E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni turistik, Mali i Zi na mëson se si konkurrohet në këtë treg



Ervin KOÇI

Fqinjët dhe vëllezrit tanë të Malit të Zi na dhanë dje një leksion të mirë se si mund dhe duhet të bëjmë prokopi në atë që e konsiderojmë si sektor prioritar, turizmin. Dhjetëra përfaqësues të hoteleve dhe restoranteve nga Ulqini e Budva e Malit të Zi pushtuar dje zemrën e Tiranës. Në qendër të ish-Bllokut që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, syri të shikonte disa stenda të vendosura me estetik në rrugët dhe trotuaret kryesore të kësaj zone, fare pranë kafeneve dhe lokaleve më të frekuentuara, të cilat mbanin logot dhe reklamat e shtëpive të pushimit, hoteleve dhe resorteve turistik të vendit fqinj. Disa vajza malazeze të gjata, simpatike dhe plot finesë u shtonin lezetin këtyre stendave dhe tërhiqnin kalimtarët e shumtë të cilët qëndronin dhe nisnin të merrnin fletushkat dhe katalogët informative me të dhënat mbi turizmin malazez. Andej nga mesdita, interesi i kalimtarëve të shumtë të zonës më të zhurmshme dhe më të frekuentuar të Tiranës arriti kulmin, ku pjesa më e madhe të rinj e adoleshentë, qëndronin pranë stendave dhe njiheshin me mundësitë e pafundme që ofronin brigjet e Malit të Zi për të kaluar disa ditë të rehatshme pushimesh dhe ma shpenzuar shumë. Budva, Ulqini, Tivari dhe të tjera qytete bregdetare malazeze, duket se fituan brenda pak orësh simpatinë dhe premtimin e dhjetëra e qindra qytetarëve të Tiranës që shprehën dëshirën për të kaluar këtë vit pushimet e tyre pikërisht në plazhet e Malit të Zi.

Si na konkurrojnë
Përveç cilësisë së lartë në shërbimet turistike, operatorët turistik malazez u dhanë dje një leksion mjaftë të mirë homologëve të tyre shqiptar edhe në mënyrën se si konkurrohet. Sllogani i këtyre përfaqësuesve të turizmit të Malit të Zi ishte “të ofrojmë çmime 30% më të lira se hoteli më i lirë në Durrës”. Për këtë qëllim në stendat e reklamuara në qendër të Tiranës, përveç informacionit për hotelet dhe restorantet në vendin fqinj, qytetarët njiheshin dhe me një pasqyrë krahasuese çmimesh të marra nga restorantet dhe hotelet kryesore të plazhit të Durrësit e Vlorës. Diferenca ishte krejt e dukshme. Çmimet e ofruara nga hotelet dhe restorantet e Ulqinit ishin disa herë më të lira se sa ato të plazheve shqiptare dhe fare lehtë mund të ngazëllenin cilin do shqiptar. Për më tepër këto çmime ishin edhe fare lehtë të përballueshme edhe për shtresat nën mesataren, ku vetëm për një dhomë me qira në Ulqin (me të gjitha kushtet) për një javë vetëm për fjetjen, një çift mund të paguante maksimumi 75 euro bashkë me taksën e banimit. Në qytetin e Ulqinit mundësitë për të kaluar pushime familjare dhe jo të kushtueshme, ishin për të gjitha shtresat e shoqërisë. Sipas Kryetarit të Shoqatës së Turizmit në Ulqin, Ali Rexha, qyteti i tij ofronte mundësi të shumta akomodimi për të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare. “Akomodimi mund të nisë nga dhomat që merren me qira për disa ditë në shtëpitë e qytetarëve të Ulqinit, të cilat kushtojnë nga 46-75 euro për fjetje, e deri tek hotelet me 3, 4 dhe 5 yje ku një dhomë për një çift mund të kushtojë nga 154 – 280 euro për një javë”, - thotë Ali Rexha, Kryetari i Shoqatës së Turizmit në Ulqin.

