PE-ja, sot seancë për Shqipërinë, pritet miratimi i Rezolutës Eljona Ballhysa - Sot pas mesditës, Parlamenti Europian në Strasburg do të debatojë për situatën politike në Shqipëri dhe hapat që ka marr
Eljona Ballhysa - Sot pas mesditës, Parlamenti Europian në Strasburg do të debatojë për situatën politike në Shqipëri dhe hapat që ka marrë vendi ynë drejt integrimit në BE. Në axhendën zyrtare të Parlamentit Europian është parashikuar që seanca për Shqipërinë të zhvillohet pas orës 15:00 të ditës së sotme dhe në rendin e ditës është përfshirë miratimi i Rezolutës së hartuar nga raportuesi Nikolas Kauntis, që u miratua pak javë më parë me unanimitet në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. Po gjatë seancës së sotme PE-ja ka parashikuar që të debatojë edhe për situatën politike në Kosovë. Ndërkaq, drejt Strasburgut janë nisur që dje deputetët shqiptarë, anëtarë të delegacionit parlamentar në PE, përfaqësues të të dyja forcave politike, si të PD-së, ashtu dhe të PE-së.
Rezoluta
Rezoluta për Shqipërinë përmban 44 pika, në të cilat konstatohet situata politike, problemet e saj, jepen sugjerime për përmirësime dhe nxitet e gjithë klasa politike që të bashkëpunojë për ecurinë e mëtejshëm të procesit të integrimit në BE.
Në paragrafët e parë të Rezolutës vihet të dukje fakti se Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit me Shqipërinë ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2009 dhe se vendi ynë, më 28 prill të 2009-s, ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE; më 14 prill 2010 qeveria shqiptare ka dorëzuar Pyetësorin dhe se Komisioni Europian është duke përgatitur opinionin për Shqipërinë. Më tej në Rezolutë saktësohet se “progresi i çdo vendi drejt BE-së varet vetëm nga përmbushja e kritereve të Kompenhagës dhe nga përmbushja e kushteve që lidhen me procesin e stabilizim-asociimit”.
Në Rezolutë konfirmohet se Shqipëria ka mbështetje të plotë në lidhje me kërkesën për anëtarësim në BE, në momentin që do të përmbushë kriterin e Kopenhagës përsa i përket stabilitetit politik. “Vlerësojmë progresin e arritur nga Shqipëria në kuadër të realizimit të reformave, por theksojmë nevojën për përpjekje të mëtejshme substanciale, të cilat janë të nevojshme për të konsoliduar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Shprehim keqardhjen për krizën politike që përfshiu vendin pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 dhe theksojmë se funksionimi i institucioneve shtetërore, veçanërisht parlamenti, është shtylla kurrizore e sistemit demokratik; një prioritet kyç për partneritetin europian, si dhe një kriter i rëndësishëm politik për integrimin në BE. Ne mirëpresim vendimin e opozitës për të marrë pjesë aktive në punën e Parlamentit shqiptar, por shpreh keqardhjen për faktin se, në dritën e bisedimeve të nxituara edhe nga BE-ja, një konsensus ende nuk është arritur në lidhje me zgjedhjet e 2009-s. Ne u kërkojmë të gjitha palëve politike që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv politik; duke përfshirë diskutimet mbi një ligj të ri zgjedhor që siguron një proces sa më transparent zgjedhor në të ardhmen; si dhe zgjidhja e krizës politike të gjendet vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe parimet e transparencës”, - shkruhet në Rezolutën e PE-së. Në këtë rezolutë i bëhet thirrje opozitës që të marrë pjesë në miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar votash dhe që janë të rëndësishme për përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga BE-ja. Rezoluta thekson nevojën e një konsensusi të të gjitha partive politike përsa i përket situatës politike, ekonomike dhe sociale në mënyrë që të përmirësohet ndjeshëm niveli i jetesës së qytetarëve shqiptarë. Në rezolutë përshëndetet vendimi i Komisionit më 27 maj 2010 për t’i hapur rrugën liberalizimit të vizave për shqiptarët. Anëtarët e Komisionit të Jashtëm të PE-së, i bëjnë thirrje qeverisë dhe opozitës që të vazhdojnë bashkëpunimin për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Një tjetër sugjerim i ndërkombëtarëve për qeverinë shqiptare është zgjidhja e konflikteve që rrjedhin nga prona private. Në Rezolutë bëhet thirrje që të respektohet e drejta e pronës private dhe të realizohet kompensimi në ato raste kur nuk mund të ketë kthim të pronës. Në Rezolutë ka dhe pika të tjera që lidhen me respektimin e të drejtave të minoriteteve, veçanërisht atij rom, përmirësimin e transportit publik, si dhe shfrytëzimin e burimeve të pastra energjetike. Kjo rezolutë pritet të miratohet gjatë seancës së sotme të Parlamentit Europian.
Komisioni i Jashtëm miraton kandidatët për ambasadorë, Cicin dhe Isakun
Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme zhvilloi dje një seancë dëgjimore me kandidatin për ambasador në Mbretërinë e Danimarkës, Arben Cici dhe me kandidatin për ambasador në Republikën e Sllovakisë, Agim Isaku. Gjatë prezantimit të përgjithshëm të kandidaturave, përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme theksuan se qeveria shqiptare i jep rëndësi të veçantë hapjes së selive diplomatike në të gjitha vendet e BE-së, si hapa strategjikë në procesin e integrimit europian të vendit. Kandidati Cici, gjatë prezantimit për deputetët, shpjegoi misionin e tij si diplomat karriere dhe vlerësoi emërimin si ambasador në Mbretërinë e Danimarkës, një nga vendet më të vjetra të Bashkimit Europiane dhe me influencë të veçantë në rajonin e Ballkanit. Cici tha se prioritet i axhendës së tij diplomatike në Mbretërinë e Danimarkës do të jetë bashkëpunimi mes parlamenteve të dy vendeve në vijim të diplomacisë parlamentare, programeve të asistencës në fushën e mbrojtjes, arsimimit, edukimit, zhvillimin të zonave të varfra etj.
Kandidati për Ambasador të Jashtëzakonshëm i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Sllovakisë, Agim Isaku, tha se dy vendet kanë fusha me interes të përbashkët dhe se hapja e ambasadës në këtë vend, do të çojë dhe më tej përpjekjet diplomatike për integrimin europian të Shqipërisë. Të dy kandidaturat morën mbështetjen e plotë të deputetëve të maxhorancës dhe opozitës.
Topalli uron Presidentin e ri të Polonisë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka uruar dje Presidentin e sapozgjedhur të Polonisë, Bronislav Komorovski, ish-kryetar i Parlamentit polak. Topalli në letrën e urimit ka shprehur besimin se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Polonisë do të intensifikohen edhe më shumë në të ardhmen. “Dëshiroj t’Ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj në postin e Presidentit të Republikës të Polonisë dhe t’Ju uroj suksese në detyrën e madhe që Ju është besuar. Gjithashtu përgëzoj popullin polak për zgjedhjet e suksesshme. Duke vlerësuar lart eksperiencën Tuaj politike, unë besoj fort se gjatë presidencës Tuaj marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Polonisë do të intensifikohen akoma më shumë, në interes të dy vendeve tona dhe besoj se Shqipëria do të gjejë tek Polonia një mbështetëse të fuqishme të perspektivës së saj europiane”, - përfundon mesazhin e saj të urimit kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.
7 Korrik 2010