E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Dosja e Hagës" dhe Kosova

06/02/2005  “Dosja e Hagës” edhe njëherë është aktualizuar në Kosovë. Kësaj radhe duket se çështja është më serioze sesa në dhjetor të vitit të kaluar. Tashmë nuk bëhet fjalë për intervista apo “biseda informative” të hetuesve të Tribunalit të Hagës me dëshmitarë apo të dyshimtë. Tashmë fjala është për fuqizimin e dosjes së krimeve, të hetuara nga kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, znj. Karla Del Ponte dhe kohës së arrestimit të të dyshuarve.

Sipas burimeve të sigurta, kryeprokurorja e Tribunalit apo “zonja e hekurt”, Karla Del Ponte, ka përfunduar në fund të dhjetorit hetimet për dy raste të krimeve në Kosovë dhe dosjen e kompletuar ia ka dorëzuar panelit të pesë gjyqtarëve të Tribunalit. Sipas procedurës gjyqësore, tash i mbetet panelit të pesë gjyqtarëve që të fuqizojnë këto dy dosje të hetimeve dhe kështu të japin urdhrin për arrestimin e të dyshuarve.

Për ekzisitimin e këtyre dy dosjeve, ku mund të përfshihen prej 12 deri në 16 veta, kryesisht ish-luftëtarë të UÇK-së, e në mesin e tyre edhe komandantë të lartë të saj, vetë znj. Del Ponte ka njoftuar disa herë opinionin. Aja ko thënë se është në përfundim e sipër të hetimeve rreth këtyre dy dosjeve, dhe se deri në fund të vitit 2004 “dosja” do të jetë komplete. Del Ponte tashmë ka përfunduar punën e saj dhe fjalën e kanë gjyqtarët e Tribunalit. Pra, e gjithë procedura gjyqësore është në fazën përfundimtare të saj.

Por, ka një mundësi që e gjithë puna e kryeprokurores të “hudhet posht” dhe paneli i gjyqtarëve të mos gjej bazë për ngritje të aktakuzës. Ky version është shumë pak i besueshëm, por teorikisht i mundshëm. Në fakt, nga praktika e deritashme dihet se të gjitha hetimet e prokurorisë së Tribunalit janë marrë parasysh nga gjyqtarët e Tribunalit dhe janë ngritur aktakuza. Ndërkaq, trupi gjykues në rastet shumë të rralla ka lirar ndonjë të akuzuar për krime luftë nga territori i ish-Jugsollavisë.

Bazuar në këtë praktikë atëherë është shumë më i besueshëm varianti i ngritjes së aktakuzave nga paneli gjyqësor, sesa refuzimi i hetimeve të prkurorisë nga ky panel gjyqësor.

Burime po ashtu të sigurta bëjnë të ditur se dhjetëditëshi i parë i shkurtit do të jetë vendimtar për Kosovën. Brenda këtyre ditëve do të mbërrijë në komandën e KFOR-it në Prishtinë lista me emrat e personave të akuzuar dhe do të jetë gjenerali Yves de Kermabo, ai që do të vendos për mënyrën dhe kohën e realizimit të urdhrit të Tribunalit.

Konsultimet mes policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it në rast të eskalimit të situatës në Kosovë

Paralelisht me këtë situatë, kreu i UNMIK-ut, i KFOR-it dhe zyrtarë të sigurisë nga zyra amerikane dhe ajo britanike kanë zhvilluar konsultime të shpeshta. Këto konsultime kanë filluar më 7 janar 2005 dhe kanë vijuar gjatë tërë kohës për të vlerësuar situatën dhe eskalimet e mundshme, në rast të fuqizimit të aktakuzës së Tribunalit të Hagës.

Konkludim i përbashkët i këtyre konsultimeve është se policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i duhet të përgatiten për çdo skenar të mundshëm, përfshirë edhe eskalimin e situatës në trazira masive. Kjo përgatitje për shkak të njoftimeve se dikush mund të organizojnë trazira dhe madje konfrontime të armatosura. Madje, njësitë speciale të policisë së UNMIK-ut janë duke bërë stërvitje 72 orëshe për të ushtruar reagimin në situata të jashtëzakonshme.

Stresi politik i Soren Jessen-Petersenit dhe dilemat ligjore të Kornizës Kushtetuese!

Ndërkohë, nga të gjithë ndërkombëtarët në Kosovës, më së shumti është i stresuar përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm, z.Soren Jessen-Petersen. Një aktakuzë e mundshme dhe një eskalim eventual i situatës në Kosovë do të mund të interpretohej edhe si dështim i misionit të tij, pasi ai më parë ka patur disa rekomandime që të mos pranojë koalicionin aktual mes LDK-së e AAK-së.

Por, në gjithë këtë “mishmash” politik e juridik, ka një dritare të “shpëtimit”. Në Kornizën Kushtetuese të Kosovës ekziston një nen, në të cilin theksohet se personi që ka vuajtur dënim apo është i akuzuar nga Tribunali nuk mund të kryejë asnjë funksion publik. Megjithatë, në versionin anglisht (që është versioni zyrtar) përdoret termi indicted që në proviniencën e gjuhës angleze qëndron në mes të kuptimit i akuzuar dhe i dënuar dhe nuk e definon qartë pozitën e personit, që është subjekt i kësaj çështjeje.

