Paratë për investime, Financat e shpallin korrikun muajin e kredi-marrjes
Ervin KOÇI - Të gjitha projektet e investimeve publike të planifikuara për të nisur në gjysmën e dytë të vitit 2010, si dhe ato që kanë nisur që në pjesën e parë të vitit, rrezikojnë të mbeten të pa përfunduara. Shkak për këtë është mungesa e parave në arkën e shtetit, e cila për pjesën e mbetur të vitit rrezikon të reduktohet edhe më tej. Një nga shkurtimet më të mëdha në buxhet do të prekin pikërisht edhe zërin e investimeve në infrastrukturë, ku shumë projekte rrugësh nacionale rrezikojnë të mbesin të papërfunduara deri në pritje të buxhetit të ri të vitit 2011. Por për të mos pa punë lënë një pjesë të kompanive të cilat i kanë nisur prej kohësh punimet në disa prej akseve kombëtare, Ministria e Financave ka planifikuar marrjen e disa kredive të reja nga tregu i brendshëm bankar. Për këtë qëllim MF-ja ka ndryshuar planin e huamarrjes, nisur nga disa faktorë të brendshëm, duke e përshpejtuar atë nga gushti për këtë muaj (korrik). Në kalendarin e ankandeve të bonove, ishte parashikuar emetimi i letrës me afat 12-mujor, 11.6 miliardë lekë, por papritur Financat kanë rritur kërkesën me 3 miliardë lekë të tjera, duke e çuar në 14.6 miliardë lekë. Sipas MF-së, shuma e rritur nuk prek kufirin total, pasi ka qenë e planifikuar për t’u marrë në muajin gusht, por për arsye që lidhen me shtyrjen e eurobondit dhe shmangien e presionit të bankave tek interesat, u pa e arsyeshme ndryshimi i kalendarit.
Ankandet
Këtë muaj, Ministria e Financave ka planifikuar të kryejë dy ankande me vlerë 55.8 miliardë lekë, ku 25 miliardë e 650 milionë lekë janë bono thesari me afat maturimi 12-mujore, 17 miliardë lekë për afat 3-mujor, si dhe 13 miliardë e 180 milionë lekë janë bono me afat 3-mujor dhe që të gjitha janë borxhe që u merren bankave të nivelit të dytë të tregut vendas. Por sipas MF-së pretendohet se, jo e gjithë huamarrja është e re, pasi në shumën totale prej 55.8 miliardë lekësh janë vendosur edhe operacionet e riskedulimit, maturimit të shumës. MF-ja nga ana e saj, është duke mbajtur nën kontroll bankat, duke bërë të ditur çdo hap dhe qartësimin rreth ankandeve, në mënyrë që të mos ketë presione mbi interesat e bonove. Të gjitha këto ndryshime vijnë në një kohë kur emetimi i eurobondit nuk pati sukses, për shkak të pasigurive në tregje. Ndryshimi i shumave që emeton ministria është një çështje e brendshme e saj dhe kryhet në varësi të situatës, si dhe për të shmangur vështirësitë për Drejtorinë e Thesarit.
Huamarrja
Qeveria e ka rritur huamarrjen nga bankat private në vend si pamundësi për të dalë në tregun e huaj duke emetuar eurobondin. Të dhënat tregojnë se për gjysmën e parë të vitit qeveria ka marrë borxh në tregun e brendshëm plot 20 miliardë lekë ose 4 herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, kur kredia për sektorin privat ishte sipas Shoqatës së Bankave vetëm 9 miliardë lekë, shifër kjo më e ulët edhe se sa ajo e vitit të kaluar, kur sistemi bankar po përballej me tërheqje masive të depozitave dhe bankat nuk kishin fonde të lira. Nga ana tjetër, gjendja e likuiditetit në banka paraqitet pozitive. Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, depozitat në banka janë rritur me 30 miliardë lekë. Mbi 70 për qind e kësaj shume është marrë nga qeveria dhe jo nga biznesi. Për të gjithë vitin qeveria ka parashikuar të marrë borxh të brendshëm 49.7 miliardë lekë, pak a shumë në të njëjtat nivele si vitin e kaluar. “Huamarrja nuk është rritur me 3 miliardë lekë. Shifra e emetimit në kalendarin e fundit të botuar në faqen zyrtare është e barabartë me shifrën e maturimit për muajin korrik, pra huamarrja neto është 0. Ne e patëm ndryshuar strukturën e ankandeve fillimisht duke e zvogëluar me 3 miliardë shifrën për korrikun, për t’ia shtuar këtë shifër gushtit, por më pas hoqëm dorë nga ky plan”,- sqarojnë burime nga MF-ja.
