E Diel, 1 Nëntor 2026

Akti normativ, qeveria rishikon buxhetin 2009

Këshilli i Ministrave dërgoi në Kuvend një akt normativ, ku ndryshon shifrat e buxhetit të vitit 2009. Në këtë akt normativ, për vitin 2009, në ndryshim nga buxheti i miratuar në fund të 2008-s, bëhen disa ndryshime në pasqyrën e të ardhurave dhe të shpenzimeve. Sipas relacionit të këtij akti normativ, mbështetur në analizën e realizimit të treguesve të buxhetit, rezulton se deri në fund të vitit 2009 të ardhurat e përgjithshme të buxhetit të shtetit pritet të arrijnë në rreth 319.9 miliardë lekë ose rreth 6.2 miliardë lekë më pak se buxheti i rishikuar. Ndikimin kryesor në këtë nivel realizimi pritet ta japë mosrealizimi në mbledhjen e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore me rreth 3.7 miliardë lekë si dhe nga mosrealizimi në të ardhurat tatimore në rreth 3.2 miliardë lekë. Mbështetur në këtë performancë parashikohet që për vitin 2009 të ardhurat e buxhetit të arrijnë 27.2 për qind në raport me PBB-në, ndërsa shpenzimet në 34.1 për qind të PBB-së. Niveli i deficitit buxhetor parashikohet të arrijë në 4.5 për qind të PBB-së.
Ndryshimet në buxhet
Kështu, sipas ndryshimeve të propozuara në aktin normativ, shpenzimet për asistencën sociale rriten me 400 milionë lekë, si rrjedhojë e financimit të paketës për personat me aftësi të kufizuara. Rriten shpenzimet e personelit me 245 milionë lekë për arsimtarët dhe policinë e burgjeve për rritjen e pagave dhe shpenzimeve operative me 104 milionë lekë si rrjedhojë e kursit të këmbimit në shpenzimet për përfaqësitë diplomatike. Ulen me 215 milionë lekë shpenzimet për mbrojtjen sociale të ushtarakëve, rrjedhojë për moshyrjen në fuqi të ligjit për ushtarakët. Rriten investimet me financim të huaj me rreth 3 miliardë lekë dhe pakësohen projektet e planifikuara për investime të brendshme në kontigjencën e investimeve me afro 5.5 miliardë lekë, e cila rezulton e papërdorur deri në fund të vitit 2009. Ulen shpenzimet për ripagesa me rreth 0/87 miliardë lekë. Ulen të ardhurat tatimore me rreth 6.9 miliardë lekë si rrjedhojë e uljes së të ardhurave nga TVSH-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›