E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rifillojnë operacionet e çminimit në zonat kufitare

Tetë kompani shqiptare të veprimit antiminë kanë filluar dje operacionet çminuese në zonat e kufirit më Kosovën në fshatrat e Tropojës. Kjo zonë u minua sistematikisht në pranverën e vitit 1999 nga ushtria serbe, e cila krahas masakrave në Kosovë synonte të krijonte një brez të vdekjes mes dy pjesëve shqiptare, duke e "mbjellë" me mina kundërnjeri, kundërtank etj. Rreth 600 lloje minash ndotën mbi 2 mijë hektarë në fshatrat e Hasit, Tropojës dhe Kukësit dhe aksidentuan 300 persona, 33 prej të cilëve me vdekje. Gjatë viteve të fundit, kompani të specializuara të veprimit antiminë nga Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj., kanë bërë pastrimin e rreth 80 për qind të krejt sipërfaqes së ndotur. Drejtori i AMAE-së (komiteti i shqiptar i veprimit antiminë) Sali Saliu tha se operacioni fundit do të përqendrohet në fshatrat e Tropojës, ku ende disa qindra hektarë vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për jetën e banorëve. Në operacionin e çminimit marrin pjesë dhjetëra specialistë shqiptarë të trajnuar për çminimin e terrenit, një pjesë e të cilëve ka ndihmuar ditët e fundit edhe në operacionet për pastrimin e zonës së Gërdecit nga predhat dhe lëndë të tjera shpërthyese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›