Legalizimet me 50% bono, ligji shkon në Kuvend
Në Kuvend erdhën ndryshimet ligjore në ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, ku përcaktohet se të gjithë qytetarët pa përjashtim që kanë ndërtim pa leje në proces legalizimi mund të paguajnë gjysmën e vlerës së legalizimit me letra me vlerë. Ndryshimet ligjore do të fillojnë të shqyrtohen menjëherë nga komisionet parlamentare me procedurë të përshpejtuar, duke bërë që ato të miratohen me kohë të shpejtë nga Kuvendi. Me anë të këtij ndryshimi ligjor, do të bëhet e mundur që pavarësisht nga masa e ndërtimit pa leje, gjysma e vlerës që duhet të paguajë qytetari tek ALUIZNI, të bëhet me bono privatizimi. Sipas ndryshimeve që do të shkojnë në Kuvend, përcaktohet se si për ndërtimet brenda vijës së verdhë, ashtu edhe për ato jashtë vijës së verdhë, pagesa me bono privatizimi nuk do të jetë më e madhe se 50 për qind e vlerës që duhet për të legalizuar shtëpinë. “Çdo pronar i ndërtimit pa leje, që trajtohet sipas shkronjave “a”, “b”, “c” dhe “ç” të paragrafit të parë të këtij neni, mund të paguajë me bono privatizimi deri në 50 për qind të vlerës së parcelës ndërtimore jashtë vijave të verdha”, - thuhet në pikën 1 të projektligjit. Në këtë ndryshim përcaktohet se ndërtimet në periferi përfshihen në proces për letra me vlerë. Këto ndërtime, sipas ligjit, nuk paguajnë më shumë se 4 milionë lekë të vjetra, por edhe këtë sasi ato mund ta paguajnë gjysmën me letra me vlerë. “Çdo pronar i ndërtimit pa leje, që trajtohet sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c” të paragrafit të parë të këtij neni mund të paguajë me bono privatizimi deri në 50 për qind të vlerës së parcelës ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha”, - thuhet në pikën 2 të projektligjit. Pika e dytë e projektligjit përcakton se ndërtimet me parcela të vogla brenda vijës së verdhë do të paguajnë gjysmën me letra me vlerë. Edhe këto ndërtime paguajnë deri në 4 milionë lekë të vjetra maksimumi për legalizimin, por tashmë mund të paguajnë gjysmën me letra me vlerë.
Përdorimi i letrave me vlerë apo bonove të privatizimit në procesin e legalizimeve nuk ka afat. Ligji parashikon që brenda një periudhe 3-mujore, çdo i interesuar që kërkon të paguajë ndërtimin e tij me letra me vlerë, duhet të bëjë një kërkesë tek Agjencia e Legalizimeve. Kështu, duke filluar nga data 24 nëntor e vitit të kaluar e deri më 24 shkurt, qytetarët kanë afat për të bërë kërkesën pranë ALUIZNI-t. Por, ky afat nuk ka të bëjë me përdorimin e letrave me vlerë, por thjesht me një kërkesë formale. Sipas ndryshimeve ligjore, ata që kanë ndërtime pa leje dhe që lejohen nga ligji për të paguar tarifat sipas ligjit me bono privatizimi, duhet të bëjnë një kërkesë në Agjencinë e Legalizimeve. Kjo kërkesë duhet bërë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Referuar ligjit që hyn në fuqi në datën 24 nëntor, jo të gjithë ata që kanë një ndërtim pa leje mund të paguajnë me letra me vlerë. Kështu, për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi ndryshon në bazë të metrave katrorë. Me bono thesari paguajnë ata që kanë mbi 500 metra katrorë parcelë ndërtimore. Për parcelat ndërtimore të ndërtimeve informale brenda vijave të paguajnë me letra me vlerë ata që kanë mbi 300 metra katrorë dhe do të mund të paguajnë vetëm 50 për qind të vlerës së ndërtimit me bono privatizimi.