Kështu, zyrtarët e lartë ndërkombtarë (përfshirë edhe zyrat e huaja) janë të brengosur me mundësinë që në rast të një aktakuze eventuale ndaj Ramush Haradinajt, Kryeministri, duke u bazuar në këtë nen të versionit anglisht të Kornizës Kushtetuese, Kryeministri të mos jap dorëheqje, por të kërkojë mbrojtje në liri dhe në këtë rast ai do të vazhdonte detyrën e tij. Në rast të një skenari të tillë, Qeveria përkohësisht do të mund të udhëhiqej edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kjo e shpjegon interesimin e shtuar të disa përfaqësuesve ndërkombëtarë që kanë treguar për t’u takuar me zëvendëskryeministrin, z.Adem Salihaj.

Këto dilema shtrohen nga ndërkombtarët dhe deri më tani mendimi mbizotërues është se megjithatë vendi do të zhytet në një krizë qeveritare dhe do të vihet në situatën të zgjedhë në mes të zgjedhjeve të reja apo formimit të një koalicioni më të gjerë në krye me Hashim Thaçin nga PDK-ja.

A do të mund të mbrohej në liri Ramush Haradinaj?

Ngritja eventuale e aktakuzës ndaj Ramush Haradinajt, Kryeminsitër aktual i Qeverisë së Kosovës pos se do të provokonte trazira të mundshme në Kosovë, edhe në aspektin politik e institucional do të shtroheshin mjaft dilema.

Por, në rast të një aktakuze të mundshme kundër Kryeministrit shtrohen dy pyetje:

E para, a do të pranojë Kryeministri bashkëpunimin me Tribunalin, që nënkupton bashkëpunimin pa kushte?

E dyta, nëse Kryeministri e pranon bashkëpunimin, atëherë a do të japë ai dorëheqje nga posti i Kryeministrit?

Por ka edhe një variant tjetër, atë të mbrojtjes në liri të Kryeministrit Haradinaj.

Kështu, qoftë edhe në mbrojtje në liri, Ramush Haradinaj do të kishte detyrime ndaj Tribunalit dhe shtrohet pyetja sa do të zgjaste kjo periudhë e “gjykimit” në mbrojtje në liri e Haradinajt? Ndërkohë, nëse Qeveria do të udhëhiqej nga zëvendëskryeministri, atëherë sa do të jetë i arsyeshëm koalicioni LDK–AAK, nëse LDK-ja do të udhëhiqte me tre postet kryesore të institucioneve të Kosovës? Ose, a do të jetë zëvendëskryeministri i pranueshëm për ministrat e AAK-së?

Ndërkohë do të jetë shumë interesant edhe pozicioni i Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës dhe kryeparlamentarit Nexhat Daci në një situatë të tillë?

Një çështje mjaft interesante jo vetëm politike do të ishte fakti se a do të mbijetojë AAK-ja pa Ramush Haradinajt, apo do të shpërbehej në disa grupe? Kjo është një dilemë që ndërlidhet edhe me vetë fatin e koalicionit. Ekziston një bindje e përgjithshme se mungesa e liderit do të shkaktojë përçarje të brendshme dhe do të rezultojë me shpërbërjen e AAK-së.

Aktakuza e mundshme ndaj Ramush Haradinajt do të dobësonte edhe pozicionin e dr. Ibrahim Rugovës kundrejt kundërshtarëve të koalicionit përbrenda partisë së vet dhe do të rriste presionin mbi të për të kërkuar një mandatar të ri. Përballë një presioni të tillë, Presidenti do të gjendet edhe në raport me ndërkombëtarët, pasi që këta të fundit do të gjenden nën presionin e Beogradit.

Petersen e Haradinaj në OKB, a ka kaluar “rreziku” për Kryeministrin?

Por, jo të gjitha rrugët janë mbyllur për rrugëtimin normal politik e institucional të Kosovës drejt përmbushjes së standardeve dhe fillimit të bisedimeve për statusin final të Kosovës. Ndërkohë duket se edhe “rreziku” për arrestimin e Kryeministrit të Kosovës tashmë është tejkaluar. Fakti se PSSP-ja e ka ftuar Kryeministrin e Kosovës për vizitë në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork, në fund të shkurtit jep shpresa se Ramush Haradinaj nuk është emri i “listës së zezë” të Karla Del Pontes.

Gjithashtu duhet shtuar se në asnjë nga instancat ndërkombëtare në Kosovë nuk ka asnjë plan konkret për arrestim të mundshëm të Kryeministrit Haradinaj. Madje, te pjesa dërmuese e ndërkombëtarëve vlerësohet se një gjë e tillë do të ishte çmenduri për Kosovën dhe rajonin. Kategoria e tillë e ndërkombëtarëve, konkludimet e tilla i nxjerrin, duke u mbështetur në deklarimet e Kryeministrit se ai do të dorëzohet vullnetarisht në rast se eventualisht kjo do të kërkohej prej tij.

Sidoqoftë, përgjatë shkurtit në Kosovë do të ndizet “drita e kuqe”, apo do të fillojë “ora policore e Tribunalit të Hagës”. Se kush do të pësojë në këto “aksidente të komunikacionit” tash për tash këtë e dijnë vetëm hetuesit e Tribunalit të Hagës, kryeprokurorja Karla Del Ponte, paneli gjyëqsor i Gjykatës së Hagës dhe në fund edhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Yves de Kermabo. Kur të gjithë këta zyrtarë të lartë gjyqësor e ushtarak ta kryejnë punën e tyre me sukses, do të merret vesh edhe opinioni i gjerë në Kosovë.

Deri atëherë, kujdes “semaforët e kuq” dhe “orën policore” nëpër rrugët e Kosovës. Kjo vlen posaçërisht për ata që i ka “në shënjestër” Tribunali i Hagës…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›