Pranga për trafik prostitutash,të dënuarit me 8 vjet burg
05/02/2005 LAÇ - Arrestohet Kristian (Ilir) Gjonaj, 30 vjeç, nga qyteti i Laçit. Gjonaj është arrestuar në Rinas, tek tentonte të kalonte në aeroportin e Rinasit, për në Angli. Arrestimi i Kristian Gjonajt është bërë nën akuzën e trafikut të prostitucionit me qëllime përfitimi, pasi ai është i dënuar nga gjykata me tetë vite burg dhe ishte shpallur në kërkim për llogari të komisariatit Mirditë. Policia e Kurbinit, sipas burimeve zyrtare, kishte kohë që po e ndiqte Gjonaj. Ndërsa ai ishte pajisur me vizë për të kaluar në Angli, policia e ka bllokuar atë dhe e ka shoqëruar në qelitë e paraburgimit në Kurbin. Po sipas të njëjtave burime zyrtare të policisë, Kriastian Gjonaj, nga qyteti i Laçit, pasi ka marrë një vajzë, N.Laskën nga Fani i Mirditës, e kishte trafikuar në Itali, Holandë e së fundmi në Gjeorgji. Vajza nga Mirdita kishte mundur të largohej nga Gjonaj, duke u dorëzuar në polici dhe pasi kishte bërë denoncimin në Gjeorgji në polici dhe në një stacion televiziv ishte kthyer në Shqipëri, nga ku kishte bërë edhe denoncimin për të gjithë personat që ishin përfshirë në rrëmbimin e saj. Policia e Kurbinit kishte mundur të arrestonte Gjonajn edhe para tre vitesh, por pasi kishte qëndruar në dhomat e paraburgimit në Mirditë për 16 muaj, ai ishte lënë i lirë.