motivet që shtyjnë në zgjedhjen e një emri më shumë të një tjetri, natyrisht që janë të ndryshëm dhe nganjëherë enigmatikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›