E Diel, 1 Nëntor 2026

Formula e Strasburgut:Opozita në Parlament,qeveria në komision

Reporterët e Këshillit të Evropës dorëzuan dje konkluzionet e tyre për zhvillimet politike në Shqipëri dhe i propozuan Asamblesë së Përgjithshme të miratojë një rezolutë me disa propozime për t’i dhënë fund bojkotit të opozitës në Shqipëri. Dy reporterët që vizituan Shqipërinë, finlandezi Jaakko Laakso dhe anglezi David Wilshire, propozojnë që opozita të ndalë menjëherë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend, ndërsa qeverisë i kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas reporterëve dhe rezolutës që i është dërguar Asamblesë së Përgjithshme, e cila pritet të votohet më 28 janar, bojkoti i opozitës po pengon zhvillimin e vendit. Propozimet e përmendura nga reporterët janë pranuar edhe nga kreu i qeverisë, Berisha, i cili publikisht ka pranuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. “Komiteti i Monitorimit i kërkon qeverisë dhe opozitës shqiptare t’i japin fund krizës politike dhe të marrin përgjegjësitë e tyre me qëllim procedimin me reformat jetike. Qeveria duhet të ngrejë, pa vonesa, një komision hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe opozita duhet të kthehet në Parlament dhe të angazhohet plotësisht në aktivitetin e tij”, - thuhet në rezolutë. Më tej, thuhet se “autoritetet shqiptare gjithashtu duhet të përmirësojnë kuadrin ligjor për zgjedhjet në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias. Me qëllim lehtësimin e rolit të Presidentit Topi si ndërmjetës dhe dhënien fund bojkotit bazuar në pranimin e rezultatit të zgjedhjeve të fundit dhe rivendosjen e plotë të demokracisë parlamentare, Komiteti i Monitorimit propozon që Këshilli Presidencial i Asamblesë së bashku me bashkëreporterët për Shqipërinë të Komitetit të Monitorimit të zhvillojnë një vizitë, sa më shpejt të jetë e mundur, pas sesionit dimëror të asamblesë”.
Draft-rezoluta
Në pikën e parë të draft-rezolutës, theksohet se bojkoti i Kuvendit po pengon reformat e mëdha të vendit, të cilat kanë nevojë për opozitën. “Asambleja Parlamentare dënon krizën politike dhe institucionale e cila ka paralizuar politikën shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, me bojkotin e Parlamentit nga Partia Socialiste në opozitë dhe kundërshtimin e legjitimitetit politik të qeverisë së drejtuar nga Partia Demokratike. Në një parlament ku shumica qeverisëse nuk ka 3/5 e votave të nevojshme për kalimin e reformave të mëdha kushtetuese, ky bojkot i bën reformat më të domosdoshme të pamundura. Kjo situatë dëmton popullin shqiptar dhe aspiratat e tyre për integrimin evropian”, - thuhet në pikën 1 të rezolutës. Më pas thuhet se Asambleja shpreh keqardhjen që bojkoti ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Asamblenë. Pas zgjedhjeve të qershorit 2009, nuk është emëruar ende delegacioni i ri parlamentar në Asamblenë e KE-së dhe anëtarët e vjetër të opozitës nuk marrin më pjesë në veprimtaritë e Asamblesë. Në draft-rezolutë kërkohet që t’i jepet fund praktikës së bojkoteve në Shqipëri dhe shprehet keqardhja për mungesën e dialogut parlamentar. Në pikën 5 të draft-rezolutës thuhet se Shqipëria ka aplikuar për statusin kandidat në BE.

Përmbledhja e raportit të KiE-së për Shqipërinë

Komiteti i Monitorimit i kërkon qeverisë dhe opozitës shqiptare t’i japin fund krizës politike dhe të marrin përgjegjësitë e tyre me qëllim procedimin me reformat jetike. Qeveria duhet të ngrejë, pa vonesa, një komision hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe opozita duhet të kthehet në Parlament dhe të angazhohet plotësisht në aktivitetin e tij.

Autoritetet shqiptare gjithashtu duhet të përmirësojnë kuadrin ligjor për zgjedhjet në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias. Me qëllim lehtësimin e rolit të Presidentit Topi si ndërmjetës dhe dhënien fund bojkotit bazuar në pranimin e rezultatit të zgjedhjeve të fundit dhe rivendosjen e plotë të demokracisë parlamentare, Komiteti i Monitorimit propozon që Këshilli Presidencial i Asamblesë së bashku me bashkëraporterët për Shqipërinë të Komitetit të Monitorimit të zhvillojnë një vizitë sa më shpejt të jetë e mundur pas sesionit dimëror të asamblesë.

A. Draft-rezoluta

1. Asambleja Parlamentare dënon krizën politike dhe institucionale, e cila ka paralizuar politikën shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, me bojkotin e Parlamentit nga Partia Socialiste në opozitë dhe kundërshtimin e legjitimitetit politik të qeverisë së drejtuar nga Partia Demokratike. Në një parlament ku shumica qeverisëse nuk ka 3/5 e votave të nevojshme për kalimin e reformave të mëdha kushtetuese, ky bojkot i bën reformat më të domosdoshme të pamundura. Kjo situatë dëmton popullin shqiptar dhe aspiratat e tyre për integrimin evropian.

2. Asambleja shpreh keqardhjen që bojkoti ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Asamblenë. Pas zgjedhjeve të qershorit 2009, nuk është emëruar ende delegacioni i ri parlamentar në Asamblenë e KE-së dhe anëtarët e vjetër të opozitës nuk marrin më pjesë në veprimtaritë e Asamblesë.

3. Asambleja vëren se mungesa e dialogut parlamentar dhe rikthimi tek bojkotet, veçanërisht pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, është një problem i përsëritur në Shqipëri, praktikë e cila dëmton funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit.

4. Asambleja gjithashtu shpreh keqardhjen që në mungesë të një dialogu parlamentar të kuptimtë, retorika provokative po njeh rritje nga të gjitha palët e përfshira. Kjo mund të destabilizojë më tej vendin.

5. Asambleja i rikujton Shqipërisë se ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian më 28 prill. Më 16 nëntor 2009 Këshilli e ftoi Komisionin Evropian të japë opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë. Megjithatë, në këtë situatë, progresi i vendit drejt integrimit evropian është i bllokuar. Është e rëndësishme që Shqipëria, ndryshe nga tre fqinjët e saj, ende nuk ka përfituar liberalizimin e vizave nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

6. Asambleja shpreh gatishmërinë e saj të ofrojë një forum për arritjen e një zgjidhjeje në Shqipëri dhe të punojë ngushtë me organizatat ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje politike për krizën. Ajo mbështet të gjitha përpjekjet, përfshirë ato të ndërmarra nga Presidenti Topi për të ulur së bashku partitë politike në vend. Në këtë kontekst, Asambleja e konsideron që një tryezë e rrumbullakët, ku të marrin pjesë të gjitha partitë politike në Shqipëri, mund të kontribuonte në përmirësimin e klimës politike dhe hedhjen e bazave për rivendosjen e dialogut parlamentar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›