E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Portokalli": Gati prova e zjarrit

06/02/2005  Altin Basha

Në një shishe janë futur të gjithë ata që “vdiqën” nga “Portokalli”-a. Gjini mësues, Vini i Cajes, Silva, Llambi, polici, kryeministri i Kosovës, gazetare Ponja... e lanë spektaklin e Top Channelit. Në edicionin e tretë të “Portokalli”-së, prezantuesit dhe humoristit Agron Llakaj i duhet të bëjë homazh dhe t’u japë një vlerësim të veçantë ikjes së personazheve. Sonte në mbrëmje, aktorët kryesorë të spektaklit më popullor, që tenton kabaretë evropiane, do të sjellë aktorët me tjetër fytyrë.

Regjisori Altin Basha, thotë se kanë ndërruar identitetin 70 për qind e aktorëve, duke i shtuar programit dhe tri figura të reja. Realisht, nuk janë aktorë, por dilentantë interesantë për humor. Pasi kanë konsoliduar formatin e “Portokalli"-së, regjisori Basha, thotë se tani duhet të luftojnë rutinën dhe të mbrojnë aktorët nga konsumimi, duke kërkuar paraqitje të reja vizive. Ndërsa për televizionin, kjo shënon sfidën e parë, në tentativat e industrisë së spektaklit në ekranet tona.

Si është menduar ky edicion i tretë i "Portokalli"-së?

Një pjesë e personazheve të “Portokalli"-së, rreth 70 për qind, kanë ndryshuar ose më saktë figurat e reja që janë krijuar ndërrojnë identitet, disa janë po ata dhe të tjerë të rinj, vetëm 3-4 aktorë, të ardhur si rezultat i audicionit që ne zhvilluam. Por me Agronin kemi zgjedhur një numër personazhesh të reja, të cilët provohen për herë të parë sonte, që janë të panjohur dhe për publikun.

Dhe, sigurisht, shfaqja e parë është si të thuash prova e zjarrit; nëse janë këto karaktere të pëlqyeshme apo do të jenë jetëgjata. Besoj se kemi bërë zgjedhjet më të mira, duke i shtuar këtu dhe aktorët që janë me një eksperiencë tanimë të konsoliduar, gjë që na e kanë bërë më të lehtë punën. Por, gjithsesi, numri i aktorëve është rritur më shumë dhe vështirësia më e madhe tani është te menaxhimi i kualiteteve, se sa krijimi i tyre.

Pse e ndjetë nevojën për t’i ndryshuar identitetet e aktorëve në përmasa kaq drastike?

Për një projekt si “Portokalli”-a, kaq i gjatë, i cili është përballë publikut çdo javë, që është mjaft i diskutuar dhe më popullor, normalisht që ka dhe konsumin e vet. Nga ana tjetër jemi gjithmonë vigjilent për t’i mbrojtur aktorët nga humbja e publikut të tyre. Ndjekim se si zhvillohen figurat, se si pëlqehen dhe në fund të fundit kjo është një skenë krijimtarie, ku gjithmonë duhet të sjellësh gjëra të reja. Për këtë u bë më shumë se një vit që ne prezantojmë një numër figurash, që menduam se ishte rasti për t’i shfaqur

Nganjëherë krijohet ideja se të ndryshuarit bëhet për arsye konsumative, e cila duket më tepër si eksperimentim dhe jo konsolidim i një spektakli. Në rastin e “Portokalli"-së sa e vërtetë është kjo?

Mund të them me bindje se “Portokalli”-a është e konsoliduar, por, megjithatë nuk mund të përjashtojmë këtë spektakël nga risku i humbjes së audiencës. Ky është një format shumë i suksesshëm, i cili për të mbetur në këtë nivel kërkon një investim të vazhdueshëm dhe kujdes të jashtëzakonshëm nga njerëzit që e bëjnë. Normalisht, ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Në këtë mënyrë, përveçse pasurojmë spektaklin, ne mbrojmë dhe aktorët nga ajo që thashë, nga humbja e audiencës. Kjo nuk do të thotë që personazhet e tyre nuk mund të vazhdonin, por është një krijimtari. Çdo gjë e re që vjen, krijon të veçantën e vet.

Si regjisor është risk për ju të ndryshosh kaq shpesh figurën e aktorit?

Sigurisht, për çdo regjisor është risk të ndryshojë aktorët. Por mendoj se një nga sukseset më të mëdha të këtij spektakli është pikërisht prezantimi i një numri aktorësh të rinj, duke gjetur publikun e tyre pa shumë mundim, për shkak të aftësive të tyre. Kjo është arritje shumë e madhe, qoftë për shkollën ku janë edukuar, qoftë dhe nga talenti personal. Ne jemi krenarë që ky spektakël u bë pedana e suksesit të tyre popullor, sepse pjesa më e madhe e tyre ishin të njohur në teatër, kishin punuar dhe krijuar një lloj eksperience. Por disa ishin të rinj dhe “Portokalli”-a u bë një skenë e njohjes së tyre.

Cila është dora regjisoriale që i keni dhënë këtij edicioni ndryshe nga të tjerat, a e keni fokusuar tashmë modelin tuaj?

