E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, emrat e 665 familjeve që marrin tapinë

 ALUIZNI ka mbyllur dosjet e 665 familjeve të cilët kanë ndërtuar pa leje dhe do të marrin tapitë e shtëpisë. Bëhet fjalë për ndërtime në njësinë 4 të qarkut të Tiranës. Sipas procedurës, familjet, emrat e të cilëve botohen sot në gazetë, duhet të paraqiten në drejtorinë rajonale të ALUIZNI në Tiranë për të marrë faturat e pagesës për pronën që legalizohet. Kështu, ALUIZNI ka përfunduar dosjet e 665 familjeve dhe ka bërë gati edhe faturën që ata duhet të paguajnë në bankë. Ky është hapi i parafundit për familjet që janë në proces legalizimi. Pas paraqitjes së tyre në zyrat e ALUIZNI në Tiranë, familjet bashkë me faturën duhet të bëjnë pagesën në bankë. Sipas ligjit të ri, fatura mund të paguhet edhe me letra me vlerë. Të gjithë ata që janë në proces privatizimi, mund të paguajnë deri në 80 për qind të shumës së detyrimit me letra me vlerë. Pjesa tjetër 20 për qind e shumës, do të duhet të paguhet me para. Pagesa deri në 80 për qind me letra me vlerë, bëhet vetëm për tokat e zëna që janë pjesë e çmimit të diferencuar dhe që shërbejnë për banim. çdo qytetar duhet ta likuidojë faturën pranë sporteleve të bankës. Pas likuidimit të kësaj fature paraqitet të noteri përfaqësuesi i ALUIZNI dhe qytetari që ka ndërtuar pa leje. Te noteri bëhet akti noterial dhe pas kësaj mbyllet i gjithë cikli. ALUIZNI pra jep lejen e legalizimit bën plotësimin e kartelës së pronësisë. Në të njëjtën kohë që merret leja ALUIZNI dërgon edhe dokumentet pranë hipotekës. Hipoteka, sipas udhëzimit të ri, brenda 15 ditëve nga paraqitja e dokumentacionit detyrohet të regjistrojë pronën dhe të japë tapinë e re. Pra toka dhe ndërtesa pa leje, konvertohen me vërtetim pronësie, ose tapi. Sipas ALUIZNI, qytetarët, emrat e të cilëve publikohen sot, duhet që për të tërhequr faturat pranë Drejtorisë Rajonale Tiranë, të kenë me vete dokument identifikimi. ALUIZNI, pritet të botojë çdo muaj, emrat e familjeve dosjet e pronave të të cilëve janë mbyllur përfundimisht.
LISTEN E PLOTE, MUND TA LEXONI NE FORMATIN PDF

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›