Shefi i Shtabit informon prokurorinë për sasinë e municioneve në Gërdec
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, ka dhënë dëshminë e tretë në Prokurorinë e Përgjithshme, në lidhje me transportimet e municioneve nga depot e armatimit në të gjithë Shqipërinë në fabrikën e vdekjes në Gërdec. Një ditë pas bllokimit të letrave sekrete të shtabit, drejtuar Presidentit dhe Kryeministrit, prokuroria e ka parë të nevojshme që informacionet e klasifikuara të sqarohen nga numri një i ushtrisë shqiptare. Dëshmia e Hoxhës është marrë në fshehtësi të plotë nga organet hetimore, duke iu shmangur mediave. Nga burime konfidenciale mësohet se Hoxha ka deklaruar se qeveria shqiptare kishte dijeni për transportimet e municioneve nga depot ushtarake në drejtim të Gërdecit, pasi dy ditë para shpërthimit të fuqishëm, që u mori jetën të paktën 24 personave, ushtria i dërgonte një informacion Kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Bamir Topi për gjendjen e sigurisë në vend, si dhe për lëvizjet e municioneve në depot e armatimit në të gjithë Shqipërinë. Mësohet se shefi i shtabit ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet hetimore, duke i servirur dokumente që vërtetojnë të gjitha transportimet e municioneve në fabrikën e vdekjes. Mësohet se numri një i ushtrisë shqiptare ka pohuar se Forcat e Armatosura kanë lajmëruar krerët e shtetit për lëvizjet e municioneve në drejtim të Gërdecit në datat 13 shkurt, 7 mars, 9 mars dhe 13 mars të këtij viti. Rezulton se dy ditë para ngjarjes, ushtarakët kishin të dokumentuar të gjithë sasinë e municioneve që ndodhej në Gërdec. Dokumentet e klasifikuara janë bllokuar nga grupi hetimor i akuzës qendrore, ku po përcaktohen të gjitha hyrje-daljet e municioneve në fabrikën e vdekjes. Gjatë dëshmisë së Hoxhës, prokurorët kanë saktësuar të dhënat e ushtrisë me informacionet e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo e fundit ka të dokumentuar se 41 për qind e të gjithë armëve që kanë dalë nga depot e ushtrisë, që prej vitit 2005 deri në shkurt të vitit 2008, kanë pasur destinacion fabrikën e vdekjes në Gërdec. Armatimet kanë qenë kryesisht të lehta. Evidencat në fjalë janë bllokuar nga hetuesit e çështjes, ndërsa po verifikohen edhe dëshmitë e bëra nga ana e punëtorëve të kësaj fabrike, gjatë kësaj periudhe, të cilët deklaronin se fishekët hiqeshin nga arkat e hekurit dhe kalonin në arka druri të një peshe më të lehtë. Këto fishekë nuk u demontuan kurrë, por, sipas punëtorëve, ngarkoheshin në kontejnerë, që kishin për destinacion doganat, ku, prej të cilave, shkonin drejt blerësve.