Sigurisht, ne shkojmë drejt përsosjes së konceptit. Në momentin kur kemi ndërtuar formatin e “Portokalli"-së, bluarja e ideve na ka marrë një kohë shumë të gjatë, sidomos katër drejtuesve; dy skenaristëve, Agron Llakajt, producentit të spektaklit, Hektor Pustina dhe mua. Duhet ta pohoj se tradita e kabaretit në Shqipëri është e re, por nuk është e re në botë.

Ndërkohë që kabareti është mjaft i njohur në Francë, Angli, Amerikë dhe në gjithë Evropën, sigurisht që vazhdon të ekzistojë paralel me teatrin, si një formë e veçantë artistike. E gjithë kjo eksperiencë botërore, nëse dikush do që ta konsiderojë si vlerë dhe mbi të të krijojë një eksperiencë të vetën, sigurisht e arrin këtë gjë. Për ne ishte e vështirë në kontekstin shqiptar, por mjaft e lehtë për informacionet që mund të merrnim. Në këtë sens, them që ishte i vështirë adaptimi i saj, natyralizimi në shijet e një spektatori, i cili nuk e kishte pasur këtë eksperiencë më parë. Por këto ishin dyshime teorike, sepse “Portokalli”-a, që në momentin që u shfaqën këto dyshime ranë dhe i tejkaloi parashikimet tona, tani është mjaft popullor. E vetmja gjë që na mbetet është që të luftojmë me rutinën që ne vetë mund të fitojmë si krijues të saj, për shkak të kohës së gjatë në cilën zhvillohet. Dhe për këtë arsye, ne vazhdimisht kërkojmë figura të reja, ide të reja dhe prezantime të reja vizive. Mbi të gjitha mund t’ju them se është një staf dhe suksesi qëndron në përgjegjësinë e madhe të këtij grupi pune, qoftë stafit të Top Channel si televizion, qoftë dhe të spektaklit të “Portokalli"-së.

Jemi pak kuriozë për kontigjentin e ri që keni marrë. Çfarë potencialesh kompensojnë ato në krahasim me të parët që lanë skenën dhe aktorët që janë aktualisht?

Ajo që garantoj është se janë disa personazhe interesante, që kanë specifikat e tyre si karaktere dhe si aktorë. Janë personazhe tipa. Po të kthehemi pak, them se ne kemi mbetur mjaft të kënaqur me zbulimin e Besit, në rolin e Gjinit. E para, sigurisht që është merita e tij, por në një kuptim ka dhe kontribut nga ne që, kjo figurë të plotësohet. Pikërisht nga kjo eksperiencë u shtymë për të pasur audicione të hapura, jo vetëm për profesionistë, siç e patëm edicionin e parë. Si rezultat dolën dy-tre aktorë, të cilët do të provohen në spektakël. Ajo që mund të them se, sipas ideve tona, janë dy-tre aktorë interesantë, karaktere simpatike, ku shpresojmë se dhe ata do të gjejnë publikun e tyre, si të tjerët. Ata janë krejtësisht të panjohur. Normalisht që ka nivele, por nuk mund të përcaktoj një shkallë aktorësh. Në “Portokalli” ka aktorë të nivelit të parë, por ka dhe aktorë, të cilët janë në një nivel më të ulët, që, gjithsesi ka publikun e tij. Kjo është e bukura e këtij spektakli. Çdo aktor ka publikun e tij dhe nuk është e thënë fakti që publiku ta shohë “Portokalli"-në vetëm se po sheh një projekt ose një program televiziv, por edhe se është tifoz i njërit apo tjetrit personazh.

A keni pasur vështirësi nga ato që quhen konflikte artistike?

Absolutisht ka vështirësi, në çdo javë jemi në konflikte artistike me njëri-tjetrin. Ajo që ka shpëtuar apo garantuar suksesin, ka qenë mirëkuptimi për të gjetur më të mirën e zgjidhjeve që propozojmë. Sigurisht, nëse te publiku mund të përcaktohen vlerat e njërit apo tjetrit, në laboratorin e “Portokalli"-së secili është i barabartë, në sensin e shtimit të kualitetit artistik të spektaklit. Në këtë kontekst, askush nuk përcaktohet si i pari i punës, apo i fundit, secili ka rëndësinë e vet.

Po koncepti vizual, sa rëndësi ka në këtë spektakël?

Në lidhje me atë që unë e konsideroj thelbin e suksesit, është bashkëpunimi në grup, sigurisht, duke u mbështetur në një staf të ngushtë bashkëpunëtorësh, që janë dy skenaristët kryesorë, humoristi Agron Llakaj, skenografi Fatmir Minga dhe kostumografia Ilirjana Loxha, të cilët në përgjithësi kujdesen secili në fushën e vet, por, gjithsesi japin një kontribut për të tërën e “Portokalli"-së. Sigurisht një nga elementët që mund ta keni vënë re që ne e zotërojmë shumë është vizualiteti i spektaklit, i cili lidhet me skenografinë, që ka një stil dhe skenë funksionimi disi të veçantë. Nëpërmjet lëvizjeve rrotative krijohen disa vende veprimi, duke i shkuar pas dhe vizualiteti i kostumeve, që përcjell zhvillimin e një spektakli të shumëngjyrshëm, aktiv, dinamik, ku çdo personazh është gjetje më vete. Në këtë frymë realizohet vizualiteti i një spektakli të gjallë e gazmor, duke sjellë të papritura çdo javë me personazhet e veta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›