Elbasan, vret veten babai i katër fëmijëve
Një burrë 50 vjeç, baba i katër fëmijëve, është gjetur pasditen e djeshme i vetëvarur pranë banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shelcan të Komunës së Shushicës, vetëm 10 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, 50-vjeçari kishte "zgjedhur" kasollen e bagëtive, që ndodhej shumë pranë shtëpisë së tij në fshatin Shelcan për të kryer aktin e vetëvrasjes. Burime të policisë bëjnë të ditur se rreth orës 16:30 është gjetur i vetëvarur nga të afërmit, 50-vjeçari Guri Zeka. Menjëherë, në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor që ka marrë në pyetje bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i vetëvarjes së 50-vjeçarit mund të ketë qenë depresioni, por gjithsesi hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat që e çuan 50-vjeçarin në këtë akt fatal. Policia nuk bën me dije se çfarë kanë deponuar gruaja dhe fëmijët e tij rreth pyetjeve për vetëvarjen e kryefamiljarit.