Akti normativ, qeveria kuoton në bursë naftën e “Albpetrol”-it Produktet e kompanisë shtetërore të naftës, “Albpetrol”, do të shiten me çmim burse, duke synuar rritjen e të ardhurave për shoqërinë që
Produktet e kompanisë shtetërore të naftës, “Albpetrol”, do të shiten me çmim burse, duke synuar rritjen e të ardhurave për shoqërinë që është në prag privatizimi. Aktualisht, kompania operon me çmime fikse tepër të ulëta, të cilat vendosen dhe rishikohen me kontratë, ndërsa me rregullin e ri, do t’i shesë sipas çmimit të bursës, që aktualisht është i lartë, rreth 75 dollarë për fuçi. Megjithatë, vendosja sipas kushteve të bursës e bën “Albpetrolin” të jetë në varësi të tregjeve të huaja dhe në rast ulje të çmimit, atëherë edhe kompania është e detyruar t’i përgjigjet sjelljes së tregut ndërkombëtar. Vendimi është marrë nga qeveria më 16 qershor, me një akt normativ dhe me propozim të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ndryshimi prek ligjin “Për hidrokarburet”, nenin 12 që flet për kërkimin dhe prodhimin, ku thuhet se “marrëveshja ‘Albpetrol’ lejon kompaninë t’i tregtojë produktet hidrokarbure për tregun vendas apo për eksport sipas çmimit të bursës ndërkombëtare për hidrokarburet”. Me çmimet aktuale në tregje, fitimet e kompanisë do të ishin të konsiderueshme, për rrjedhojë edhe detyrimet që paguan në shtet në formë taksash do të jenë të larta. Specialistë të fushës shpjegojnë se nisur nga cilësia e naftës vendase, jo i gjithë çmimi në bursë do të merret në konsideratë, por mund të operohet duke vendosur një nivel zbritës fiks për çdo fuqi. Të dhënat e 5-mujorit tregojnë se kompania po i rrit të ardhurat nga shitja e naftës bruto (të papërpunuar). Vetëm për buxhetin e shtetit, kompania ka derdhur në formë taksash rreth 8 milionë dollarë. Aktualisht ministria e ka nxjerrë në shitje “Albpetrol”-in, proces që pritet të mbyllet brenda vitit.
Rruga e Arbrit, punimet vonohen nga shpronësimet
Ndërtimi i Rrugës së Arbrit në lotin Bulqizë-Ura e Vashës, 17 kilometra i gjatë, ka hasur pengesa, pasi banorët në tokat dhe banesat e të cilëve kalon rruga, kërkojnë të shpronësohen përpara ndërtimit të saj. Banorët e fshatit Plani i Bardhë, në Bashkinë e Klosit të Rrethit të Matit kanë protestuar herë pas here duke bllokuar punimet në këtë rrugë, pasi kërkojnë të kompensohen për tokat dhe shtëpitë që u dëmtohen nga ndërtimi i saj. Në të gjithë gjatësinë e rrugës në këtë fshat, prej më shumë se 1 kilometër, dëmtohen veç tokave të bukës edhe rreth 1000 varre, duke përfshirë edhe 4 varre ish-klerikësh myslimanë, si dhe 10 shtëpi të vjetra banimi mbi 200-vjeçare. Banorët e këtij fshati të cilëve u dëmtohet toka apo shtëpitë nga ndërtimi i rrugës, duhet të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për t’u kompensuar nga qeveria. Kjo sipas banorëve është pothuajse e pamundur për ta, pasi ata e konsiderojnë këtë thjesht një sorollatje. Zgjidhja e problemit të tokave bëhet më e vështirë po të kemi parasysh se nga verifikimet e bëra në regjistrat kadastralë të tokave të këtij fshati janë vërejtur mospërputhje të tapive.
Dhoma e Tregtisë binjakëzohet me homologen e saj të Udines në Itali
Një delegacion i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, i kryesuar nga kryetari i saj, Nikolin Jaka, bëri një vizitë dyditore në rajonin italian të Friuli-Venecia-Gulias. Më 30 qershor u zhvillua në ambientet e Dhomës së Tregtisë e Industrisë dhe Artizanatit të Udines një seminar me temë “Njohja, tregtia dhe investimet në Shqipëri”, me pjesëmarrje të gjerë të biznesmenëve dhe investitorëve italianë që janë tashmë në Shqipëri. Pjesëmarrësit i përshëndeti zëvendëspresidenti i Dhomës së Udines, Marko Bruseschi, i cili foli për mundësitë e investimeve në fushën e energjetikës në Shqipëri. Nga ana e tij, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Jaka, shpjegoi me detaje fushat ku mund të investohet sot në Shqipëri, në planin afatmesëm dhe afatgjatë. Në prani të një audience të gjerë, të dyja dhomat e tregtisë firmosën një memorandum bashkëpunimi, që konsiston në forcimin e lidhjes mes tyre në drejtim të shkëmbimit të informacionit.
7 Korrik 2010