E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli “rikthen” Pjetër Arbnorin në Parlament

Në përkujtim të 75-vjetorit të lindjes të njërit prej simboleve të rezistencës antikomuniste në Shqipëri, Pjetër Arbnori, Kuvendi i Shqipërisë e përjetësoi atë me emërtimin e sallës kryesore të mbledhjeve parlamentare, atë të Byrosë dhe Konferencës së Kryetarëve, salla “Pjetër Arbnori”. Nën kujdesin e kryetares të Kuvendit, Jozefina Topalli, u organizua një veprimtari e posaçme në nderim të kësaj figure shumëdimensionale, që gjithë jetën dhe veprën e tij ia kushtoi mendimit dhe fjalës së lirë, përpjekjeve për rrëzimin e diktaturës dhe demokracinë e Shqipërisë. Në këtë takim të zhvilluar në sallën më të rëndësishme të Kryesisë së Kuvendit, “Pjetër Arbnori”, morën pjesë dhe përkujtuan “Mandelën” e Shqipërisë deputetë, studiues, bashkëvuajtës, miq e familjarë. Bashkëshortja Suzana Arbnori dhe dy fëmijët e tij, Justina e Filipi, morën pjesë në këtë përkujtim të veçantë.
Duke folur për figurën shumëdimensionale të Pjetër Arbnorit, kryetarit të Parlamentit të parë pluralist të Shqipërisë, Topalli vlerësoi kontributin e tij. “Ju e dini që kjo sallë ka qenë Byroja e Komitetit Qendror. Pjetër Arbnori ka qenë legjendë e rezistencës dhe antikomunizmit, ndaj dhe simbolika është jashtëzakonisht e fortë. Kjo sallë, ku dikur merreshin vendime kundër Pjetër Arbnorit dhe të gjithë atyre që s’pranuan kurrë komunizmin, sot ka emrin Pjetër Arbnori. Ai ishte një luftëtar i fjalës së lirë. Ishte një njeri me zemër të madhe dhe unë kam qenë jashtëzakonisht me fat që kam pasur mundësinë për ta njohur dhe për të punuar për tri legjislatura së bashku me zotin Arbnori, fillimisht si kryetar Parlamenti dhe pastaj kemi punuar bashkë në ditë të vështira në kohën e opozitës”, - vlerësoi Topalli duke shtuar se Arbnori ishte “Mandela” i Shqipërisë dhe ne si shqiptarë jemi shumë krenarë për të. Kryetarja e Kuvendit tha se ka shumë dorëshkrime të tjera që zoti Arbnori ka lënë shkrime pa botuar dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë ç’mund për t’i botuar ato dhe u dhuroi familjarëve përmbledhjen e botimit të fjalimeve të mbajtura në Parlament nga Pjetër Arbnori. Bashkëvuajtësit e tij, intelektualë të dënuar dhe të persekutuar në kohën e komunizmit, e cilësuan Pjetër Arbnorin si një ndër themeluesit dhe drejtuesit e vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare, figurë e shquar jo vetëm politike, por një simbol kombëtar i pluralizmit dhe ithtar i fjalës së lirë. Deputetët Fatos Beja, Mark Marku, Rajmonda Bulku, Adriana Gjoni, Leonard Demi, drejtuesit e shoqatave të të ish-të përndjekurve, historianë etj. kujtuan momente të paharrueshme të karrierës së Pjetër Arbnorit si deputet, si politikan, si simboli i atësisë së legjislativit të parë pluralist të Shqipërisë, ku Arbnori u zgjodh dhe kryetari i parë i këtij parlamenti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›