Aktivitetet me rrezikshmëri, bashkia kërkon reagimin e qeverisë
Pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec nga shpërthimi i depos ku çmontoheshin municione, pushtetarët vendorë të Beratit japin alarmin për një sërë aktivitetesh të rrezikshme që veprojnë në këtë qytet. Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, mësohet t‘u ketë kërkuar instancave më të larta shtetërore marrjen e masave për një sërë biznesesh të rrezikshme që kryejnë aktivitetin e tyre në këtë qytet me dhe pa dokumentacionet përkatëse. Gjashtë pika karburanti në zonat urbane, tri pika shpërndarëse gazi, 30 pika mbushëse gazi, një ish-uzinë metalurgjie ku vazhdon veprimtarinë për shkrirjen e plumbit, 24 depozita me amoniak dhe një fabrikë lëkurësh janë disa burime rreziku për jetën dhe shëndetin e komunitetit në këtë qytet. Pas ngjarjes së Gërdecit, kryetari i Bashkisë së Beratit, me një urdhër të brendshëm që mban datën 17 mars 2008 kërkoi verifikimin e të gjithë bizneseve që kryejnë veprimtari me pasoja të rrezikshme për sigurinë publike. Në lidhje me këto aktivitete, kryetari i bashkisë u ka dërguar letër Kryeministrit Sali Berisha, Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli, ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, deputetëve të qytetit Erion Braçe dhe Mehmet Xheka. Kryebashkiaku i Beratit kërkon marrjen e masave për eliminimin e burimeve të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Shqetësimi më i madh dhe që përbën rrezik serioz, sipas tij është ish-metalurgjia e plumbit që vepron në lagjen "Uznovë".