E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria: Ndërprisni rekrutimin me forcë, na krijohen probleme

Një ditë pas denoncimit në gazetën "Shqip" të mbledhjes me dhunë të rekrutëve të rinj të ushtrisë, Ministria e Mbrojtjes ka reaguar, duke urdhëruar ndërprerjen e aksioneve të Policisë Ushtarake për mbledhje rekrutësh. Urdhri ka mbërritur dje paradite në Qendrën Rajonale të Mobilizimit Ushtarak në Fier. Kjo konfirmohet nga zyra e kreut të komanduar të kësaj qendre mobilizimi. Urdhri mësohet të jetë dhënë me telefon dy net më parë nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, ndërsa dje është dërguar me faks. Ndërkohë, incidentet e shumta që kanë shoqëruar aksionet për mbledhjen e rekrutëve kanë shkaktuar një çarje mes Policisë së Rendit dhe Policisë Ushtarake në Fier.

Urdhri

Zyrtarë të Qendrës së Mobilizimit të Ushtarëve për Rajonin e Fierit tregojnë se shqetësimi i mjaft të rinjve të mbledhur për ushtarë, pa u paralajmëruar më parë, ka shqetësuar edhe Ministrinë e Mbrojtjes. Në ministri kanë mbërritur ditët e fundit shumë ankesa nga familjarët e të rinjve që janë rekrutuar me forcë. Konfirmohet se disa nga familjarët e "rekrutëve" kanë komunikuar edhe në telefon me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Petrit Karabina. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka dërguar drejt Fierit urdhrin për ndalimin e aksionit. Burimet nga dega e mobilizimit ushtarak në Fier pohojnë për "Shqip", se në urdhrin e mbërritur thuhej se nuk duhet të përdoret forcë gjatë marrjes së ushtarëve të rinj. "Ky proces duhet të kalojë nëpërmjet udhëzimeve dhe ligjit. Nëse sot ne arrijmë të marrim ushtarë me forcë, reagimi i tyre, si dhe gjendja depresive, do të na shkaktojë situata të rënda", mësohet të jetë shkruar në urdhrin e lëshuar prej Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa në komunikimin me telefon që ka pasur me kreun e Qendrës së Mobilizimit, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë, duke thënë: "Mos merrni ushtarë, se do të kemi vetëvrasje nëpër garnizone".

Ky urdhër e ka zbehur aksionin e Policisë Ushtarake të Fierit, e cila dje është marrë vetëm me plotësimin e dokumenteve për rekrutët dhe jo me mbledhjen e tyre në rrugë apo mjedise publike.

Policia e Rendit

Dje është zyrtarizuar edhe distancimi i Policisë së Rendit nga aksionet e përbashkëta me Policinë Ushtarake për mbledhjen me forcë të rekrutëve të rinj. Një konflikt mes të rinjsh, që ka përfunduar me plagosjen e rëndë të një 17-vjeçari, ka bërë që të nisë një debat i ashpër mes krerëve të Policisë së Rendit dhe Policisë Ushtarake në Fier, çfarë ka çuar edhe në ndërprerjen e bashkëpunimit mes dy strukturave. Burimet zyrtare të Policisë Ushtarake kanë raportuar para disa ditësh në Ministrinë e Mbrojtjes: "Kemi dhënë ndihmën tonë për zbardhjen e një ngjarjeje mes të rinjsh". Kjo duket se ka "fyer" Policinë e Rendit, e cila dje, në një komunikim nëpërmjet zyrës së informacionit, ka thënë për gazetën "Shqip" se do të braktisin aksionet për mbledhjen e ushtarëve. Ndërkohë, zyrtarë të Policisë së Rendit sqarojnë edhe bashkëpunimin e deritanishëm me Policinë Ushtarake që nuk ka qenë konform ligjit. Ligji 36/1, në nenin 3 të tij, parashikon ndërhyrjen e Policisë së Rendit për mbledhjen e ushtarëve, kur janë shpërndarë fletëthirrjet. Pra, Policia e Rendit ndërhyn atëherë kur kandidatët për rekrutë janë thirrur. Por kjo fazë nuk kryhet në Qendrën e Mobilizimit Fier dhe Policia e Rendit, së bashku me Policinë Ushtarake organizojnë aksione për mbledhjen me forcë të rekrutëve në rrugë dhe në ambiente publike.