Tregu turistik
Operatorët shqiptar të turizmit po ndeshet me konkurrencën e fqinjëve tanë veri-perëndimor, të cilët në sektorin turistik janë shumë më përpara se ne dhe prej të cilëve kemi shumë për të mësuar. Operatorët malazez po ofrojnë aktualisht çmime shumë më të ulëta për turistët shqiptarë edhe se të gjitha vendet e tjera të cilat shqiptarët i kanë pasur deti tani destinacion. Mali i Zi është kthyer tashmë në një destinacion turistik për shumë shqiptarë, si gjatë sezonit veror, ashtu edhe atij dimëror. Ofertat joshëse, me çmime konkurruese, infrastruktura moderne në sektorin hotelier, por edhe shërbimi cilësor, ka bërë që shqiptarët të preferojnë gjithmonë e më shumë zonat turistike të Malit të Zi. Përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Malit të Zi dhe Komuna e Ulqinit, nisën pikërisht dje promovimin e këtyre vlerave turistike të tyre në Tiranë, nën moton “Pushime me çmime atraktive”. Vitin e kaluar Malin e Zi e vizituan mbi 1 milion e 178 mijë turistë, ku mbi 36 mijë ishin nga Shqipëria, të cilët kanë bërë 186 mijë fjetje. Turistët shqiptarë në Mal të Zi zënë vendin e dytë pas rusëve. Nëse vija bregdetare e Malit të Zi është rreth 170 km, në Shqipëri kjo është dyfish më shumë. Por tendenca është që, disa herë më shumë turistë nga Shqipëria shkojnë të pushojnë në Malin e Zi, sesa lëvizja e kundërt. Në bazë të statistikave të fundit shqiptarët përbëjnë 25 për qind të numrit të përgjithshëm të turistëve në Malin e Zi, duke zënë vendin e dytë, pas rusëve, që arrijnë në rreth 28 për qind.

Fierakët sfidojnë krizën, pushimet jashtë vendit

Për fierakët nuk ka krizë ekonomike. Shumë banorë të qytetit të Fierit edhe për këtë sezon veror kanë preferuar që pushimet t’i kalojnë jashtë vendit, duke sfiduar kështu krizën ekonomike. Kjo vërtetohet nga të dhënat e agjencive turistike, që operojnë aktualisht në këtë qytet. Ato sqarojnë se janë bërë me dhjetëra prenotime për pushime jashtë vendit. Operatorët turistikë në Fier thonë se kanë nisur prej më shumë se dy javësh prenotimet për pushime jashtë vendit, dhe fluksi i tyre nuk ka ndryshuar aspak krahasuar me vitet e tjera. Madje ata shtojnë se, sivjet këto prenotime kanë qenë në rritje. Vendet më të preferuara vazhdojnë të jenë Turqia, Kroacia, Dubai, Mali i Zi dhe Egjipti, por nuk mungojnë edhe prenotimet për në bregdetin e Spanjës apo të Karaibeve.

Asfaltohen 10 kilometrat e para të aksit Levan-Vlorë, Olldashi inspekton punimet

Nisi dje asfaltimi i kilometrave të para të autostradës Levan-Vlorë. Puna nisi në të gjithë segmentin e kësaj rruge dhe aktualisht po punohet intensivisht. Punimet në këtë autostradë kanë pasur një fillim jo të mirë si rezultat i mungesës së organizimit dhe mobilizimit të firmës kontraktuale “Alpin-Bau” dhe të problematikave të saj të brendshme me nënkontraktorët. Në lidhje me këtë rrugë Ministri i Transportit, Sokol Olldashi tha se: “Jemi në kulmin e punimeve në sektorin e rrugëve. Inspektimi i tanishëm në segmentin Levan-Vlorë është mjaft pozitiv. Është një projekt me të cilin ne kemi pasur probleme jo të vogla, probleme të cilat përfundimisht duket se janë zgjidhur, dhe progresi i punëve tregon që ka një ndryshim rrënjësor të situatës”. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe menaxheri i firmës kontraktuale “Alpine-Bau”, i cili theksoi kapërcimin e problemeve të shfaqura dhe rritjen e intensitetit të punimeve. “Kishim disa probleme të cilat tashmë i kemi zgjidhur dhe po punojmë intensivisht në realizimin e këtij projekti dhe mbas disa muajsh progresi do të jetë edhe më i dukshëm në të gjithë segmentin”. Kompania ka bërë një ndryshim të detyruar të të gjithë stafit drejtues dhe të nënkontraktorëve dhe ka filluar mobilizimin e plotë të punimeve sidomos në pjesët kritike të këtij segmenti, siç është ura e Ferrasit dhe ajo e Vjosës të cilat duhet të përfundojnë brenda këtij viti. Autostrada Levan-Vlorë ka një gjatësi prej 25 km, gjerësi prej 31.5 m dhe përbëhet nga 4 korsi. Shpejtësia e lëvizjes së mjeteve do të jetë 120-130 km/orë dhe punimet priten të përfundojnë në verën e vitin 2011.

7 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›