Akti normativ, qeveria kuoton në bursë naftën e “Albpetrol”-it
Produktet e kompanisë shtetërore të naftës, “Albpetrol”, do të shiten me çmim burse, duke synuar rritjen e të ardhurave për shoqërinë që është në prag privatizimi. Aktualisht, kompania operon me çmime fikse tepër të ulëta, të cilat vendosen dhe rishikohen me kontratë, ndërsa me rregullin e ri, do t’i shesë sipas çmimit të bursës, që aktualisht është i lartë, rreth 75 dollarë për fuçi. Megjithatë, vendosja sipas kushteve të bursës e bën “Albpetrolin” të jetë në varësi të tregjeve të huaja dhe në rast ulje të çmimit, atëherë edhe kompania është e detyruar t’i përgjigjet sjelljes së tregut ndërkombëtar. Vendimi është marrë nga qeveria më 16 qershor, me një akt normativ dhe me propozim të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ndryshimi prek ligjin “Për hidrokarburet”, nenin 12 që flet për kërkimin dhe prodhimin, ku thuhet se “marrëveshja ‘Albpetrol’ lejon kompaninë t’i tregtojë produktet hidrokarbure për tregun vendas apo për eksport sipas çmimit të bursës ndërkombëtare për hidrokarburet”. Me çmimet aktuale në tregje, fitimet e kompanisë do të ishin të konsiderueshme, për rrjedhojë edhe detyrimet që paguan në shtet në formë taksash do të jenë të larta. Specialistë të fushës shpjegojnë se nisur nga cilësia e naftës vendase, jo i gjithë çmimi në bursë do të merret në konsideratë, por mund të operohet duke vendosur një nivel zbritës fiks për çdo fuqi. Të dhënat e 5-mujorit tregojnë se kompania po i rrit të ardhurat nga shitja e naftës bruto (të papërpunuar). Vetëm për buxhetin e shtetit, kompania ka derdhur në formë taksash rreth 8 milionë dollarë. Aktualisht ministria e ka nxjerrë në shitje “Albpetrol”-in, proces që pritet të mbyllet brenda vitit.
Rruga e Arbrit, punimet vonohen nga shpronësimet
Ndërtimi i Rrugës së Arbrit në lotin Bulqizë-Ura e Vashës, 17 kilometra i gjatë, ka hasur pengesa, pasi banorët në tokat dhe banesat e të cilëve kalon rruga, kërkojnë të shpronësohen përpara ndërtimit të saj. Banorët e fshatit Plani i Bardhë, në Bashkinë e Klosit të Rrethit të Matit kanë protestuar herë pas here duke bllokuar punimet në këtë rrugë, pasi kërkojnë të kompensohen për tokat dhe shtëpitë që u dëmtohen nga ndërtimi i saj. Në të gjithë gjatësinë e rrugës në këtë fshat, prej më shumë se 1 kilometër, dëmtohen veç tokave të bukës edhe rreth 1000 varre, duke përfshirë edhe 4 varre ish-klerikësh myslimanë, si dhe 10 shtëpi të vjetra banimi mbi 200-vjeçare. Banorët e këtij fshati të cilëve u dëmtohet toka apo shtëpitë nga ndërtimi i rrugës, duhet të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për t’u kompensuar nga qeveria. Kjo sipas banorëve është pothuajse e pamundur për ta, pasi ata e konsiderojnë këtë thjesht një sorollatje. Zgjidhja e problemit të tokave bëhet më e vështirë po të kemi parasysh se nga verifikimet e bëra në regjistrat kadastralë të tokave të këtij fshati janë vërejtur mospërputhje të tapive.
7 Korrik 2010