Abuzimet

Ndërkohë për Majorin Petrit Krakulla, i cili prej disa muajsh është komanduar në krye të Qendrës së Mobilizimit Ushtarak Fier, shqetësues mbetet niveli i bashkëpunimit me organet e pushtetit vendor, si dhe ndërhyrjet e njerëzve me pushtet në procesin e rekrutimit të ushtarëve të rinj. Major Krakulla tha dje për gazetën "Shqip se drejtues të lartë të pushtetit qendror e vendor në qarkun e Fierit kanë ndërhyrë shpesh për lirimin e disa të rinjve, të cilët ishin kapur nga policia ushtarake pasi nuk kishin kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. "Ka edhe deputetë të Fierit që kanë ndërhyrë për të toleruar ndonjë të ri. Madje, jo në pak raste këta njerëz të veshur me pushtet japin urdhra", thotë Major Krakulla. Nga ana tjetër, kjo degë mobilizimi ka vështirësi në komunikimin me krerët e komunave, të cilët jo vetëm nuk deklarojnë numrin dhe emrat e atyre që kanë mbushur moshën për të kryer shërbimin ushtarak, por edhe i fshehin ata, duke deklaruar se janë në emigracion. "Ka pasur me dhjetëra raste kur është faktuar e kundërta e asaj që kanë deklaruar krerët e komunave", thotë major Krakulla.

Karabina: Nuk kemi ushtarë me probleme mendore

Rekrutimi i ushtarëve shqiptarë vazhdon të mbetet një problem i shoqërisë sonë, edhe pasi Shqipëria ka marrë ftesën për në NATO. Kërkesa e Aleancës së Atlantikut të Veriut është që Shqipëria të ndërtojë një ushtri moderne dhe profesionale, ndërkohë që në vendin tonë vazhdojnë ende të mblidhen njerëz të grupmoshës së re për të kryer me detyrim shërbimin ushtarak. Ministria e Mbrojtjes ka reaguar dje në lidhje me rekrutimin e personave me paaftësi mendore dhe fizike. Zv/ministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, ka bërë me dije se nuk ka asnjë rast deri tani që në ushtrinë shqiptare të ketë ndonjë ushtarë të sëmurë mendor. "Nuk kemi ushtarë me probleme mendore", tha Karabina. Ai ka sqaruar se përpara se të merren ushtarë, të gjithë individët u ushtrohen vizitave mjekësore dhe pastaj nisin procedurat për t‘u pranuar në ushtri. Por, nga ana tjetër, numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes, Petrit Karabina, pranon faktin se në të gjithë vendin ka urdhër për të rekrutuar persona për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Në fillim bëhen ekzaminimet e duhura mjekësore dhe më pas, në rast se ka persona të cilët nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore, nuk përfshihen në ushtri. Sipas zv/ministrit është komisioni i ushtrisë ai që bën analizat e duhura dhe të sakta për të verifikuar nëse një person është në gjendje apo jo për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Përgjegjësia për rastet e tilla është në dorë të komisioneve mjekësore, të cilat kanë për detyrë të nxjerrin analizat e sakta për të verifikuar aftësinë mendore dhe fizike të personave të mbledhur me forcë nga policia për të vazhduar ushtrinë. Sipas Karabinës, ajo çka synohet nga ushtria jonë është krijimi i një ushtrie profesioniste në vitin 2010. Rasti i paraqitur dje në gazetën "Shqip", tregon një fakt, që vendi ynë ka ende shumë për të bërë për të qenë më pranë një ushtrie profesioniste. Një ditë më parë, kreu i Qendrës së Mobilizimit Ushtarak në Fier, është shprehur se nuk ka lista për rekrutë, prandaj edhe ne i mbledhim në rrugë ata. Ai akuzon krerët e pushtetit vendor për fshehje të të rinjve, që duhet të kryejnë shërbimin ushtarak, duke e arsyetuar këtë mungesë bashkëpunimi si shkakun kryesor të mbledhjes me forcë të ushtarëve.

Denoncimi

Rekrutohen të sëmurët për të mbushur numrin

Vetëm gjatë dy fazave të para të mobilizimit për vitin 2008, rezultojnë që janë marrë në mes të rrugës më shumë se 30 të rinj që kanë qenë të sëmurë. Kryesisht këta kanë qenë të sëmurë mendorë dhe një pjesë fare e vogël kanë rezultuar me paaftësi fizike, si paralizë të pjesshme të dorës a krahut, miopi, probleme kardiake etj. Në regjistrin e kontrollit mjekësor të Qendrës Rajonale të Mobilizimit Ushtarak në Fier janë regjistruar emrat e më shumë se 30 të rinjve, por burimet zyrtare të kësaj qendre tregojnë faktin se mes ushtarëve që kanë dërguar në bazat ushtarake të Bunavisë dhe Beratit ka pasur nga ata të cilët komisioni mjekësor i atjeshëm i ka cilësuar si të paaftë. Gjatë tri fazave vjetore të mobilizimit, dega e Fierit merr me forcë në rrugë apo mjedise publike më shumë se 50 të paaftë. Madje, burimet zyrtare nga Baza Ushtarake e Beratit dhe ajo e Bonavisë pranojnë për gazetën "Shqip" se ky numër i dhënë nga dega rajonale e Fierit rritet edhe më shumë nga konstatimet mjekësore që kryhen në këto baza.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›